leoni

Veterani i arsimit, tani në moshë 88-vjeçare, profesor, Xhemal Pllana, ka rrëfyer për hapat e para të shkollave shqipe në Kosovë

Veterani i arsimit, tani në moshë 88-vjeçare, profesor, Xhemal Pllana, ka rrëfyer për hapat e para të shkollave shqipe në Kosovë

Në emisionin javor të TV-Diellit, “Bisedë në studio”, profesori i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, veterani i arsimit, tani në moshë 88-vjeçare, Xhemal Pllana,  ka sjellë në kujtesë rrëfime e ngjarje nga jeta e tij, në familje, shkollë, në studime dhe gjatë punës në arsimimin e brezave në shumë shkolla të Kosovës, gjatë punës së tij 45-vjeçare në arsimimin e nxënësve.

Xhemal Pllana u lind në Kçiq të Vushtrrisë, në një familje atdhetare, të cilën e ka ndjekur dhe e ka persekutuar regjimi jugosllav i kohës. Babai i tij duke qenë pjesëmarrës në Luftën e Shalës në vitet 1945-1946, regjimi titist e kishte pushkatuar,  ndërsa  bijtë e tij ia  kishte burgosur e internuar në kampet e punës, në minierat e Serbisë.

Mësimet e para i ka filluar në vendlindje në vitin 1943 kur edhe ishin hapur për herë të parë shkollat në gjuhën shqipe, me rastin e shkatërrimit të Jugosllavisë nga Italia e Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, qysh në vitin 1941. Së bashku me Latif Berishën, ( profesori i vrarë nga regjimi i Millosheviqit më 24 mars të vitit 1999, ditën kur kishte filluar sulmi i NATO-s mbi Jugosllavinë e kohës) e bashkëmoshatarë të tjerë ishte i dhënë fort pas mësimit. Duke qenë më të  rritur se nxënësit e tjerë,   mësuesit e tyre i kishin   avansuar në mësime për të zënë hapat me gjeneratën e tyre.

 

Xhemal Pllana së bashku me Latif Berishën, Emin Pllanën, Imer Merovcin, Adem Mikullovcin e shumë të tjerë kanë qenë gjeneratat e para të nxënësve shqiptarë, të cilët sapo kishin mbaruar kurset e avansimit, zyrtarët e arsimit i kishin emëruar mësues nëpër shkolla,  meqë nuk kishte kuadër të mjaftueshëm për të mësuar nxënësit në shkollat që ishin hapur asokohe në shumë qytete të dhe në fshatra të Kosovës, por që kishte mungesë të shprehur të kuadrove,  me mësim në gjuhën shqipe. Nga kjo mungesë e arsimtarëve, në shumë vende nxënësit shqiptarë ishin të detyruar ta mësonin edhe gjuhën serbo-kroate, me qëllim të kryerjes së shkollave.

Pas kryerjes së kurseve pedagogjike në Pejë e në Gjakovë, duke qenë se kishte treguar rezultat meritor, Xhemal Pllanës iu kishte hapur perspektiva për të punuar në arsim dhe për të studiuar. Meqë asokohe  punonte Katedra  e Albanologjisë në Beograd, të cilën  shumë më herët e kishte themeluar albanologu i njohur  serb, Vojisllav Dançetoviq, ku edhe mbaheshin seminare të gjuhës shqipe,  kuadro të zgjedhura të arsimit ishin drejtuar për në kryeqytetin e Jugosllavisë, ndërsa shumë prej tyre kishin kryer studimet e larta. Pjesa dërrmuese e tyre pastaj ishin kthyer për të punuar në shkollat shqipe të Kosovë, Maqedoni  e Malit të Zi.

Kuadrot shqiptare që kishin kryer studimet në Beograd, shumica prej tyre ktheheshin në Kosovë, ku ishin filluar të hapeshin edhe gjimnazet, shkollat normale, ekonomike, teknike si dhe shkollat e arteve. Një kontribut të veçantë në hapat e parë të përgatitjes së kuadrove sidomos në gjuhën shqipe kishte dhënë Katedra e Albanologjisë në Beograd.

 

Në atë kohë kemi qenë bukur shumë studentë nga Kosova që kemi kryer studimet në Beograd, sepse në Kosovë nuk kishte madje as shkolla të larta, duke përjashtuar kurset e ndryshme pedagogjike  përmes së cilave përgatiteshin mësuesit e arsimtarët e kohës. Kur kam shkuar në Beograd për studime në vitin 1955 atje kem gjetur, profesor Idriz Ajetin, Anton Çettën, Demush Shalën, të cilët punonin në Katedrën e Albanologjisë, që e drejtonte Dançetoviqi. Në atë gjeneratë mbaj mend të kemi qenë, unë Xhemal Pllana, Latif Berisha, Ramiz Kelmendi, Enver Gjergjeku, Ramadan Shala, Din Mehmeti, Avni Lama, Emin Pllana, Zekeria Cana, pastaj, Adem Demaçi e shumë të tjerë. Ademi studionte Letërsinë Botërore, por kishte kryer  edhe seminarin shqip të Katedrës. Disa nga këta që i përmenda studionin edhe historinë e lëndë të tjera, në gjuhën serbe në fakultetet  e kohës….

Xhemal Pllana mbahet mend nga nxënësit por edhe nga kolegët e tij për një qëndrim intelektual, gjithnjë vertikal e burrëror, për punën e përkushtuar me nxënës, për korrektësi në punë dhe në aplikimin e normave pedagogjike e metodike, gjatë mbajtjes së orëve mësimore. Ishte dhe është shumë pedant në punë,  dhe nuk mungonte asnjë orë në mësim, edhe pse pjesën më të madhe të viteve gjatë punës në arsim, ka udhëtuar. Xhemal Pllana ka mbajtur dhe mbanë qëndrim të fortë kombëtar, ka përkrahur fuqishëm luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa djali i tij, Armendi,  ka qenë luftëtar i lirisë, tani i ndjerë.

Ka shkruar poezi qysh në kohën e rinisë. Një pjesë e tyre janë botuar në rubrikën Kultura të Radios-Kosova e Lirë. Ka në dorëshkrim librin autobiografik,  “Rruga e jetës sime”.

Xhemal Pllana Jeton në Smrekovnicë.

Më gjerësisht, për bisedën dhe shumë detaje të tjera, nga jeta dhe aktiviteti edukativ-arsimor i profesor Xhemal Pllanës,  mund të klikoni në këtë video…

Kontrolloni gjithashtu

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

Flet Kryetari i grupit lab “Bijtë e Tepelenës” Kastriot Lamaj: Kënga labe ka qënë është dhe do të mbetet pjesa më e artë e identitetit tonë kombëtar

– “Në Tepelenë ka disa grupe labe që mbajnë gjallë dhe mbartin këngën më të …