Vetëvendosja në Fushë Kosovë: Keqpërdorime dhe degradim i qeverisjes në komunë

Vetëvendosja në Fushë Kosovë: Keqpërdorime dhe degradim i qeverisjes në komunë

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Fushë Kosovë, përmes aksionit simbolik “Dështimet e qeverisjes lokale të Fushë Kosovës” shpërfaqën edhe një herë mendësinë korruptive, keqpërdorimet dhe degradimin që qeverisja e LDK-së me kryetarin e tyre Burim Berisha ia kanë shkaktuar qyeteti të Fushë Kosovës. Në çdo sektor të jetës shoqërore pushteti me ndikimin e vet e ka shtrirë dorën e keqpërdorimit e korrupsionit që natyrisht ka pasur pasojë degradimin e atyre sektorëve dhe vështirësimin e mirëqenies, pabarazinë socile dhe mungesën e të mirave publike për qytetarët.

Më poshtë janë të listuara problemet e shumta të qeverisjes komunale të Burim Berishës sipas sektorëve:

SHKATËRRIMI I ADMINISTRATËS KOMUNALE DHE SHKELJET LIGJORE

– Mungesa e dëgjimeve publike dhe takimet me qytetarët.

– Mospublikimi i audioinçizimeve të mbledhjeve të Kuvendit Komunal, siç përcaktohet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit Komunal.

– Mospërgjigja në kërkesat për qasje në dokumentet publike të qytetarëve, siç përcaktohet në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike të Republikës së Kosovës.

– Mospublikimi i dokumenteve dhe vendimeve që dalin nga mbledhjet e Kuvendit Komunal në ueb-faqen zyrtare të Komunës (Raporti i Kryetarit, Raporti Financiar, Projekt Buxheti, Planet Rregullative, etj.).

– Ndikimi politik në administratën komunale që reflektohet në qasje të pabarabartë ndaj individëve apo subjekteve të ndryshme që nuk janë mbështetës të qeverisjes aktuale komunale (aktivistëve të VV-së, i mohohet qasja në dokumente publike, qasja në mbledhjet publike, qasja në objektet publike komunale për të ushtruar aktivitete shoqërore).

Ndërhyrje të tjera politike që ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes në administratë:

– Mosthirrja në afatet e përcaktuara ligjore të mbledhjeve të Komitetit për Politikë dhe Financa si dhe mbledhjeve të Kuvendit Komunal.

– Mospërgjigja e Drejtorëve në pyetjet parlamentare.

– Manipulimi i ekstrakteve të procesverbaleve dhe mosparaqitja e saktë e diskutimeve.

– Parregullësi në përpilimin e buxhetit komunal dhe raporteve financiare të cilat i zbulon edhe Auditori i Përgjithshëm që janë ngatërrimi i kodeve të investimeve ku mbi 200 000 euro jepen si mallëra dhe shërbime nga investimet kapitale.

PROBLEMET INFRASTRUKTURORE DHE URBANISTIKE

– Shkolla “Mihail Grameno” dhe “Selman Riza” janë të populluara me nga 45 nxënës në klasë dhe mbajnë mësim me tre ndërrime, ndërsa nuk ka as hapësira publike për ndërtimin e një shkolle të re, as plan veprimi për trajtimin e gjendjes.

– Mungesa e parkingjeve bënë që trotuaret gjithandej Fushë Kosovës, të jenë të zëna nga veturat, rrjedhimisht pamundësohet kalimi i këmbësorëve e aq më tepër personave me aftësi të kufizuara.

– Nuk ka hapësira të gjelbërta.

– Nuk ka shtigje për biçikleta

– Ndërtesat e larta nuk kanë qasje për makinat emergjente të zjarrëfikësve dhe ambulantave.

– Ndërtesat e larta nuk i plotësojnë standardet për pasjen e shkallëve emergjente dhe dyashensorëve.

– Ndërtesat e larta nuk e respektojnë distancën për largësi nga rruga dhe nga njëra tjetra.

– Trotuaret në shumicën e rrugëve nuk ekzistojnë ndërsa në rrugët kryesore janë të zëna nga veturat e gjithashtu as nuk parashihet një plan veprimi për vendosjen e masave anti-parking dhe lirimin e tyre.

– Kanalizimi në lagjet “Dardania” dhe “Nënë Tereza” sipas ekspertëve nuk është adekuat dhe nuk e përballon ngarkesën e ndërtimeve aktuale në qytet.

PROBLEMET NË ARSIM:

– Sipas Raportit të Drejtorisë për Arsim në vitin 2015, rreth 70% e nxënësve në shkollat e mesme të Fushë Kosovës kanë sukses mesatar ‘mirë’ apo siç e njohim notën 3. Rreth 20% e nxënësve në shkollat e mesme të Fushë Kosovës kanë sukses të ‘mjaftueshëm’ apo notën 2.Ky sukses kaq i dobët tregon për cilësinë e dobët të arsimit.

– Laboratoret nëpër shkolla dhe puna praktike janë thuajse joekzistente.

– Programet e ndryshme në bashkëpunim me Bibliotekën e qytetit për promovimin dhe stimulimin e leximit nuk ekzistojnë.

– Programe për aktivitete emancipuese, kulturore apo sportive jashtë procesit mësimor nuk ekzistojnë.

– Forma të bashkëpunimit dhe organizimit të veprimtarive të përbashkëta me këshillin e prindërve, stafin edukativ dhe nxënësit, për të ngritur kujdesin edukativ dhe arsimor nuk ekzistojnë.

– Komuna investon mijëra euro në ndërtimin e çerdheve në fshatra, pastaj i mbyllë ato objekte me arsyetimin se nuk ka kërkesë. Dmth komuna investon as pa më të voglën ide për nevojat e qytetarëve, aq më shumë të bëjë një studim fizibiliteti para se të investojë.Kjo tregon për mendësinë e ekzekutivit në trajtimin e arsimit dhe çdo sektori tjetër.

PROBLEMET NË SHËNDETËSI

– Mosfunksionalizimi i pikave ambulantive nëpër fshatrat e Fushë Kosovës si nëMiradi e Epërme, Miradi e poshtme, Vragoli, Henc, Harilaq, Sllatinë, Bardh i Vogël, Mesbardh, Bardh i Madh dhe Grabovc, nuk janë fare funksionale apo hapen për qytetarët vetëm një herë në javë. Pra, rreth 18 000 banorë të fshatrave të Fushë Kosovës edhe pse i kanë të ndërtuara ambulantat e reja në fshat, detyrohen të marrin rrugë për t`u vizituar tek mjeku në QKMF-në e Fushë Kosovës. Me këtë rast dëmi është i shumëfisht: dëmtohen qytetarët të cilët humbin para, kohë dhe mund për të ardhur deri në QKMF; dëmtohen objektet publike ambulantive pasi nga mospërdorimi kanë filluar të degradohen; dëmtohet QKMF ngase për shkak të stërngarkesës nuk arrin të japë shërbime cilësore.

– Mungesa e politikave afatmesme të cilat i japin prioritet shëndetësisë: – është konstatim i pamohueshëm se ekzekutivi i Komunës së Fushë Kosovës nuk ka politika të hartuara për asnjë sektor dhe vepron aty për aty, duke bërë investime ku e si i konvenon. Edhe shëndetësia i është nënshtruar një mendësie të tillë dhe për pasojë ka ngecur në zhvillim.Fushë Kosova duhet të ketë një plan veprimi i cili parasheh ngritjen dhe zgjerimin e kapaciteteve shëndetësore dhe rritjen e QKMF-së drejt një Poliklinike që oforn të gjitha llojet e shërbimeve mjekësore primare dhe sekondare.Në një qytet që po rritet me shpejtësi, nuk mund ta shmangim ngritjen e këtillë të kapaciteteve.

– Sot në QKMF mungojnë shërbimet dentare, numri i analizave që mund të bëhen është i limituar, mungojnë shërbime të mjekëve të specializuar (internist, otoringolaringolog, etj.) si dhe  ka mungesë të barnave  nga lista esenciale për trajtimin e pacientëve.

PROBLEMET NË KULTURË RINI DHE SPORT

– Bibliotekat në Fushë Kosovë, Sllatinë dhe Bardh të Madh janë të varfëra me tituj, nuk kanë programe për promovimin dhe stimulimin e leximit (sidomos në bashkëpunim me shkollat), madje ajo në fshatin Bardh i Madh është e mbyllur dhe nuk funksionon fare.

– Teatri i qyetetit  është shuar.

– Grupe letrarësh, piktorësh, artistësh nuk ekzistojnë në Qendrën e Kulturës.

– Galeria e arteve, Kinemaja dhe muzeu i qyetetit nuk ekzistojnë.

– Programe vjetore të aktiviteteve kulturore, edukative dhe emancipuese në bashkëpunim me shkollat e qytetit nuk ekzistojnë.

– Klubi më i madh futbollistik `Fushë Kosova` ka probleme ekstreme dhe që një kohë të gjatë është pranë falimentimit.

– Klubet e tjera punojnë në kushte të vështira dhe me tepër pak mbështetje.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Fushë Kosovë do të vazhdojë t’i kundërshtojë dhe t’i denoncojë të gjitha keqpërdorimet e këtij pushteti përmes formave të ndryshme në bashkëpunim me qytetarët e Fushë Kosovës si dhe i bënë thirrje Prokurorisë së shtetit që të fillojë hetimet për çdo shkelje eventuale të pushtetit në Fushë Kosovë, tashmë publikisht të denoncuara.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti flet nga Shipkovica: Është koha të përcaktohemi me platformë, më 8 maj rrethojmë numrin 4

Kryetari i BDI-ë,  Ali Ahmeti në kuadër të takimeve me qytetarë në fushatën parazgjedhore për …