Vetëvendosje

VV: Qeveria servile ndaj Serbisë rikonfirmon dëbimin e aktivistëve nga Shqipëria

Sot, përmes një dokumenti të mbushur përplot me gabime drejtshkrimore, logjike, procedurale e ligjore, Komisioni për Ankesa për të Huajt e ka refuzuar ankesën që ka bërë z. Boiken Abazi, në lidhje me dëbimin e tij të kundërligjshëm. Përshtypjet tona se ky proces që prej fillimit e deri në fund ka qenë tërësisht politik, vetëm sa u konfirmuan nga vendimi skandaloz i këtij Komisioni.

Ky komision qeveritar i përbërë me përfaqësim ndërministror, vetëm sa e vërteton kontrollin politik dhe strukturor që kjo qeveri ia bën sistemit të drejtësisë në vend. Me masat arbitrare e të paligjshme, për dëbim e për ostracizëm ndaj aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Boiken Abazit, kjo qeveri po sillet njësoj sikur qeveritë absolutiste të mesjetës së errët.

Komisioni për Ankesa për të Huajt është krijuar me urdhër të Isa Mustafës, dhe në përbërjen e tij janë: Agron Gashi- kryesues (nga Zyra e Kryeministrit); Burbuqe Spahija-Kërveshi- anëtare (nga Ministria e Drejtësisë), Avdyl Hyseni– anëtar (nga Ministria e Punëve të Brendshme), Zenel Gashi- anëtar (nga Ministria e Punëve të Jashtme) dhe Isni Kryeziu– anëtar (nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë). Ky Komision sot vendosi që urdhërin për largim me forcë të aktivistit Boiken Abazi ta lërë në fuqi, por nuk ofroi asnjë fakt të qartë ku mund të bazohet ky vendim. Pra, edhe vendimi i Komisionit është politik, antiopozitar, dhe tërësisht antiligjor edhe arbitrar. Në vend se të sillte prova për të vërtetuar vendimin e marrë, Komisioni ka kërkuar nga avokati përfaqësues i z. Boiken Abazi që të sjellë prova për pafajësinë e tij. Kjo logjikë përdoret vetëm në sistemet diktatoriale e totalitare, kur çdo opozitar është fajtor deri sa të provojë të kundërtën. Ndërsa në sistemet demokratike, me sistem të drejtësisë pozitive, gjithnjë i takon palës akuzuese të provojë me fakte të dëshmueshme fajësinë e të akuzuarit, përndryshe ai konsiderohet gjithnjë i pafajshëm. Përderisa as Policia e asnjë institucion tjetër nuk ka faktuar fajësinë e z. Abazi si bazë për dëbimin e tij me forcë prej Kosovës, ky vendim nuk mund të konsiderohet tjetër, përveçse i padrejtë dhe në shkelje të të drejtave për prezumim të pafajësisë dhe për gjykim të drejtë e të paanshëm, të drejta të cilat janë të sanksionuara në Artikujt 6,7,8,10 dhe 11 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe në Artikujt 5,6 dhe 7 të Kartës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Vendimi i Komisionit, as në aspektin juridik dhe as në atë faktik nuk i përmbush kushtet minimale ligjore për të vërtetuar faktet dhe bazën mbi të cilin është nxjerrë urdhëri për dëbimin me forcë. Arsyetimi i vendimit të Komisionit është përshkrim i procesverbalit dhe nuk paraqet formën e kërkuar sipas Ligjit për Procedurën Administrative. Në të shkruhet se Komisioni ka konsultuar “zyrtarin e autorizuar policor”, pa e cekur me emër dhe mbiemër, funksionin e tij si dhe pa paraqitur asnjë të dhënë mbi të cilat bazohet vendimi. Komisioni nuk ka marrë parasysh as faktin që vetë Policia e Kosovës është pronocuar zyrtarisht duke shpjeguar se Boiken Abazi nuk ka asnjë vepër penale, dhe duke rënë kështu në kundërshtim me atë që shkruhej në vendimin paraprak. Për më shumë, Komisioni nuk ka marrë parasysh as dëshmitë e paraqitura që vërtetojnë se Boiken Abazi në datën 3 shkurt 2016, ka hyrë legalisht në Kosovë bashkë me Aida Dërgutin, ndryshe nga ç’pretendohet në vendim.

Kryeministri autoritar dhe i jashtëligjshëm i Kosovës, Isa Mustafa, nuk është mjaftuar me shkeljet flagrante që i ka bërë Kushtetutës së Republikës së Kosovës në marrëveshjet me Serbinë, nuk është mjaftuar as me përdorimin e aparatit shtetëror të dhunës kundër zërave opozitarë. Me Listën Serbe që këndon “Kosova është zemra e Serbisë” në mbledhjet e Qeverisë Mustafa, dhe me dëbimet e shqiptarëve nga Kosova, Mustafa e ka bërë tashmë të qartë për të gjithë se për kë i rreh zemra dhe se ai nuk i duron dot shqiptarët. Një Kryeministër i shitur që e shtyp popullin e vet, nuk mund të qëndrojë më në pushtet.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta ndjekë në gjykatë rastin e Boiken Abazit dhe do kërkojë, ndër të tjera, dënimin e të gjithë atyrë që e kanë orkestruar këtë vendim politik që shkel jo vetëm të drejtat themelore të njeriut, por shkel edhe mbi ndjenjën e solidaritetit mes kombit shqiptar. Ne shqiptarët, e dime që Isa Mustafa nuk na duron dot, por së shpejti edhe Isa Mustafës do t’i bëhet e qartë që shqiptarët nuk e durojnë dot atë, dhe nuk do të tolerojnë më regjimin e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …