Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar institucionet e Kosovës për, sipas saj, mungesën e mbështetjes së mjaftueshme ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë. Çitaku tha se procesi gjyqësor nuk duhej të trajtohej si barrë e një partie politike, por si përgjegjësi shtetërore, pasi të akuzuarit, sipas saj, ndodhen në Hagë për shkak të rolit të tyre në luftën çlirimtare të Kosovës dhe jo si përfaqësues të një subjekti politik. Ajo vlerësoi se mbështetja e institucioneve është kufizuar kryesisht në ndihmë financiare, e cila, sipas saj, nuk ka mbuluar as për së afërmi kostot e mbrojtjes juridike. Çitaku pretendoi gjithashtu se ka munguar angazhimi politik dhe diplomatik i institucioneve të Kosovës në raport me këtë proces. Duke krahasuar qasjen e Prishtinës me atë të Tiranës, Çitaku vlerësoi angazhimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin tha se ka ndërmarrë iniciativa në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, iniciativa që, sipas saj, do të duhej t’i kishte ndërmarrë edhe Qeveria e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
