Xhemail Peci: BILL KLINTON HIMN PËR NJERËZIMIN ËSHTË EMRI I TIJ

Xhemail Peci: BILL KLINTON HIMN PËR NJERËZIMIN ËSHTË EMRI I TIJ

  “Jetojnë vetëm ata që luftojnë, vetëm ata,

  që shpirt e mendje mbushur nga një qëllim i kanë, ata,

 që fatí i çon të ngjiten në shkëmbinj të thepisur,

që ecin t’munduar e mbërthyer nga një mendim i ndritur,

 duke u rrëzëllyer në sy, çdo çast, ditë dhe natë;

o ndonjë mendimin i shenjtë, o ndonjë dashuri e lartë”.    Viktor Hygo

 

Ata erdhën ballëlartë dhe gjoksshpalosur në flakët e luftërave dhe të betejave,  mes shpresave, mes lutjeve, mes ankthit, mes kujës, pritjeve dhe përgjërimeve, të qindra, mijëra dhe milionave, që zgjatur i kishin duart për mëshirë kah qielli, ata rendën dhe marshuan me ligjin e drejtësisë njerëzore në duar si vetë dielli, mes rrebesheve të kohës e mes stuhive dhe dallgëve të oqeaneve kreshpëruar, ballëlartë e kryelartë rendën dhe erdhën ata e zjarrin e fjalëve mbanin qëruar, ata që besonin në ligjet e drejtësisë hyjnore, në thirjet e tyre gjithëvëllazërore, ata që mes sfidave dhe rreziqeve gjakonin për të sjellur tej barazinë njerëzore.

Të papërkulur ishin ata përballë Scillës dhe Haridbës, përballë zjarrit dhe litarit, mes shqotave dhe suferinave vinin ata dhe çanin përmes kudhrës dhe çekanit, ata si Prometheu i lashtë në mitologjinë antike, mbollën e sollën farën e lirisë, në misionin e tyre të shenjtë, më pranë njerëzve e sollën bekimin e perëndisë; Ata që si flakën e Prometheut, në botën e kërcënuar padrejtësisë edhe smirës, flakadanë lirie mbollën e sollën n’botën e kërcënuar prej të ligës dhe shëllirës, ata – promethejtë e ri që e hodhën farën e barazisë bashkë me idenë e së mirës, si promethejtë – misionarët e vizionarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata ecnin dhe rendin me hapa viganësh dhe frymëzimin nga e kaluar e merrnin,  mes popullit, me popullin e për popullin ishin ata, e tej me hapa prej levendësh, dhe fjalët si oshëtimë e shekujve, korifejtë e ri të shpresës së re pamje titanësh, e sfidë u bënin padrejtësive të mëdha, që si dikur Bastiljës grilave dhe hekurave, ndrynin popujt e vegjël por me zemër të madhe lirie-vuajtur krimet e gjilotinave, të cilët historia oh sa tinëzisht atyre ua kish kthyer shpinën mes aq padrejtësive, të cilët diplomacia e fshehtë i tallte edhe aq fort i përbuzte profkave e qesëndive, e të cilëve fati kurrë nuk u buzëqeshte dot prej nëperkave, hileve edhe sehireve, që hisen e diellit zënë ua kishin aq egërsisht-si përbindshat e mitologjive antike, e ansambletë e mjekrrave të thinjura të diplomacisë hipokrite në kurthet cinike- të shekujve të kaluar sa nuk i shpallnin të mallkuar nëpër konferencat djallëzore, se me hapat e shekujve rendnin dhe vinin ata, errësirën e gjatë duke e ndriçuar,me dritën e diellit vinin ata e me librat e tyre në duar bartnin tej fjalën e bekuar, që të mos kishte më as skllevër, dhe as bij skllevërish, e kurrë më të nënshtruar.

Dhe u ngritën atje lart, u ngjitën sipër piadestalit nën urdhërat e veprimit hyjnor, sa shumë popuj liridashës ata sot i mbajnë në zemër dhe librat e tyre nëpër dorë: Xhorxh Uashingtoni dhe Linkolni, Udrou Uilsoni e Xhon F. Kenedi, e Nestor i urtë e me ballët lartësuar Klintoni njerëzimit i vie si himn dhe lirisë i vë kurorë, këta promethej të ri të vizionit njerëzor, vigajtë e mendjes dhe kalorësit e lirisë,  këta korifej të paqes e sogjetarë amshimi, lart Panteonit, sytë drejt ardhmërisë,  dhe sa herë që kah ata dhe kah veprat e tyre e kthen prore mendjen njerëzimi, u falet përunjësiht, në shenjë të thellë respekti, mirënjohje, nderimi e admirimi.

Amerika s’pyet asgjë për vetvete, përpos për të drejtën që e ka për të pyetur për njerëzimin”                                                                                      (Udrou Uilson)

 

Poemë është emri i tij. Poemë që krahët i shtrinë qiejve dhe kontinenteve, shtigjeve të pafundshme të paqes dhe dashurisë mes popujve. Urë në mes dy shekujve është emri i tij, legjendë e gjallë që shpresat i ngjallë, urnë e eshkë e unor me strall. Këngë lirie e sogjetar amshimi është emri i tij, mes qiellit dhe tokës, mes ëndrrës dhe shpresës, fanar lirie është Ai.

Ogur i bardhë është Ai, misionar dhe vizionar i paqes, këngë e lashtë lahutash, plis i bardhë drejt qiellit e këngë shekujsh është emri i tij.

Urë që lidh brigjet e Adriatikut me brigjet e Atlantikut, është Ai.

Flamur që valvitet në horizontet e ardhmësisë së kombeve tona, është Ai.

Poemë lirie është emri i tij, himn për njerëzimin është emri i tij.

Ai, burri i kombit e burri i botës, që tok me Uashingtonin, Linklonin dhe Uilsonin, lirinë, të vërtetën dhe drejtësinë – një i ngritën lart me perëndinë.

Vallë, kush si Ai, zërin e një kombi të vogël dëgjoi, një komb i vogël në numër por aq i lashtë në gjakimin e tij për liri; qëkur Dom Ndre Mjeda shkroi me flatrat e fjalëve shqipe, ankthin e të gjithë brezave dhe gjeneratave:

Të lumtë, o Uashington! U zhvillat qiella…Lirin’ e keni ju! Na hekra kena,

“Zoti është dashuri”. Bill Klinton: Jeta ime. Kapitulli 50, fq, 846

 

Kur shpresa si një ëndërr e venitur, bashkë me lotët të ardhmen zë dhe fton,

e kur agimi zbardh si një ëndërr e bardhë-mbështjellur zë edhe zbardhëllon,

në krahët e fluturave rrijnë agsholet ku një emër zemrat peshë nderimit çon,

emblemë e bardhë me vulë të kohës, libër i hapur si një meteor: Bill Klinton.

 

Kur koha flet me zërin e vet dhe kur ëndrra vie dhe bëhet bardhësi e dashuri,

kur zemrat mbushen jetë e hov e vrull të ri, e kur qiellit yjet në flakërim fton,

aureolë e paqes shfaqet sipërfaqes e gjithë madhështi ngjitet lart në kaltërsi,

epokë në vete që shekujt mbrujnë denjësisht n’histori emrin e tij:Bill Klinton.

 

Kur e djeshmja i flet zëshëm të sotmes dhe e sotmja zë e nis të përshpërisë,

fillin e vet me fjalë fluturake e nis thellësive të kohës tek lashtësive mburon,

kur kokën e kthen nga e kaluara, e sotmja vetveten si Nositi zë e zogjtë i nis,

në gjakimin sa fisnik dhe njerëzor për paqen e për të ardhmen: Bill Klinton.

 

Kur paralaksë e dashurisë paqja zë e shfaqet madhnisht si një himn njerëzie,

kur vie nga thellësite e shekujve si një promemorje që përherë veten naltson,

kur rri si përmendore e si një vepër vigane në sfidë të të gjitha padrejtësive,

kujtesa kombëtare himne i thur edhe përjetësisht ate e nderon: Bill Klinton.

 

Kur shfaqet re e zezë në qiellin kuqezi ndër shekujt shkabës sonë t’përgjakur,

kur shami e valles e tingujt e lodrës hyjnite ilire sërish mëton qiellit që t’i fton,

kur tufët e kuqe të opingave mbajnë vetëtimat në ritmin e tyre iso e përflakur,

kësulë e bardhë ngritet krenare drejt qiellit tek denjësisht naltson: Bill Klinton.

 

Kur errësirë e shekujve ecën tinëzisht në majet e stërholla të vet gishtërinjve,

e kur kohët ziliqare tok me netët tinzare sulen trungut ilir: prapë tek kafshon,

kur hidhet e përdridhet kufirit-tek përvidhet hija e lashtë e atyre gjarpërinjve,

nëpër këngët e lahutave e në veprat e artistëve ai tok me ne rron: Bill Klinton.

 

Kur paqja rri e brishtë si një sorkadhe e trembur keq në hapësirat ballkanike,

e kur pëllumbat e paqes prapë i trazojnë sa herë qe urrrejtja errësirën e fton,

kur ikonat mesjetare e hijenat hileqare kurthe u ngrejnë ideve euro-atlantike,

në pëllëmbët e duarve edhe në gjurmët e kohës prapë zë e vie ai: Bill Klinton.

 

Kur mijëvjeçarëve zë e u bën sfidë shekulli i ri që paqen ai ia fali plot dhunti,

kur varganit të kohës si në një vargmal vigan i shkëlqen firma si konstelacion,

kur si një rrufepritës në mes të vetëtimave edhe rrufeve bie fjala e madhe e ti’

paralaksë dashurie paqja, e konstelacion yjesh që prore flakëron: Bill Klinton.

 

Kur rafalet këpusin prapë lulet e kur lulëkuqet në gjak sërish vijnë e na mbijnë,

kur korbat bien mbi shqiponjat e kur terrin agu prapë n’zbardhëllim zë e zbon,

kur Dardaninë si diell dardanësh fatosat e kombit sërish dijnë që ta përtërijnë,

koha mba plisin e bardhë mbi vetull dhe zemra gjithmonë nderon: Bill Klinton.

 

Kur shamibardhat mermerin mbi kurmet e dëshmorëve larë me lotët e puthin,

kur lotët pikojnë faqeve, e dhembja e çanë gurin në ofshamën që nuk mbaron,

kur eshka fton strallin e kur zjarrin si flakadan e nxjerr si llavë përmbi prushin,

stendat e muzeut krahanor, me shkronjat e emrit të tij na mbushen: Bill Klinton.

 

Kur nis me zë përjtësie e kur fjala në yllësinë e saj i vie sikur shenjë pavdekësie,

kur bie agimi përmbi dheun e të parëve si nje diell që përmbi ballë zë e vezullon,

kur breznitë orëmira e ngrejnë përmbi breznitë orëzeza veçse një flamur lavdie,

himn për njerëzimin e Nestor i urtë që koha me shekujt vetë bekon: Bill Klinton.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …