Xhevat Bislimi

Xhevat Bislimi: Lufta kundër Luftës Çlirimtare II

Fushata e organizuar dhe financuar mirë kundër Luftës Çlirimtare pas mbarimit të Luftës

Me të mbaruar Lufta Çlirimtare, ashtu si mbaroi me ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovën shqiptare u vendosën trupat e KFOR-it, Administrata e OKB-së,-UNMIK-u dhe organizata tjera të përbëra nga miq, armiq e kundërshtarë të lirisë dhe pavarësisë-shkëputjes së Kosovës nga Jugoserbia! E drejta është që trupat e NATO-s dhe UNMIK-u do të duhejë të ishin vendosur në Serbi, sepse ajo ishte shkaktarja e të gjitha konflikteve dhe luftrave të përgjakshme në Iliri (Ballkan). Raporti i forcave midis fuqive të mëdha ishte i pafavorshëm për këtë zgjidhje që do të garantonte paqe, siguri dhe qëndrueshmëri afatgjate në rajonin e trazuar. Ardhja dhe instalimi, sidomos i KFOR-it dhe Administratës së OKB-së (UNMIK) në Kosovë e jo në Serbi i dha mundësi Serbisë që ta marrë veten dhe të riorganizohet për ta sabotuar dhe luftuar lirinë e fituar me lumenj gjaku të Kosovës. Mënyra më e mirë ishte përmes pakicës serbe, kishës ortodokse dhe trashëgimisë së pretenduar kulturore “serbe” në Kosovë! Në këto çështje ajo pati përkrahjen e UNMIK-ut, OSBE-së dhe qendrave të ndryshme të vendosjes në botë, sidomos të aleates së saj Rusisë, por edhe të Kinës e të disa vendeve që hiqeshin si mike të Kosovës, por që prapa krahve i bënin gropën. Pas tri katër vitesh, sidomos nga viti 2004, Serbia kaloi në oafanzivë politike, propagandistike, ekonomike, agjenturore e diplomatike kundër Kosovës dhe lirisë së saj.

Fushatë e organizuar propagandistike, politike dhe represive u bë sidomos kundër luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së. Kjo fushatë shumë shpejt mori përmasat e gjuetisë së shtrigave. Serbia hartonte e dorëzonte dosje dhe bënte me gisht ndaj luftëtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, ndërsa UNMIK-u (më vonë EULEX-i) dhe gjykatatë e tij i arrestonin, i keqtrajtonin dhe dënonin me “fakte” dhe “prova” tërësisht politike, të sajuara në kuzhinat shoviniste serbe! Serbia ngadal, por sigurt po kthehej nga agresore dhe vrastare në “viktimë”! Mbështetje dhe jatak i butë i kësaj fushate kundër Luftës Çlirimtare u bënë edhe disa qarqe politike e disa medie të njohura për të kaluarën e tyre titiste e kolaboracioniste. Në të mirë të kësaj fushate ishte edhe qëndrimi që mbajtën disa emra (figura!) që kishin përvetësuar kapitalin dhe lavdinë e Luftës Çlirimtare të LPK-UÇK-së! Grykësia e tyre për pasuri e pushtet pa shtet dhe bashkëpunimi i tyre me “ndërkombëtarët” ua mbylli gojën dhe ua mori zemrën e “fuqinë” e kundërshtimit! Me një fjalë për ofanzivën serbe kundër Kosovës para e pas pavarësisë ishin krijuar rrethana lehtësuese!…

Institucionet e Kosovës para e pas pavarësisë dhe Lufta Çlirimtare

Menjëherë pas çlirimit të Kosovës (me kufijtë e sotëm!) nga forcat pushtuese serbe u krijuan edhe partitë e reja politike që thirreshin në vlera të Luftës Çlirimtare të UÇK-së. Madje, këto e mbanin veten si parti të dalura nga Lufta Çlirimtare! Njëra prej tyre ishte Partia Demokratike e Kosovës, e cila udhëhiqej nga Hashim Thaçi. Kjo parti ishte pjesë e të gjitha qeverive të pas luftës, ndërsa kryetari i saj, Hashim Thaçi, që kishte përvetësuar gjithë meritatë dhe gjithë lavdinë e Luftës së LPK-UÇK-së, ishte dy herë kryeministër, pastaj ministër e tash edhe kryetar i Republikës së Kosovës. Nga kjo parti ka qenë kryeministër edhe Bajram Rexhepi, pastaj Jakup Krasniqi ishte ministër, kryetar i Kuvendit të Republikës etj.. Edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt ishte pothuajse pjesë e secilës qeveri! I solla këto të dhëna për të provuar se këto parti, që mbaheshin si “të dalura nga lufta” nuk i përmbushën pritjet e veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe popullit atdhetar shqiptar. Të dhënë pas pasurisë, lavdisë dhe pushtetit harruan nga ishin nisur, ku kishin arritur dhe ku duhet të shkonin! U bënë peng të përfitimeve dhe pasurive jolegale! Lavdinë e LPK-UÇK-së dhe të kombit shqiptar e bënë dhe e shpallën si lavdi të tyre personale!? Shkuan deri aty sa edhe themelimin e Ushtrisë Çlirimtare e personalizuan, e privatizuan dhe e shpallën meritë dhe sukses të tyre individual!? Nuk kishte gjë më irituese dhe më të ulët në kuptimin moral se deklarimet e dhëna në Kuvendin e Republikës ose në medie në stilin: “Unë e kam themeluar UÇK-në”!? “Unë e kam bër luftën”!? Me këtë dukej sheshazi se morali, ndërgjegjia dhe modestia ka rënë në fund të këmbëve të tyre… Edhe fushata e zgjedhjeve, edhe akademitë, rivarrimet, shënimet e përvjetorëve të betejave të UÇK-së etj. shfrytëzoheshin maksimalisht dhe poshtërsisht për përfitime e për fuqi politike! Por, nuk e nxirrnin ligjin për mbrojtjen e vlerave të Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe nuk e nxirrnin ligjin për veteranët, invalidët, dëshmorët e të zhdukurit e luftës! I njëjti avaz edhe pas Shpalljes së pavarësisë së Kosovës! Nuk e sollën Kmandantin Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, në Prishtinë!!! Mezi, pas shumë vitesh, u bë një ligj i dobët dhe me plotë pasaktësi për veteranët, invalidët, dëshmorët…

Ligji që përjashtoi dhe mohoi themeluesen e UÇK-së,-LPK-në

Ligji u bë me plotë dobësi e pasaktësi! Mbase jo rastësisht! Gabimi i parë i madh dhe i pafalshëm për propozuesin e ligjit, që ishte Hashim Thaçi (qeveria e tij!), dhe miratuesit e tij (deputetët, Kuvendi) është përjashtimi dhe mohimi i LPK-së nga ky ligj! Të përjashtosh dhe të mohosh me ligj ideatoren, organizatoren, themeluesen dhe drejtuesen e Luftës së armatosur çlirimtare,-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,- Lëvizjen Popullore të Kosovës përbën krim ndaj të vërtetës historike dhe ndaj gjithë atyre djemëve e vajzave, grave e burrave që morën përsipër dhe e mbajtën në supet e tyre përgjegjësinë dhe barrën e rëndë të Luftës së armatosur çlirimtare! Në atë ligj do të duhej të shkruhejë shprehimisht se “Lëvizja Popullore e Kosovës ishte themeluese dhe drejtuese e Luftës së armatosur të UÇK-së dhe të kombit shqiptar për çlirimin e Kosovës”. Ky formulim i drejtë dhe i saktë do të “prodhonte” kategorinë e veteranëve “themeluesë të UÇK-së” ose “veteranë të LPK-së”. Nga ky gabim-krim doli gabimi tjetër: “veteranë të Fondit “Vendlindja thërret”! Ndërsa dihet botësrisht dhe e verifikueshme lehtësisht se edhe Fondin e ka themeluar Lëvizja Popullore e Kosovës.

Me këtë ligj është falsifikuar edhe viti i themelimit-emërtimit të forcave-njësive të armatosura të LPK-së në Ushtri Çlirimtare të Kosovës! Sipas ligjit hashimçe, sot kemi veteranë të UÇK-së të vitit 1991! Ndërsa njësitë dhe grupet e armatosura çlirimtare të LPK-së me emrin UÇK janë emërtuar më 17 Nëntor 1994. Kjo datë edhe është data e themelimit të UÇK-së. Të vërtetë tjetër as nuk ka dhe as nuk mund të ketë. Luftëtarët e para kësaj date mund të ishin dhe duhet të ishin veteranë të LPK-së (krahu i armatosur) ose më saktë “veteranë themeluesë të UÇK-së.

Këto përpjekje për të falsifikuar të vërtetën historike dhe shkencore janë vazhdimësi e angazhimeve dhe përpjekjeve të bashkërenduara dhe sistematike për degradimin e Luftës Çlirimtare. Në funksion të këtij angazhimi sistematik për degradimin e Luftës  ishte edhe krijimi i Komisionit për verifikimin e kërkesave dhe aplikacioneve për veteranë, invalidë, dëshmorë… Kryetar i Komisionit u “emrua” nga Hashim Thaçi, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Agim Çeku! Formularin e parë për veteranë e plotësoi (kush tjetër?!) “themeluesi” i UÇK-së, Hashim Thaçi! Me këtë rast ai bëri thirrje publike që “të aplikojë për veteranë edhe ai që ka dhënë një gotë ujë për Luftën”! Kjo ishte si të hapje konkurs publik ku mund të konkurronte secili qytetar! Përveç kësaj, Hashim Thaçi në shumë tubime zgjedhore e në shumë fjalime tjera kishte thënë se “e gjithë Kosova ka qenë UÇK”! Me një fjalë ishte Hashimi ai që i kishte hapur dyer e dritare për secilin që dëshironte të bëhejë veteran! Shumë u bënë edhe invalidë pas lufte! Pati që u bënë edhe dëshmorë pas lufte! Komisioni, sidomos kryetari i tij, edhe sipas porosive politike që kishte marrë nga vet Hashimi, i miratonte dhe nënshkruante pa ndonjë verifikim kërkesat e njerëzve për veteranë, invalidë e dëshmorë! Aplikimi dhe angazhimi për ta fituar statusin e veteranit e invalidit nga një përqindje e mirë e njerëzve u bë edhe për shkaqe të gjendjes së tyre të rëndë ekonomike e sociale. Ishte kjo qeverisje që i kishte sjell në këtë gjendje dëshpruese qytetarët tanë.

   Më e pafalshme për këtë komision të Hashimit është dhënia e statusit të veteranit ose invalidit edhe atyre që ishin të angazhuar me fjalë e me shkrime (propagandë), me sjellje e me veprime kundër Luftës Çlirimtare, sepse ishin në anën tjetër, ishin bashkëpunëtorë të Serbisë! Ishte pikërsiht Hashim Thaçi (kryeprotagonisti) dhe grupi i tij që për përfitime politike dhe elektorale ishte marrë vesh me kreun e LDK-së që të bëheshin veteranë me një të rënë të lapsit edhe mijëra “luftëtarë” (struktura) të LDK-së që kishin organizuar “ministrinë e mbrojtjes” në fillim të viteve të nëntëdhjeta (për qëllime paqësore!)! Veteranë, me kutin e Hashim Thaçit, u bënë edhe shumë të tjerë që gjatë viteve të Luftës ishin përpjekur pa sukses të organizonin disa struktura e formacione kundër Luftës Çlirimtare! Një pjesë e këtyre strukturave dhe e këtij formacioni ishte ruajtur me fanatizëm për ta “pushtuar” Kosovën pas çlirimit! Edhe këta dainj janë bërë veteranë! Askush nuk i përgojonë këta! Sepse mediet e kontrolluara dhe të financuara nga të huajt dhe bashkëpunëtorët e tyre mafiozë, sahalëpirës e të korruptuar janë të zëna me përgojimin dhe fushatën e egër kundër Luftës Çlirimtare, lirisë së Kosovës! Shigjetatë e helmit i janë drejtuar Luftës Çlirimtare dhe asaj që e organizoi dhe drejtoi atë,-LPK-së!

Të gjithë bashkë kundër Luftës Çlirimtare

Lufta Çlirimtare e LPK-UÇK-së dhe e kombit shqiptar u përfundua me dëbimin e tërësishëm të forcave ushtarake e policore dhe administratës, së tij pushtuese. Dëbimi i Serbisë nga Kosova u ndihmua dhe shpejtua nga bombardimet e NATO-s. Fitorja ishte e plotë. Mirëpo, vendosja e KFOR-it, UNMIK-ut, OSBE-së dhe e shumë organizatave (jo)qeveritare e shërbimeve sekrete krijoi “klimën” e duhur për riorganizimin e gjithë rrjetit të spiunazhit dhe të bashkëpunëtorëve të pushtuesit në Kosovën shqiptare! Serbia pak nga pak po “rehabilitohejë”! Krimet, terrori, masakrat dhe gjenocidi (edhe spastrimi etnik “kualifikohet” si gjenocid) serb po “harroheshin” nga prania ndërkombëtare dhe nga mediet e nga partitë shqiptare që e kishin “bishtin e zënë” nga e kaluara e tyre kolaboracioniste ose nga e tashmja e korruptuar me pasuri e përfitime jolegale e kriminale! Kështu muaj pas muaji e vit pas viti po kompletohejë “orkestra” antishqiptare! Klasa politike (e reja dhe e vjetra) dhe mediet e kontrolluara prej tyre e prej të huajve ishin bërë robër të konceptit antishqiptar  të një Kosove të “hapur ndaj Shqipërisë dhe ndaj Serbisë”! Populli shqiptar i Kosovës dhe vullneti i tyre për pavarësi dhe shkëputje të plotë nga Serbia ishte harruar! Temë e përditshme ishte pakica serbe dhe trashëgimia fetare e kulturore “serbe” në Kosovë! Zgjidhja kërkohejë te krijimi i një entiteti territorial e politik serb në Kosovën shqiptare! Por, kjo nuk mund të thuhej hapur në vitet e para të pas luftës… Nisi me krijimin e enklavave serbe, pastaj vazhdoi me krijimin e komunave “serbe”, në emër të “decentralizimit”, dhe me “zonat e mbrojtura”! Në fund të këtij procesi tërësisht antishqiptar erdhi marrëveshja e Brukselit për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe (entitetit territorial e politik serb) dhe bisedimet (që po vazhdojnë!) për interesat e Serbisë në Kosovë në stilin “edhe ajo duhet të fitojë diçka”!

   Për ta mirëmbajtur dhe siguruar këtë proces kërcënues për lirinë e Kosovës shqiptare bëhejë propagandë, agjitacion, fushatë arrestimesh, dosjesh, hetimesh e dënimesh ndaj luftëtarëve të lirisë dhe ndaj vetë Luftës Çlirimtare! Kjo për arsye se bota nuk ishte e gatshme të pranonte fajet dhe krimet që kishte bërë ndaj kombit shqiptar dhe Shqipërisë, duke e copëtuar atë në pesë shtete! Krijimi i shtetit të dytë shqiptar, Kosovës, do t’i prishte ekuilibrat e vendosur në Iliri-Ballkan nga Fuqitë e Mëdha! Prandaj, një Kosovë më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi-shtet (“e hapur ndaj Shqipërisë dhe ndaj Serbisë”!) ishte “zgjidhja” e pranueshme! Në funksion të këtij projekti u vunë maca e kuca, zagarë e zuzarë! Për këtë qëllim u “organizua” në heshtje edhe zbrazja e Kosovës, shpërngulja masive e shqiptarëve, ndërsa vaji bëhejë për shpërnguljen e serbëve! Në këtë kuptim mund të konludojmë se ata tashmë nuk e kishin me Luftën Çlirimtare, por me frytin e saj: lirinë e Kosovës dhe shkëputjen e saj nga Serbia, të cilën nuk mund ta përfytyronin, ta duronin dhe ta toleronin të plotë!…

Çështja e veteranëve

Për degradimin e Luftës Çlirimtare dhe për ta shtyrë projektin e tyre anti Kosovë u sajua edhe “çështja” e veteranëve! Komisioni i Qeverisë nxori rreth 60 000 veteranë të UÇK-së. Ishin pak si shumë. Kishte edhe të pamerituar! Kishte në ato lista edhe të tillë që kishin qenë të angazhuar kundër Luftës Çlirimtare! Po kush ishte përgjegjësi? Ishte Komisioni që bëri verifikimin dhe Kryetari i Komisionit. Kush e themeloi Komisionin? E themeloi Qeveria e Republikës së Kosovës. E pra, ky Komision i përgjigjejë Qeverisë, prandaj ajo ka përgjegjësitë e saj. Tek e fundit, Qeveria mund ta shkarkonte atë Komision dhe të emronte një Komision tjetër për (ri)verifikim, siç bëri me Komisionin për demarkacionin me Malin e Zi! Mirëpo, Qeveria, (para)politika dhe dreqi e i biri nuk donin verifikim, nuk donin drejtësi, nuk donin vlerësimin e Luftës Çlirimtare, por angazhoheshin dhe kishin për qëllim zhvlerësimin e Luftës dhe të luftëtarit të lirisë në sytë e popullit dhe të botës! Po të donin do të bëhej lista e saktë e veteranëve. Dihet saktë kush ku ka qenë gjatë luftës e para saj, kush çka ka qenë dhe kush çka ka përfaqësuar para dhe pas luftës… Për këtë duheshin (anti)mediet, prokurorët politikë, parapolitika, organizatatë (jo)qeveritare, shërbimet e nëntokës dhe gjithë llumi antishqiptar! Sipas kësaj fushate, që vazhdon edhe sot, kjo “armatë” e veteranëve po e shkatërron shtetin, po e bankroton me ato ndihma sociale që po përfiton! Kroacia ka 505 000 veteranë dhe nuk e ka bër “çështje” shtetërore punën e veteranëve. Edhe atje thuhej se pas mbarimit të Luftës, sipas Tuxhmanit, kishte 360 000 luftëtarë. Bile edhe kjo shifër nga njohësit e asaj lufte kundërshtohet, sepse thonë që nuk ishin më shumë se 150 000 luftëtarë. Republika Serbe i paska 60 000 veteranë! Çfarë lufte bënë serbët e Bosnjës dihet!…

Po kthehemi në vendin tonë, në Republikën e Kosovës. Sipas të dhënave të përafërta Jugoserbia në Kosovë kishte rreth 60 000 bashkëpunëtorë të niveleve, profileve dhe shtresave të ndryshme! Të gjithë këta janë shëndosh e mirë! Asnjërit prej tyre nuk i ka munguar as qimja e flokut. Nuk janë nxjerr ligje dhe as nuk pati drejtësi tranzicionale për “verifikimin” e tyre! Amerika i kishte shkuar në “skaner” 200 000 japonezë pas Luftës së Dytë Botërore. Deri edhe mësuesit që kishin indoktrinuar fëmijët e rininë japoneze i kishte larguar nga puna. Kryeministrin dhe gjashtë zyrtarë të lartë japonezë i kishte varur në litar për përgjegjësit e tyre politike e shtetërore gjatë luftës. Mijëra të tjerë ishin dënuar… Ndërsa te ne, jo vetëm nuk u dënua kush, por të gjithë këta dhe fëmijët e tyre kanë zënë e rizënë pozita në drejtësi, në administratë, në polici, në FSK, në politikë, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në medie… Asnjëri prej tyre nuk është pa punë! Të gjithë këta marrin rroga të majme dhe gëzojnë privilegje në Republikën që nuk e deshën, madje e luftonin dhe e luftojnë edhe nga pozitatë që mbajnë sot! Pastaj, administrata e Kosovës numron rreth 80 000 veta! Po të matet me të gjitha standardet dhe kriteret del që mbi 30 000 janë tepricë dhe marrin rroga kot! Në këtë shtet edhe mijëra serbë marrin rroga të majme për të propaganduar dhe vepruar kundër Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj! Një pjesë e mirë e tyre kanë qenë edhe pjesë e represionit, e terrorit dhe gjenocidit mbi shqiptarët! Nuk po flasim këtu për klasën politike dhe shtetërore që, bashkë me praninë ndërkombëtare, shkatërruan ekonominë, industrinë (sado e varfër që ishte) dhe pasuritë e Kosovës! Në fund të fundit shteti ka detyrim që qytetarit të tij t’ia sigurojë një minimum jetese… Kur shteti nuk i përmbushë detyrimet e tij, atëherë qytetari është i shtrënguar nga varfëria të shfrytëzojë të gjitha “shtigjet” për të siguruar një kafshatë buke. Një pjesë këtë kafshatë buke kanë menduar ta sigurojnë duke u bërë “veteranë”! Kuptohet me miratimin e Komisionit qeveritar! Një përqindje e madhe e qytetarëve tanë “shpëtimin” nga gjendja e rëndë dhe e pashpresë, ku e ka katandisur qeverisja e korruptuar, e paaftë dhe kriminale, po e kërkojnë duke ikur nga vendi! Më shumë shqiptarë kanë ikur nga Kosova pas Luftës se para saj! Pse po ikin? Për të përfituar të paktën një ndihmë sociale, një minimum jetese në vendet e zhvilluara, por edhe me shpresën që një ditë do të fitojnë të drejtatë e tyre në ato vende edhe për punë etj. Qytetarët e Kosovës po ikin për të siguruar mbijetesën dhe me shpresë e besim më shumë te vendet e huaja se në vendin e tyre! Pra, bota paska “detyrim” me u dhënë një copë bukë dhe një strehë e shërbime tjera qytetarëve tanë, ndërsa Republika e Kosovës (vendi i tyre) nuk paska asnjë detyrim ndaj tyre! Ky nuk është vetëm turp, se këta turpin e hanë me mish e me verë, por ky është krim që po bëhet ndaj këtij populli…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Masakra, krime dhe marrje peng e popullatës civile nga forcat okupatore. (E martë 27 prill, 1999)

Sot sikur ka filluar të përmirësohet moti. Qysh në mëngjes janë ngritur aeroplanët e NATO-s …