leoni

Sabit Brokaj

Xhevdet Shehu: Dr. Sabit Brokaj është ndër intelektualët më të angazhuar, por edhe më konsekuent në qëndrimet e tij

(Kjo intervistë e z. Xhevdet Shehu është marrë “Dita”)

Megjithëse i tërhequr prej disa vitesh nga politika aktive, Dr. Sabit Brokaj është nga ndjekësit më të vëmendshëm të zhvillimeve politike në vend dhe ndër më racionalët në gjykimin e skenës politike shqiptare. Nëpërmjet opinioneve dhe intervistave që ai jep në vijimësi në shtypin shqiptar, ai ka treguar se është jo vetëm ndër intelektualët më të angazhuar, por edhe më konsekuent në qëndrimet që mban. I majtë? Pa dyshim. Por kjo nuk e pengon që të jetë edhe kritik ndaj shumë zhvillimeve që ai mendon se mund të bëheshin e të bëhen më mirë. Dr. Brokaj pranon se nën qeverisjen e majtë kanë ndodhur shumë ndryshime pozitive përpara, por premtimet nuk janë mbajtur plotësisht. Si ish-ministër i Mbrojtjes, ai vlerëson analizën e Kolonel Dilaver Goxhajt për domosdoshmërinë e reformimit dhe ringritjes së ushtrisë shqiptare që u shkatërrua plotësisht nga qeverisja e Sali Berishës. Pse ai mendon se mbushja e administratës vetëm me të rinj e të reja dhe largimi i njerëzve me përvojë është një gabim i rëndë i Ramës, ndërsa rithekson gabimin e madh që u bë me ndryshimet kushtetuese në vitin 2008, i cili ka kushtuar aq shumë politikës dhe punëve të shtetit.

Ndaj opozitës që, sipas tij, vazhdon të orkestrohet nga Sali Berisha, është tejet kritik deri në injorim. Sipas Dr. Brokajt, një opozitë e tillë nuk i duhet vendit. E në qëndrimet e tij ai është sa i paanshëm, aq dhe i pamëshirshëm, kur vjen puna për mbrojtjen e interesave kombëtare. Këtë profil tashmë të njohur, ai e shpërfaq edhe në këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’ në 5-vjetorin e qeverisjes socialiste nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama.

 

– Doktor, cili është perceptimi juaj për këto pesë vite të qeverisjes nën drejtimin e Edi Ramës? Është kjo një qeverisje e suksesshme apo e dështuar?

– E kam ndjekur me vëmendje debatin në DITA dhe më ka pëlqyer analiza e shumanshme e qeverisjes socialiste. Qeveritë janë lehtësisht të kritikueshme dhe mua më pëlqejnë kur bëhen kritika objektive dhe realiste, kur bëhen me dëshirën e mirë për të përsosur punët dhe për t’u bërë më e mira e mundshme. Mjafton të bësh krahasimet midis premtimeve në fushatat zgjedhore dhe realizimeve në fund të një mandati qevrisësës.

Është e lehtë ta denigrosh një qeveri, qoftë dhe Edi Ramën, por ne kemi parë se ka pasur qeveri që e kanë çuar vendin në pragun e luftës civile dhe kanë sjellë të këqija të panumërta. Unë nuk hyj ndër ata që e ngjyejnë furçën me bojë të zezë. Unë i shikoj gjërat me objektivitet dhe mendoj se kjo është një qeverisje normale, me arritjet dhe të metat e saj. Ka një ndryshim pozitiv me qeverisjet e mëparshme. Pse e them këtë?

Po marr vetëm një tregues, turizmin. Rritja e ndjeshme që ka pësuar ky sektor gjatë këtyre viteve është shumë domethënës. Turizmi tregon se ky vend përveç resurseve të shumta, ka stabilitet dhe ecje përpara. Nuk të vjen turisti na ana e anës, nëse këtu i rrezikohet jeta apo nëse nuk gjen ato shërbime të nevojshme për pushime.

Prandaj dhe unë anoj më shumë nga pozitiviteti, se gjatë këtyre viteve të qeverisjes socialiste kemi një qeverisje të mirë, normale, pavarësisht se jo të suksesshme në të gjitha drejtimet e saj. Është krejt e natyrshme që të prisnim më shumë ndryshime pozitive, më shumë arritje. Por mendoni se nga e nisi punën kjo qeveri dhe do të kuptoni se Rama nuk e ka pasur hiç të lehtë.

 

– A mund të bëni ndonjë krahasim me qeverisjen e mëparshme të Sali Berishës? Pasi ka nga ata që mendojnë se kjo është një qeverisje edhe më e keqe se e Saliut?

– Jo. Unë nuk jam hiç dakord me opinione dhe krahasime të tilla. Sepse nuk mund të bëhet një krahasim i tillë. Janë dy gjëra krejt të kundërta dhe të pakrahasueshme. Është e vërtetë që ne shqiptarët e kemi shumë të shprehur shpirtin e kundërshtimit.

Mirëpo nuk duhet të harrojmë, apo duhet të kujtojmë se si e gjeti Tiranën dhe gjithë Shqipërinë Edi Rama në vitin 2013 kur erdhi për herë të parë në pushtet. Ndryshimet janë shumë të mëdha, jo vetëm në Tiranë po në të gjitha qendrat urbane. U pëlqen apo nuk u pëlqen disave, Edi Rama i bëri këto punë. Si të mos e pohojmë këtë fakt?

E pra, në analizën time unë nuk e krahasoj Edi Ramën me Sali Berishën. Unë krahasoj Edin me Edin, pra me ato që ka premtuar dhe ato që ka bërë në këto pesë vite. Ata që e kritikojnë Ramën skajshmërisht bëjnë sikur harrojnë se si ka qenë Tirana në kohën e Saliut. Harrojnë kioskat, harrojnë parkun Rinia, harrojnë Lanën dhe gjithë shëmtinë që Saliu mbolli anembanë vendit. E, Rama i fshiu dhe po i fshin përditë nga faqja e dheut këto shëmtira, si kur ishte kryetar bashkie i Tiranës dhe tani që është kryeministër, po përpiqet të bëjë më të mirën, po e fut vendin në normalitet.

Asnjëherë nuk kanë për të munguar nihislistët dhe kritizerët e sëmurë, mirëpo njerëzit me mend në kokë i shikojnë këto gjëra dhe kur vjen dita e votimit shkojnë dhe votojnë…

– Në një analizë që i bënte ushtrisë shqiptare Kolonel Dilaver Goxhaj pohonte me trishtim se Shqipëria nuk ka ushtri, pavarësisht se është një vend i NATO-s.

– Ju ‘DITA’ kishit bërë mirë që kishit marrë opinionin e njërit prej ekspertëve më të mirë që ne kemi për çështjet ushtarake, Kolonelin Dilaver Goxhaj, një ekspert ushtarak i nivelit të lartë.

Një vend anëtar i NATO-s duhet të ketë kapacitetet e veta vetëmbrojtëse. Ne nuk i kemi këto kapacitete. Pasqyrimi që i bën këtij realiteti Dilaveri, padyshim që është i saktë. Politika mund të ndryshojë me ditë, mirëpo mbrojtja, ushtria kërkojnë vite që të konsolidohen. Dhe kjo është e domosdoshme. Më pëlqeu shkrimi i tij analitik, pavarësisht ndonjë rezerve. Pse them se kam rezerva?

Sepse ndërsa i bënte autopsinë ushtrisë shqiptare dhe strategjisë së rrënimit të saj, Dilaveri anashkalonte një fakt që e njohin të gjithë. Sali Berisha e zhbëri ushtrinë shqiptare si askush tjetër në historinë e Shqipërisë. Kjo ndodhi në atë vitin e zi 1997. Mirëpo me ardhjen e socialistëve në pushtet atë vit, u bë një kthesë e madhe. U ringrit nga hiçi ushtria. Unë kam qenë ministër i Mbrojtjes në atë kohë. E them me plot gojën se ne e ringritëm ushtrinë. U vu rregulli dhe rekrutimi. Ushtarakët tanë u mobilizuan si asnjëherë dhe ngritën nga e para repartet dhe godinat.

Bëmë dhe një paradë ushtarake që aleatët tanë të NATO-s i mahniti se si ne e ringritëm ushtrinë aq shpejt. Dilaveri nuk është i saktë kur thotë se në ushtri mbetën gjeneralët e Saliut. Në fakt mbetën vetëm dy, nga njëzet e ca që ngriti Saliu. Sepse ata e turpëruan dhe e poshtëruan ushtrinë në atë farë feje dhe ishte më se i drejtë vendimi për t’i larguar. Sidoqoftë, Dilaveri, pavarësisht se e kishte anashkaluar këtë fakt, ka plotësisht të drejtë kur thotë se nevoja për ringritjen e ushtrisë është emergjente. Ne na duhet ushtria.

Është një normë e NATO-s që gjithë vendet anëtare të kësaj aleance duhet të kenë aftësitë e tyre mbrojtëse. Pse, fjala vjen çfarë rreziku i vjen Greqisë nga Shqipëria kur Divizioni i Janinës është nga më modernit dhe më të fuqishmit e Greqisë. Ndërsa ne nga Tirana në Gjirokastër nuk kemi asnjë ushtar, pale më ndonjë regjiment, përveç disa skuadra zjarrëfikësish.

Nuk më duket se ne jemi as më të mençëm dhe as më të zotë se grekët, si në aspektin politik dhe atë ushtarak.

– Në analizën e djeshme, Dr. Adem Harxhi e kritikonte qeverisjen e Ramës pse e ka mbushur administratën me të rinj pa përvojë, ndërsa ka anashkaluar të moshuarit, domethënë ata që kanë përvojë shumëvjeçare në administratë dhe në drejtimin e punëve të shtetit. Ju jeni pro apo kundër kësaj praktike të Ramës?

– Më duhet të përsëris veten në këtë rast. E kam thënë disa herë gjatë këtyre viteve se kjo nuk është normale. Unë kam qenë ndër të parët që e kam kritikuar hapur këtë mendësi dhe praktikë të Ramës si të gabuar dhe jo normale. Edi Rama tha kur erdhi në pushtet se të moshuarit (dhe këtu kishte parasysh edhe ata që sa kishin mbushur 50 vjeç) se janë të ezauruar, nuk kanë më se ç’japin.

Një koncept krejtësisht absurd. Përkundrazi, këta 50-60 vjeçarë kanë pjekurinë, mençurinë dhe përvojën që është mjaft e domosdoshme. Ata janë të vetmit që do t’u transmetojnë të rinjve përvojën se si drejtohet shteti. Po të nisemi nga ky koncept i Edit (që fatkeqësisht ai e ka të ngulitur) duhet të pranojmë një logjikë të papranueshme sikur Edi para nja 15 vjetësh kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte më i mençur dhe me më shumë përvojë se sa sot kur i mbushi pesë vjet si kryeministër i vendit! Një logjikë së prapthi që ai nuk duhet ta ketë. Përndryshe do të përballet me disfata.

Unë ia kam thënë hapur që kur erdhi në pushtet: Duhet bërë një kombinim i drejtë i aftësive dhe moshave. Pavarësisht se i janë thënë hapur këto mendime, Edi Rama vazhdon në të tijën, ndaj dhe kemi këtë administratë dhe punët nuk bëhen tamam.

Kanë të drejtë të gjithë ata që e kritikojnë në këtë aspekt, pavarësisht se Rama këtë e bën me qëllim pozitiv. Intelektualët dhe njerëzit me përvojë në drejtimin e punëve të shtetit janë më se të domosdoshëm dhe kurrsesi nuk mund të shmangen. Edi Rama nuk duhet ta bëjë veshin të shurdhër ndaj këtyre kritikave që i bëhen në këtë drejtim.

– Pra ju e mbështesni qeverisjen Rama, pavarësisht gabimeve që i vini në dukje?

– Natyrisht që e mbështes. E kritikoj se duhet të bëhet më e mirë qeverisja, sepse boll kanë vuajtur shqiptarët. Kanë kaluar afro 30 vjet nga përmbysja e regjimit komunist dhe shqiptarët kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë, kanë pësuar gjema të papara e të padëgjuara ndonjëherë si në vitinm 1997…

Por mendoni ju lutem se si e gjeti këtë shtet Edi Rama. Ai gjeti një shtet dhe një administratë krejtësisht të rrënuar, të shkatërruar dhe nuk e kishte aspak të lehtë vënien në punë të mekanizmave të këtij shteti. Ka bërë edhe gabime, natyrisht, por Edi e vuri shtetin në funksionim.

Kjo është e rëndësishme të thuhet. Kritikat që i bëhen ai duhet t’i marrë seriozisht për ta bërë më efikase qeverisjen. Ai e nisi nga hiçi,madje nën kuotën zero dhe ka arritur një optimum normal dhe madje të kënaqshëm në shumë aspekte. Pra, duhet ta kritikojmë këtë qeveri për ato që nuk ka bërë ose që i ka bërë keq, por duhet t’ia themi edhe të mirat, ato që ka bërë me përkushtim dhe që i pranon shumica e qytetarëve. Mjafton të themi se fitorja e socialistëve një vit më parë ishte më e thellë se ajo e 2013-s. Po të mos ecte në rrugën dhe kahun pozitiv, shqiptarët nuk do ta votonin në shumicë Edi Ramën.

Kjo prirje mua më duket pozitive dhe me atë gjendje katastrofike dhe mjaft dëshpëruese që shikoj në kampin opozitar, mendoj se edhe në zgjedhjet e ardhshme e majta ka për të fituar edhe më thellë. Por kjo mbështetje Edi Ramën duhet ta motivojë për t’i bërë gjërat më mirë se deri tani dhe jo të vazhdojë me kokëfortësi të thellojë gabimet në ato fusha ku duket që larg se punët nuk po ecin ashtu si duhet.

– Kjo duket edhe në parlament. Kemi deputetë anonimë që kurrsesi nuk përfaqëson elektoratin. Apo jo, Doktor?

-Përsëri më duhet të përsëris vetveten. Kam qenë ndër ata që kanë kundërshtuar me shumë forcë në vitin 2008 ndryshimet kushtetuese që sollën gjithë këto pasoja të tmerrshme.

Prandaj dhe ne kemi këtë parlament jo dinjitoz. Të gjithë e konstatojnë këtë gjendje anormale, madje dhe vete kryetarët që bëjnë listat e deputetëve e thonj hapur këtë, por situata vazhdon po ajo.

Kjo gjendje duhet të ndryshojë. Ne si qytetarë të këtij vendi meritojmë të përfaqësohemi nga njerëz me dinjitet dhe kulturë dhe jo nga oligarkë dhe njerëz të paditur. Kjo është plotësisht e mundshme të realizohet. Edi Rama ka mundësi ta bëjë këtë.

Analistë dhe opinionistë të ndryshëm si Viktor Malaj, Bedri Islami, e të tjerë ndërsa e konsiderojnë opozitën thuajse inekzistente, janë shprehur se opozita e vërtetë e Ramës është papunësia dhe varfëria që vazhdon të thellohet dhe oligarkët që vazhdojnë të pasurohen nën bekimin e qeverisë. Ju e konsideroni të saktë këtë konstatim?

– Është një fakt që po ndodh polarizimi i shoqërisë dhe ky fenomen është thuajse i pashmangshëm në kushtet reale. Unë i kam lexuar dhe i çmoj mendimet e Viktorit, Bedriut dhe të tjerëve që kanë shkruar në gazetë me kompetencë për këto çështje.

Ata që kanë shkruar për të analizuar qeverisjen e Ramës në këto pesë vjet kanë shkruar me seriozitet, madje kanë bërë mirë edhe kure kanë tepruar ndonjëherë. I duhen kritikat qeverisë dhe i bëjnë mirë. Edi duhet t’i mbajë shënim vërejtjet që i bëhen, sidomos kur bëhen nga dashamirës dhe jo nga denigrues të paskrupullt. Unë nuk jam dakord me mendimin shumë të përhapur dhe që përsëritet mërzitshëm se varfëria po thellohet. Jo. Kjo nuk është vërtetë. Por qeveria nuk ka bërë aq sa ka premtuar për të luftuar varfërinë. Ky është fakt. Vëmendja e qeverisë për varfërinë duhej të ishte më e madhe dhe duhet të jetë epiqendra e punës së saj në të ardhmen.

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …