Ahmet Qeriqi - Romani Burgu

Zenun Gjocaj: Roman i një historie të përjetuar ( Vështrim letrar për romanin “Burgu” të autorit, A. Qeriqi) II

Në burg, Eknat Malmiri studionte karakteret e temperamentet e ndryshme të njerëzve, racave, besimeve e traditave të ndryshme. Ai mendonte se, „nëse dilte gjallë nga burgu, do të përshkruante jetën në burg, meqë kishte ç´të rrëfente… Rruga ishte e gjatë, e mundimshme, plot pengesa dhe të papritura, por ai nuk dorëzohej. Nuk dorëzohej edhe atëherë kur e fyenin, as atëherë kur mundi e trishtimi i vinin deri në fyt“ (f. 290). Këto përsiatje filozofike me domethënie, që ai i quan „meditime nihiliste për njeriun e botën e tij të papërmirësueshme“, me të cilat arrihet kulmi i meditimeve të tij që i japin veprës kuptim të thellë artistik, filozofik e shkencor, të motivuara nga vetmia në burg, ia cytnin anët e errëta të jetës njerëzore. Logjika e shëndoshë, e formësuar përmes përgatitjes së gjithanshme intelektuale e shkencore për anët e mira e të liga të jetës, e shpie autorin të gjejë edhe anët e favorshme të burgut, të cilat e ngushëllim dhe e forcojnë shpirtërisht Eknatin. „Vetmia në burg megjithatë kishte disa favore. Ofronte qetësi për të studiuar dhe për të mos menduar për hallet e të tjerëve“ (f. 227)

Karakteri i fortë i Eknatit nuk thyhet, por paksa ligështohet para vështirësive të familjarëve, torturave të ushtruara të bashkë burgosurve politikë shqiptarë, sidomos të rinj, para grindjeve, më rrallë rrahjeve të panevojshme midis tyre, por edhe në momentet kur u ishte ndaluar përdorimi i gjuhës shqipe në vizita me familjarët. Është një pasqyrë e zezë e vuajtjes së brendshme, të shkaktuara nga rrethanat e jashtme në burg e jashtë tij. Kishte edhe përsiatje të një gjendjeje gjakftohtësie ideopolitike, sidomos në atmosferë të debatimeve grupore, si ato për rrymat politike aktuale, ku autori tregon një logjikë të shëndoshë. Sipas tij „Marksizmi në praktikë sikur kishte çaluar. Marksizmi dogmatik ishte zvetënuar. (f. 303)

Përmes gojës së Eknatit jepen veçoritë e karaktereve njerëzore, psikologjike e politike të personazheve të tjerë: Bajrë Dermi kishte gjykim të matur e aftësi të logjikimit të drejtë teorik; Xhat Vaja e Shar Ala, të pathyeshëm me qëndrim militant; Met Zeri, intelektual i formuar, me kapacitete origjinale vrojtuese, me diapazon të gjerë njohurish e aftësi logjike për njohjen e fenomeneve shoqërore, historike e revolucionare; Sak Dermi ishte i sinqertë e i drejtë, por me aftësi të kufizuara e bindje dogmatike. Ndërkaq, vetë Eknati „nuk shfaqte dyshim në mësimet e dialektikës mbi botën, universin dhe parimet fundamentale të filozofisë materialiste, mirëpo kurrsesi nuk mund të pranonte marksizmin si të vërtetën e patjetërsueshme dhe të vetmen filozofi të pagabueshme…e cila kishte çaluar“ (f. 303). Pjesa e lirë e të burgosurve politikë shndërrohet në debate ideo-politike e filozofike për çështje ndër më të ndryshmet, me qëllim të gjetjes së të vërtetës mbi botën, shoqërinë e jetën e saj, me qëllim të përgatitjes për jetë e luftë të mëtejshme për liri. Këto debate, biseda e meditime lehtësonin jetën në burg, e kalitnin dhe e orientonin drejt karakterin e të burgosurit politik shqiptar në rrethanat e vështira të kazamateve jugosllave. Me gjithë mospajtimet e mëdha e të vogla ideo-politike, të burgosurit politikë ishin unikë në planin kombëtar. Eknati ishte ndër shtyllat e harmonizimit njerëzor për të gjithë ata me të cilët mund të merrej vesh, pa dallim feje e kombësie. Ideologjia e tij me shumicën sish, ishte e orientuar në drejtim të çlirimit kombëtar në radhë të parë. Ndërkaq, burgu e shpie edhe në kërkim ideopolitik, filozofik e shkencor të drejtë, me gjithë kundërthëniet e veta dialektike, në luftën e përgjithshme të së mirës kundër së keqes, në urrejtjen kundër armikut, dashurinë për atdhe e për jetë të lirë, përgjithësisht në vlera e harmoni pozitive njerëzore e kombëtare, si vlera të përhershme, që kurrë nuk veniten.

Autobiografizimi sadopak e ka larguar autorin nga intriga, konfliktuoziteti e metaforizimi i veprës. Siç thotë vetë, përmes Eknat Malmirit, autori është i vetëdijshëm për këtë, por është udhëhequr nga qëndrimi e qëllimi i paraqitjes besnike të jetës nëntokësore, në hetime, në gjykim e në vuajtje të dënimit. Pos Eknatit, personazhe pozitive janë në radhë të parë të burgosurit politikë, idealistët, profesorët e arsimtarët, (Eknati, Kadir Rrapi, Zenë Gjoni, Metë Zeri, Sheqë Zena, Sheqë Sheqa, M. Terni, Gip Reci, Jak Krasi etj, nxënës e studentë ( Id Maçi, F. Graçi, Sab Gashi, Nez Bërdynaj, Ali Haqi, Sal Uka etj.); pastaj të burgosurit e dënuar për instikte e motive të ulëta: trafikantë (Lah Gorani, Tuf Karai,), kriminel (Leshi), inspektorët e shërbimit sekret, Lut Ziu, Xhat Kaçi, Met Lumi, Has Meti), gjykatës (Sak Nishi); gardianët (Tara e Shyqi, Jaho, Braho; Grozni, Tadiq, Natasha, Monika); shqiptarë, romë, serbë, rusinë, bunjevas e hungarezë të të gjitha moshave e racave, kombeve e klasave politike e jopolitike. Të gjithë këta janë të grupuar në dy tabore: të mirë e të këqinj, pa dallim socio-etnik, të tubuar në një institucionin shtetëror serb të quajtur burg, atje ku e ka qitur fati Eknatin me shokë. Në roman e në burg, vetë jeta e burgut e të burgosurve është botë më vete, interesante, sa për ata që e kanë përjetuar, aq për ata që nuk e kanë shijuar, temë e rrallë e trajtuar në letërsi jo vetëm shqiptare. Ndarja është e thjeshtë: të mirë e të këqij, pa dallim feje, kombi e race. Në disa raste karakteristike A. Qeriqi bën portretizimin e tyre, si te Baba Nurë “Shikimi i tij djallëzor, fytyra e vrugnueme sikur e jevgut, tëmthat e përdalë në një trup të mbushur me dhjamë e përkujtonin personazhin e Mishka Koshevoit të romanit „Doni i Qetë“ të Shollohovit“ (f. 95). Kur është nevoja, edhe karakteret pozitive të kombësive të tjera i përshkruan besnikërisht, si rasti i drejtorit të burgut në Suboticë, Hegji Bella identik me fatin e popullatës hungareze që i takonte. „Një burrë i vogël, me qëndrime liberale dhe mjaft shpirtëror, ishte intelektual i mirë, që e njihte botën e jetën“. Madje edhe ndër bashkëveprimtarë lëshohej në portretizime fizike, shpirtërore e ideo-politike, ndonjëherë madje edhe me sy kritik. „Insistimi prepotent dhe imponues i Sak Dermit, teatralizmi i tij naiv folklorik, zbulonte para Eknatit një ekzemplar të një intelektuali të çuditshëm në shumë aspekte. Në anën tjetër, Sak Dermi ishte shok besnik, nuk ishte nga ata që tradhtojnë apo i bien moh si Ruzhdi Gjaku. Saku ishte në gjendje të sakrifikonte gjithëçka për shokun e burgut dhe për idealin kombëtar…“ Mbi të gjitha, autori e portretizon dhe e analizon karakterin e Eknatit, si intelektual e patriot të sprovuar, që kishte horizont të gjerë të diturisë. Ai kishte lexuar e lexonte vazhdimisht vepra të letërsisë shqiptare e botërore dhe i aktualizonte në jetën praktike…“kishte studiuar tërë babiloninë e karaktereve… dhe po hetonte një degjenerim të tmerrshëm të prishur deri në skajshmëri“. Fajin ia lente burgut ku “sundonte dhuna e pushtetit, e cila mundohej…të diskreditonte njerëzit, në mënyrë që, kur të dilnin nga kafazi, të ndërronin bindjet. Po kjo kundërshtohej në vetvete. Nëse me njeriun sillesh si me qenin, atëherë ai do të veprojë si qen, kishte thënë F. Kafka“ (f. 108). Ndonjëherë është i padurueshëm „ndaj tipave që qeshin kur duhej qajtur e qajnë kur duhej qeshur“. Karakteret e të burgosurve zbuloheshin edhe përmes dialogëve, si ai Eknat – Lluka (rom – i përkryer, por i pafat) (f. 180/1). Përballja e të burgosurve politikë intelektualë shqiptarë me horizont të gjerë dituror, me tipare humane e me vizione të lakmueshme kombëtare e njerëzore, kundruall shumicës së eprorëve të thjeshtë, formojnë në roman situata konfuze e tragjikomike. Tërthorazi lë të kuptohet se gjithherë, kur padija e padrejtësia e mbisundojnë dijen e drejtësinë, ai shtet, pushtet e ai regjim është i dënuar të dështojë. Andaj, ka aty ironi kohe e shoqërie. Tendencat për pushtime e defektet politike e historike, i asgjëson ideali e drejtësia, sepse e ka pikëmbështetje sakrificën e bartësve dhe e veprimtarëve të luftës për liri. „Paçka, nëse vdes për atdhe e liri!“

Tërë veprën përshkon triptiku: hetuesia-gjykimi-dënimi; vuajtja e atij dënimi në Gjurak, Suboticë e Novi Sad, grup-personazhet: shqiptarë-serbë-hungarezë; bunjevas, çekë, boshnjakë, malazezë karakteret: të mirë-të këqij-indiferentë etj. Së jashtmi trajtohet përditshmëria reale me ngjyrat ekzistente, ndërsa së brendshmi, ana psiko-meditative. Imazhet reale e artistike jetësohen e kaliten përmes përjetimeve të rrëfyesit nën drejtimin e autorit. Ndjenjat e rrëfimet shtresohen e reflektohen në rrafshin psikologjik e meditativ, varësisht nga situatat më pak ose më shumë dramatike. Për Eknatin, të dyja regjimet, mbyllja në vetmi edhe ajo në shoqëri, i kanë anët e veta pozitive dhe negative. Komunikimi i brendshëm rrëfimor i narratorëve nxjerr në shesh ngjyrat e manifestimeve shpirtërore.

Eknat Malmirin e karakterizon respekti e dashuria për jetë, familje, për shokë të idealit, për dije, krenaria për histori kombëtare, besimi për të ardhmen, stoicizmi ballë vështirësive, humanizmi i thellë, shpirti bujar, gatishmëria për krijimin harmonik shoqëror e njerëzor. Ka aty figura e pamje të shkëputura që krijojnë atmosferën e luftës kundër regjimit armiqësor të burgut, si sinonim i pushtuesit dhe eprorëve të tij, të luftës me vetveten, me shqipfolësit reaksionarë, me të burgosurit joshqiptarë, „supovca“ me pasione të sëmura amorale, me gjuhë banale, me karaktere motivesh të ulëta, etj. Në roman kanë gjetur pasqyrim ide, motive e probleme aktuale të burgosurve politikë. Vënia përballë e një kryepersonazhi tjetër, do ta begatonte strukturën artistike të veprës.

Është me interes përshkrimi e analiza grupore e të burgosurve në përgjithësi në burgjet ku e vuajti dënimin Eknati. Paraqitja e tij para hetuesisë është kapitull më vete, përshkruar me dialogë provokues e mjaft të vështirë. Gjeneratat shumë pak kanë njohuri për këtë procedurë hetuese, të „sigurmicave“ serbë e shërbëtorë të tyre. Procesin e hetuesisë të pasqyruar në vepër e karakterizojnë: arrestimi, marrja e shpeshtë dhe e mundimshme në pyetje, torturat fizike, injektimi për halucinacionim, ëndrrat e meditimet.

Vepra paraqet një botë të tërë të burgosurish deliktesh të ndryshme, me theks të veçantë në stoicizmin e të burgosurve politikë, një formë e luftës për liri, që përfundoi me fitore, falë rezistencës aktive të finalizuar me kryengritjen e armatosur nën udhëheqjen e UÇK-së, ku autori ishte pjesëmarrës i rëndësishëm me pushkë e me penë. Aktiviteti i pandërprerë dyzetvjeçar, ilegal militant, përgjithësisht patriotik i Eknatit, arratisja, arrestimet e disahershme, burgosjet e torturat, vuajtjet e dënimit, përshkuar nga idealet për liri, bashkë me shumë të tjerë para e pas, kurorëzuar me luftën e armatosur dhe e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, solli rezultate.

Në të shumtën e rasteve vepra përshkohet nga metafora, e shoqëruar me shprehje të rralla stilistike, herë-herë me tone lirike: „Shtëpia e tij e përjetshme (e romit Llukë, djepi dhe varri i tij, ferri dhe parajsa, ishte burgu…Vaji dhe loti, zymtësia dhe disponimi në burg janë si shiu pranveror, që bie tërë para ditën, por në mesditë rrezaton dielli“. (181) Te fundi, metaforë është vetë burgu e jeta aty në duar të armikut shekullor, por edhe në duar të vetë të burgosurve politikë, të prirë nga idealet për liri, që u jep forcë, përkundër të tjerëve me delikte nga motivet e ulëta që bëheshin rob i ligësive psikike dhe i përpjekjeve vetëvrasëse. Kështu, ideali mbetet ushqim i vazhdueshëm shpirtëror, përballë të vërtetës së pasigurt jetësore. Në këto rrethana dramatike jetësore, më së paku zë vend dëshpërimi, trishtimi e pesimizmi, sepse binte ndesh me përgatitjen e përballimin e vështirësive sakrifikuese, qoftë edhe për vdekje. Ishte një projektim praktik i pavullnetshëm i luftës për liri. (Shqiptarëve të burgosur politikë, burgu iu imponohej. As nuk e meritonin, as nuk e dëshironin).

Mjeshtri e dalluar hetohet edhe në analiza filozofike. Në këtë kontekst, romani kërkon fundin e errësirës, jo përmes mëshirës, por përmes drejtësisë si koncept i përgjithshëm. Ajo ishte në duart e kohës e të rrjedhave politike ndërkombëtare, të shqiptarëve brenda e jashtë burgut dhe në vetë stoicizmin e të burgosurve. Në hetuesi shprehet forca për të ngadhënjyer mbi dhunën. E fshehta e krijimit është inspirimi, thonë kritikët. Frymëzimi e ideali për liri, gatishmëria për flijime, forca e qëndresës janë të fshehtat e këtij krijimi. E vërteta njerëzore e liridashëse, kundërthëniet e natyrave të ndryshme, skaliten përmes rrafshit psiko-meditativ të personazheve, sidomos Eknatit, sipas rrjedhës së ngjarjeve e situatave dramatike, qofshin ato edhe në shkallë konflituoze, ku sprovohet prirja për harmoni njerëzore, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare e racore. Konflikti thjeshtësohet brenda kornizave të filozofisë biblike të luftës ndërmjet të mirës e të keqes, të kundërthënieve antagoniste dhe joantagoniste, ku vepron ligji i unitetit dhe i luftës së të kundërtave, atje ku kundërshtitë janë në luftë e në unitet njëkohësisht. Në jetën e të burgosurve dhe të eprorëve të burgut, lufta e të kundërtave nuk është në boshtin vertikal: epror-i burgosur, shqiptar-joshqiptar, serb-joserb, politik-jopolitik etj. por në boshtin horizontal. Me rastin e sulmit verbal nga eprori shqiptar, Eknatit i del në mbrojtje eprori hungarez. Në qelitë e burgut shpesh gjenden njerëz të një kombësie me karaktere të ndryshme, por edhe të kombësive të ndryshme me karaktere të ngjashme. Në këtë kontekst, kryepersonazhi zhytet në meditime nihiliste, siç e shpjegon vetë, ngase „vetmia ia cyt anët e errëta të jetës njerëzore“. Dhe vërtet bota e jashtme ndikon në shqisa, thonë filozofët. Kështu, Eknati „takonte njerëz që kishin vese ujqish e egërsirash, vese dhelprash e langonjsh, vese lepujsh e derrash…Kishte takuar sa e sa egërsira me pamje njeriu, sidomos në burgun e Gjurakut, por edhe në Suboticë…Në të gjitha aspektet pajtohej me filozofinë e Frederikut të Madh…(f. 226)

Romanin „Burgu“ të A. Qeriqit e karakterizojnë: dashuria e zjarrtë për liri e atdhe, qëndresa heroike para vështirësive, gatishmëria për t´u flijuar dhe etja për dije e përsosje intelektuale e njerëzore. Aty zbulohet rruga e formimit të heroit të ri e forca e karakteri i pathyeshëm tipik i të burgosurit politik në rrethana dramatike, prej së cilës rrjedh ideja se për atdhe ia vlen të sakrifikohesh, por edhe të rezistosh, të përsosesh e të luftosh me të gjitha forcat psiko-meditative, politike e përgjithësisht njerëzore. Aty sprovohet diçka më e rëndësishme se politika: pasioni liridashës, karakteri e dinjiteti luftarak i anëtarëve të Lëvizjes çlirimtare dhe i mbar[ popullit. Te fundi, dinjiteti si vlerë njerëzore mund të ndërtohet e të mbijetojë vetëm mbi të vërtetën e qëndresën heroike. Besimi i autorit-Eknatit përshkohet nga bindja se fitorja kurrë nuk i ka takuar të fortit, aq më tepër të padrejtit, por guximtarit e të drejtit. (R. Qosja, në „Dardania sacra“, 2002/4, f. 532)

Vepra nuk ka mundur të shkruhet nga kushdo. Aty ka një enciklopedi faktesh e konceptesh të natyrës politike, patriotike, intelektuale, kombëtare, psiko-meditative, filozofike dhe letrare-artistike, e shkruar nga pena e një intelektuali me horizont të gjerë dituror, letrar e artistik, politik e filozofik, të një luftëtari të gjithanshëm të ilegales, pushkës e penës, të përgatitur gjatë tërë jetës rinore, si nxënës, student, profesor dhe veprimtar politik, përgjithësisht patriotik, i sprovuar e i regjur në vaj e uthull.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …