leoni

Zymer Mehani

Zymer Mehani: Lamtumirë Profesor Ahmet Qeriqi – Zëri i lirisë dhe i kujtesës kombëtare

Me dhimbje të thellë morëm lajmin se sot, m 7 mars 2025, qenka ndarë nga jeta Profesor Ahmet Qeriqi, një prej figurave më të shquara të çështjes kombëtare, një njeri që jetën e tij ia kushtoi atdheut, edukimit të brezave, lirisë dhe fjalës së lirë.

Ahmet Qeriqi lindi më 24 dhjetor të vitit 1946 në Krojmir të Drenicës jugore, në një vend ku fryma e lirisë dhe rezistencës është trashëgimi brezash. Që në rini u përball me padrejtësitë e regjimit, duke paguar me burgime e persekutime për idealet e tij të pastra dhe të palëkundura për bashkim kombëtar dhe çlirim.
Veprimtaria e tij patriotike nisi herët dhe nuk pushoi kurrë. Ishte pjesë e lëvizjeve ilegale që sfiduan pushtuesin dhe për vite të tëra mbajti gjallë shpresën e shumëkujt. Ishte ndër ata që me mendim, me fjalë dhe me vepra e bënë realitet ëndrrën e shumë brezave për liri.
Gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Profesor Ahmet Qeriqi mori një nga detyrat më të rëndësishme: u bë përgjegjës i Radios Kosova e Lirë, zërit të luftës dhe të shpresës për popullin tonë. Ky mision fisnik e gjeti në ballë të betejës së informacionit dhe të moralit kombëtar, duke dhënë kontribut të pashoq në informimin dhe mobilizimin e shqiptarëve brenda e jashtë Kosovës.
Pas luftës, ai nuk ndali kurrë së shkruari, së dokumentuari dhe së ruajturi kujtesën historike të popullit tonë. Me qindra analiza, komente, shkrime dhe dhjetëra vepra mbajnë firmën e tij, duke lënë një trashëgimi të pashlyeshme për brezat që vijnë.
Sot, në këtë ditë dhimbjeje e kujtimi, ne bashkë me familjarët, bashkëpunëtorët, miqtë, nxënësit dhe bashkudhëtarët e tij në rrugën e lirisë, i gjunjëzohemi veprës së tij dhe i premtojmë se amaneti që la do të mbetet i gjallë dhe i pacenuar.
LAVDI përjetë jetës dhe veprës së Profesor Ahmet Qeriqit!
Pusho i qetë në tokën që aq shumë e deshe e për të cilën luftove pa u lodhur kurrë.
Lamtumirë, Profesor!

Lavdi e përjetshme!

Kontrolloni gjithashtu

Kandidati për kryetar të Maqedonisë, Bujar Osmani, ka prezantuar platformën prej 10 pikave për zgjedhjet e 24 prillit

Bujar Osmani paralajmëron mekanizma për efikasitet “Çair 48” dhe tabelë publike: a do të bëhet Komuna e Çairit më në fund efikase në punë?

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot para ndërtesës së komunës artikuloi …