Zymer Mehani: Ndërroi jetë poeti i kombit, Sami Sherifi
Në foto: Sami Sherifi e Zymer Mehani, Sarandë, 2018

Zymer Mehani: Ndërroi jetë poeti i kombit, Sami Sherifi

Sot, më 13 nëntor 2020, në Sillare të Poshtme të Shkupit ndërroi jetë poeti i kombit, Sami Sherifi. Ai është njëri prej poetëve bashkëkororë të letërsisë shqipe, krijues mërgimtar, meqë rreth 34 vjet të jetës së tij i kaloi në mërgim, kryesisht në Zvicër.

Sami Sherifi u lind më 15 shkurt 1950 në fshatin Sillare e Poshtme të Shkupit. Pas mbarimit të Shkollës Normale “Zef Lush Marku”, z. Sherifi ushtroi detyrën e mësimdhënësit në periudhën 1969-1981, kohë kjo, kur shumë intelektualë të shquar shqiptarë, në mesin e tyre edhe Sami Sherifi, detyrohen të largohen në egzil për shkaqe të përndjekjeve politike.

Z. Sami Sherifi diplomoi në Degën e Pedagogjisë, Grupi klasor në Universitetin e Prishtinës. Me krijimtari letrare nisi të merrej që prej vitit 1969. Veç të tjerash poeti, Sherifi shquhet edhe për kultivimin e traditës dhe të kulturës sonë kombëtare në mërgatë.

Poeti Sami Sherifi deri më tani ka botuar disa vëllime poetike. Botimi i librave të tij është bërë jashtë atdheut, në Itali dhe në Rumani, me cytjen e miqve krijues, z Ismail Iliazi, me vendqëndrim në Itali dhe z. Baki Ymeri, me vendqëndrim në Bukuresht, të cilët autori për punën që e bëjnë me botime në frymën kombëtare dhe për ndihmën që i bënë për botime, i falënderon nga zemra dhe u është mirënjohës përjetësisht.

Poeti Sami Sherifi është i përfshirë me poezitë e tij në disa antologji poetike. Për krijimtarinë e tij letrare janë interesuar edhe disa gazeta e revista, siç është revista letrare “ALBANEZUL “(Shqiptari) e Bukureshtit, e cila një numër tematik ia kushton jetës dhe krijimtarisë së poetit, Sherifi (nr. 6. 2014). Pastaj, për krijimtarinë e këtij poeti interesim kanë shfaqur edhe shtëpi të ndryshme televizive, si TV SHENJA e Shkupit etj etj.

Vlen të theksohet se poeti, Sherifi gjatë periudhës së viteve 1970-1981 për shtyp i kishte dërguar në SH. B “Flaka e vëllazërimit” tri përmbledhje poetike, të cilat lëre që nuk ia botuan, por ç’është më e keqja, edhe ia zhdukën fare.

Deri më tani poeti, Sami Sherifi ka botuar këto përmbledhje me poezi:

1. “Mallëngjim Dheu (i botuar dhe promovuar në Itali);

2. “Si të kthehem në atdhe” (i botuar në Bukuresht);

3. Porta e Parajsës”( botuar në Bukuresht);

4. “Dielli i atdheut tim” (i përkthyer edhe frengjisht “Le solcit de ma patria”);

5. “Shpirti” (i përkthyer edhe në rumanisht”Sufletul”);

6. “Ëndrra e madhe mërgimtare (në shqip, e përkthyer në anglisht dhe rumanisht).

7. “Dridhet fjala si fije bari”

8. “Diaklog me yje” etj.

Pra, të gjitha këto vëllime poeti i ka botuar në Bukuresht dhe njërën syresh në Itali, në tetovë e në Prishtinë.

Pas kthimit nga mërgimi z. Sami Sherifi është i angazhuar në jetën kulturore dhe artistike në Shkup, ku edhe formon Klubin Letrar “ABC-ja Poetike”, të cilën e udhëheqte me sukses.

Vitin e kaluar z. Sherifi pat organizuar në Bllacë një Orë Letrare, që përveç karakterit poetiko-letrar, kishte për qëllim që të rikujtohet eksodi i vitit 1999. Poeti Sherifi ka organizuar edhe shumë takime letrare dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari kulturore si në Shkup, Prishtinë dhe në qendrat e tjera shqiptare, ku është shpërblyer me mirënjohje dhe çmime.

I ndrittë shpirti në përjetësi!

Kontrolloni gjithashtu

Poeti Ali H.Tahiri ndanë Mirënjohje post mortum profesor Ahmet Qeriqit për kontributin jetësor ndaj kombit dhe atdheut

Në një moment të mbushur me emocione dhe respekt të thellë kombëtar, poeti i njohur …