Zymer Mehani: Vëllimi poetik “Mall atdhesie” i poetes Lumturie S. Drenica

Zymer Mehani: Vëllimi poetik “Mall atdhesie” i poetes Lumturie S. Drenica

Poetja, Lumturie S. Drenica edhe në vëllimin “Mall atdhesie”, sikurse në librat e saj të mëhershëm, e kultivon kryesisht poezinë atdhetare dhe sociale, pra mallin e pashuar të mërgimtarëve shqiptarë, që janë të shpërndarë gjithandej viseve të botës. Por, herë-herë, kjo autore e ndërton mrekullisht, por më të pakët në sasi, edhe poezinë e dashurisë, të ngjizur kuptimisht me çaste intime. Në këtë prizëm nga pena dhe këndvështrimi krijues i saj gjurmohen, shtrohen dhe funksionalizohen tema dhe motive të ambientit autentik shqiptar, edhe të mërgatës sonë, ku më së shumti përmenden, vendlindja, trualli, kulla, bjeshka, mali, lumi, era, stuhia, pushka, qëndresa, mërgimi, malli, loti etj., etj.

Në tërësi poezitë e vëllimit “Mall atdhesie” të poetes Lumturie S. Drenica janë poezi me kahe dhe orientime atdhetare, sociale e subjektive.

Në poezitë e vëllimit “Mall atdhesie”, siç e tregon edhe vetë titulli ngre kokë tematika motivore e mallit për atdheun. Këtu entuziazmin dhe emocionin lirik e zëvendëson mendimi i shkathët dhe i argumentuar. Kësisoj, poetja i zgjeron në mënyrë të ndërlidhur kufijtë e frymëzimit poetik duke i konceptuar gjërat, objektet e fenomenet apo edhe vetë ambientin jetësor që e rrethon. Në vëllimin në fjalë, poezia merr funksionin e vrojtimit të ngjarjeve aktuale, e posaçërisht atyre shoqërore dhe ekonomike, por edhe politike duke u realizuar nëpërmjet përkushtimit dhe qëndrimit të veçantë ndaj njeriut tonë, ndaj synimeve dhe aspiratave të tij jetësore.

Element që na bie në sy në këtë vëllim poetik është pasurimi i strukturës figurative të vargut si dhe prirja e qartë e poetes Drenica në dekompozimin e realitetit ekzistues. Në këtë fushë, poetja preokupohet me imazhet e jetës në truallin amtar, duke u kthyer në retrospektivë për ta kujtuar të kaluarën e popullit tonë dhe qëndresën e tij titanike në luftë ndaj armiqve dhe pushtuesve të huaj.

Lumturie S. Drenica në horizontet e poezisë shqipe njihet kryesisht si poete me vokacion atdhetar. Në këtë kuptim si përnga mënyra e procedimit tematiko-motivor, ashtu edhe përnga shqiptimi i ligjërimit poetik, botëkuptimi dhe perceptimi i ndjenjave dhe i mendimeve të subjektit lirik, struktura semantike e formësimit të tablove, e porosive, por edhe e ambientit dhe e poetikës në tërësi, poezia e kësaj autoreje, nuk ka dyshim se do të mbetet në vazhdën e interesimit të preokupimit kontinuitiv me njeriun.

Në poezinë e poetes Lumturije S. Drenica bien në sy tekste, trajta dhe elemente poetike, që janë larg njëra-tjetrës, por në kontekstin e përgjithshëm krijimtaria poetike e kësaj autoreje gërshetohet në një tërësi, ku si bosht kryesor tematik ka shtegtimin fiktiv kah ardhmëria e ndritshme dhe e lumtur.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …