leoni

Dr. Zymer Neziri

Zymer U. Neziri: PARAQITJE E SHKURTËR E LIBRIT DEMONSTRATAT E VITIT 1968 NË KOSOVË, I

 (Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë, vëllimi Ipërmbledhje kumtesash nga konferenca shkencore, mbajtur me rastin e 40-vjetorit, në Prishtinë, më 24-25.11. 2008, përgatitja për shtyp: Zymer U. Neziri, Meriman Braha, Prishtinë, 2018, 368 f.) 

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Instituti i Historisë, Prishtinë, dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, me rastin e shënimit të dyzetvjetorit të Demonstratave të vitit 1968, më 24-25.XI. 2008, organizuan konferencë shkencore në Prishtinë. Ajo konferencë, më e madhja e këtij lloji, me rreth 150 kumtues, u vlerësua shumë e suksesshme. Kumtuan kuadrot tona më të mira. Po ashtu kumtuan edhe shumë pjesëmarrës të këtyre demostratave. Me interes të veçantë janë sidomos kumtesat nga kreu i organizimit të tyre në Rrafshin e Dukagjinit, në Rrafshin e Kosovës, në Llap, në Anamoravë, në Pollog dhe në Ulqin. Tezat e parapara nga Këshilli Organizues janë realizuar pothuajse plotësisht. Kumtesat e dorëzuara dhe të përgatitura për shtyp, më 2012, po botohen tash, në dy vëllime.

Në vëllimin e parë të libritDemonstratat e vitit 1968, prijnë referatet e mbajtura nga Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Jusuf Bajraktari, Zymer U. Neziri dhe Selatin Novosella, kurse, në vijim, pasojnë kumtesat e organizuesve të demonstratave dhe të pjesëmarrësve të tyre.

Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, ndër të tjera, në referatin e tij thotë: Gjashtëdhjeteteta evropiane ishte një përpjekje e dëshpëruar për t’u ngritur mbi logjikën e Luftës së Ftohtë, por, me vetëdije apo pa të, ajo po i përafronte pjesët e ndara e të parenditura të Evropës. Gjashtëdhjeteteta jonë e kishte edhe socialen, edhe demokratiken, por mbi të gjitha e kishte kombëtaren. Ne identifikoheshim me Shqipërinë. Shqipëria, për ne, ishte dhe s’mund të mos ishte alternativa e parë e ëndërruar e përtej perdes së hekurt. Ne e donim Shqipërinë dhe e donim fort. Ëndrra e lirisë i bashkonte  të majtën e të djathtën, të vjetrën e të renë, të gjithë, pa dallim.

Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, thekson se viti 1968 paralajmëronte kthesë historike në Kosovë,  sepse këtë kthesë e paralajmëronin : gjendja e rëndë nën pushtimin jugos-llav, rritja e vazhdueshme e rezistencës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe zgjimi kombëtar i shqiptarëve në viset e pushtuara. Ajo, duke pasur parasysh rreziqe të shumta, përpiqej të fitonte hapësira të reja. Një fitore përbënte objektivi për Republikën e Kosovës, si një hap nga e drejta për vetëvendosje. Më 1968, filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Jugosllavi, kurse Demonstratat e vitit 1968 inauguruan një formë më efikase të luftës politike të Lëvizjes Kombëtare.

 Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë, vë në dukje se shqiptarët, që bënin pjesë, pa vullnetin e tyre, në shtetin e quajtur “Jugosllavi” për nga vetë përkufizimi i emërtimit, ishin të përjashtuar prej tij. Ata nuk ishin sllavë për nga prejardhja etnike, ata flisnin gjuhën shqipe, kurse 68-shi ishte edhe një sinjal i qartë kundër shtypjes e tutelës komuniste edhe në Tiranë, për libe-ralizim e demokratizim të jetës së gjithanshme në Shqipërinë socialiste dhe të viseve të ndryshme shqiptare me devizën kryesore “Kosova Republikë” dhe “Për të drejtën për vetëvendosje” të popullit të saj...

Zymer U. Neziri konstaton se Demonstratat e vitit 1968 u bënë pjesë e historisë më të re të çështjes shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav. Viti 1968 lidhet me kohën kur tre milionë shqiptarë ishin nën sovranitetin e Serbisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi. Viti 1968 ishte vit kur çështja e pazgjidhur kombëtare e shqiptarëve u shtrua edhe në rrugë me demonstrata të mëdha e të përgjakshme, si pasqyrim i vullnetit të së drejtës kombëtare dhe universale të bashkimit të popujve të ndarë. Viti 1968 dallohet si vit i ngritjes së vetëdijes kombëtare për çlirim e bashkim dhe bën të quhet hallkë historike e bashkimit të kombit të ndarë shqiptar.

Selatin Novosella është i bindur se Demonstratat e vitit 1968 ishin një formë e plebishitit të shqiptarëve ku shprehej vullneti i tyre për të jetuar në Republikën e pavarur të Kosovës. Ndonëse masat e pushtetit jugosllav ishin drakoniane, si gjatë zhvillimit të demonstratave , po edhe më vonë. Gjatë këtyre demonstratave, në Prishtinë u vra i riu Murat Mehmeti, e pati mbi 10 të plagosur me armë zjarri dhe qindra demonstrues të lënduar nga policia jugosllave. Mbi 120 demonstrues i arrestuan dhe i dënuan për kundërvajtje, ndërsa pati rreth 40 organizatorë të demonstratave të dënuar deri në 5 vjet burg të rëndë. Kjo s’kishte ndodhur askund në Evropë që demonstruesit të dënoheshin me dënime të tilla. Pa marrë parasysh ndërmarrjen e masave të tilla represive të pushtetit serbo-jugosllav kundër demonstruesve paqësorë, ato hapën një kapitull të ri të historisë më të re të Kosovës.

Në vijim janë kumtesat për Demonstratat më 1968 sipas radhës kronologjike. Në fillim prin kumtesa e prijatarit të Demonstratave të tetorit 1968, Meriman Braha, ’’Demonstrata e Prizrenit, më 6 tetor 1968’’. Ai, në këtë kumtesë thotë: Vetëvendosje – ishte kërkesë e shqiptarëve në vitin 1968, e kërkuar në vitet 1878, 1912 me kryengritjen e madhe; e kërkuar dhe e përligjur me luftën e armatosur më 1944 dhe e shkelur më1945; e kërkuar më 1968, 1981, 1998-99, e kërkuar edhe në ditët e sotme, si e drejtë e patjetërsueshme përgjithmonë, kurse Kosova–Republikë ishte shprehje e një alternative shqiptare, si ndarje nga Serbia dhe si perspektivë e sigurt kah integrimet kombëtare dhe evropiane.

Haxhi Bajraktari, ’’Si u organizua Demonstrata e 8 tetorit 1968 në Therandë’’.  Ky bartës i organizimit në Therandë thekson: Në Demonstratën e vitit 1968, për Kushtetutë e Republikë, që u mbajt në Therandë, më 8 tetor 2008, në koodrimin me grupin e studentëve të Prizrenit, pashë vendosmërinë e baballarëve dhe të gjyshërve tanë në luftërat kundër sundimit shekullor turk, pashë qëndresën burrërore të shumë të burgosurve pas Luftës së Dytë Botërore kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare.

Demë Mulliqi, ’’Rrjedha e Demostratave të ’68-ës  në Pejë’’. Ky bartës i parë i flamurit në Pejë thotë: Peja me rrethinë dekada me radhë përjetoi masa ndër më të rëndat nga pushtuesit serbo-jugosllavë. Bërthamë e Demonstratës së 19 tetorit 1968 në Pejë, për Kushtetutë e Republikë, ishte shkolla normale “Ali Kelmendi” e Pejës, që e nderoi këtë qytet, Rrafshin e Dukagjinit dhe Kosovën.

Sami Dërmaku, ’’Dhuna dhe gënjeshtra nuk luftojnë me njëra – tjetrën,  ato mbysin njerëz të pafajshëm’’. Ky Veprimtar i njohur thekson: Ky shekull i kësaj epoke gjeti brezin e vet, më 1968, që i dha besën Kosovës dhe nuk iu tremb vdekjes. Ishte ky brez paraprijës i UÇK-së në ballë, me 1700 dëshmorë, që ranë në altarin e lirisë.

Hakif Sheholli, ’’Demonstratat e 68-ës në Podujevë’’: Pas vitit 1912 popullata shqiptare keqtrajtohet barbarisht. Më 1968 shpërthyen demonstratat mbarëpopullore në Kosovë  dhe më gjerë. Demonstrata mbarëpopullore në Besianë është organizuar dhe është përgatitur nga një grup i të rinjve të profesioneve të ndryshme, vë në dukje ai.

Ali Mehmeti, ’’Demonstratat e vitit 1968-vazhdimësi e Lëvizjes Shqiptare të Kosovës’’: Pas demonstratave në Ferizaj, pushteti arrestoi disa  studentë e nxënës dhe mësimdhënësit Ali e Jakup Mehmeti dhe Sali Hasani. Pas demonstratave u hapën shtigjet për një zhvillim më të hovshëm ekonomiko-shoqëror, përfundon ai.

Latif Zariqi, ’’Organizimi  i  demonstratave të vitit 1968 në Mitrovicë’’: Në fillim të vitit shkollor 1968/69, me një grup shokësh të idealit,  formuam këshillin organizues për organizimin e demonstratave në Mitrovicë. Këshilli përbëhej nga: Nebih Istogu, Latif Zariqi, Mustafë Shyti, Naim Bujupi, Vesel Demaku, Ramadan Bytyçi dhe Mustafë Zariqi, thotë ai, ndër të tjera, në kumtesën e tij.

Faik Mustafa, ’’Demonstratat e 68-ës – lëvizje e shqiptarëve në Maqedoni’’: Fortesë e rezistencës së shqiptarëve në Maqedoni do të jetë Rrafshi i Pollogut me qytetet Gostivar e sidomos Tetova. Viti 1968 do të mbetet i shënuar për shqiptarët e Maqedonisë. Për të parën herë në historinë e tyre, në mënyrë masive do të organizohen demonstrata për të protestuar kundër shkeljes së të drejtave dhe lirive më elementare nga pushteti sllavo-maqedonas, konstaton ai.

Abdyl Kadolli, ’’Vizioni historik ‘68’’: Demonstratat shqiptare të 68-ës janë ngjarje e rëndësishme, që lëvizi historinë tonë të re kombëtare. Ato rihapën çështjen shqiptare nën ish- Jugosllavi dhe rrugën e vetëvendosjes kombëtare. Ato ishin vetëdije e zgjuar kombëtare për pozitën koloniale të gjysmës së Atdheut të pushtuar nga sllavët e jugut.  Ishte qëndresa nga Demonstratat e ’68-ës për të kaluar në Luftën e madhe çlirimtare, thekson ai.

Adil Pireva, ’’Kërkesat për Republikë dhe për Vetëvendosje gjer në shkëputje – kryekërkesë binom e ’68-ës shqiptare’’: Gjashtëdhjeteteta shqiptare ka pasur dy kërkesa kryesore: “Duam vetëvendosje gjer në shkëputje !” dhe “Duam Republikë!” Aty u shfaq përdorimi edhe i formës më të lartë të rezistencës paqësore, siç janë demonstratat, për paraqitjen e kërkesave dhe të qëllimeve kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi, shkruan ai.

Agim Vinca, ’’Vit kthese dhe Rilindjeje’’: Viti 1968, vit i demonstratave studentore të 27 nëntorit, për shumë arsye, mund të quhet vit i Rilindjes së Shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi. Viti 1968 i parapriu Revolucionit të vitit 1981, që është një paralajmërim, sado i largët, i luftës për çlirimin e plotë të Kosovës, përfundon ai.

Albin Kurti, ’’Kërkesa për vetëvendosje në vitin 1968 dhe sot’’:

Më 1968, është kërkuar e njëjta vetëvendosje, i njëjti koncept i vetëvendosjes, që është zhvilluar teorikisht dhe është afirmuar praktikisht përgjatë luftërave. Dëshmi për pavarësi të vërtetë të Kosovës, pra për pavarësi me vetëvendosje, do të ishte pikërisht e drejta e Kosovës për t’u  bashkuar me Shqipërinë, vë në dukje ai.

Ardian Marashi, ’’Simbolika identitare ndër autorë shqiptarë të Kosovës të brezit ’68’’: Retorika identitare dëshmon se e përveçmja nuk përdoret me funksion konjitiv racional, meqenëse ajo identifikohet në tekst. Afirmimi i së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje realizohet pikërisht përmes afirmimit identitar. Brezi ’68 ishte një brez dëshmitarësh dhe dëshmuesish, një brez poetësh e shkrimtarësh, thotë ai.

Arif Riza, ’’E drejta e ushtrimit të vetëvendosjes-arsye për  demonstrata në vitin 1968’’: Pas mbarimit të Perandorisë Osmane në vitet 1912-13, Kosova dhe Maqedonia u zaptuan nga serbët.  Në vitin 1968 në Kosovë u mbajtën demonstratat me thirrjen “ Kosova Republikë”, por pati edhe të vrarë e të plagosur. Rezultat i këtyre demonstratave ishte Kushtetuta e vitit 1974, pohon ai.

Avni Dehari, ’’Roli i demonstratave të vitit 1968 për emancipimin kombëtar në Kumanovë me rrethinë’’: Demonstratat e 68-ës, si për të gjithë shqiptarët, edhe për ata të Kumanovës patën rëndësi të shumëfishtë. Studentët shqiptarë të Kumanovës , si edhe kolegët e tyre të viseve të tjera shqiptare, që në atë kohë studionin në Prishtinë, ndikuan fuqishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare te  masat e gjera, konstaton ai, ndër të tjera, në kumtesën e tij.

Bahri Brisku, ’’Gjendja politike pas Demonstratave të Ulqinit’’: Në këtë kumtesë është sqaruar roli i nxënësve të Tërstenikut të Drenicës, gjatë qëndrimit të tyre në Ulqin. Grupi i parë i demonstruesve të caktuar ulqinakë përbëhej prej 350 vetash. Kështu, pjesëmarrja efektive ka qenë mbi 400 demonstrues. Në këtë demonstratë janë ngritur këto parulla: “Rroftë Kosova!”, “Rroftë Shqipëria dhe Enver Hoxha!”, “Duam liri dhe barazi!”…thotë ai.

Bashkim Lajçi, ’’Përpjekje dhe pengesa në zhvillimin e etnologjisë në Kosovë pas vitit 1968’’: Demonstratat e vitit 1968 patën jehonë në zhvillimet e mëvonshme në fusha të ndryshme të shoqërisë sonë, së këndejmi edhe në fushën e etnologjisë. Efektet e këtyre demonstratave në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të etnologjisë në veçanti u vërejtën në themelimin e disa institucioneve, thekson ai.

 Bejtush Gashi, ’’Kompetencat e Kosovës në fushën e sigurisë në periudhën 1968-1981’’: Ndonëse ushtria propagandohej si forcë federative, me përbërje shumëkombë-she, në fakt ajo dominohej nga nacionalistët serbë. Shqiptarët përfaqësoheshin vetëm 0.8%, ndërkohë që për nga numri i popullsisë zinin vendin e tretë, numri i rekrutëve shqiptarë arrinte në rreth  20-25 %, thotë ai.

Beqir Elshani, ’’Përvoja revolucionare e Demonstratave të vitit 1968 në Kosovë’’: Pas Demonstratave të vitit 1968 në Universitetin e Kosovës filloi të rritet numri i studentëve shqiptarë. Prandaj, si rezultat i demonstratave të rinisë revolucionare shqiptare, Kosova e fitoi Universitetin, i cili u hap në vitin 1970 dhe të drejtën e përdorimit të Flamurit kombëtar shqiptar, vuri në dukje ai.

Demë Fetaj, ‘’Ismail Dumoshi një vlerë e pashoqe për kohën’’:

Formimi i grupit “Çeta e Bajo dhe e Çerçiz Topullit” dhe roli i këtij grupi për përgatitjen e Demonstratave të vitit 1968 etj., janë të lidhura me emrin e atdhetarit Ismail Dumoshi, që ishte i pajisur me ndjenja të zjarrta kombëtare dhe njerëzore dhe që tërë jetën u angazhua për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të gjeneratave që i edukoi, pohon ai.

Ekrem Kryeziu, ’’Dramaturgjia në Kosovë pas Demonstratave të 1968-ës’’: Kosova e atyre ditëve të vitit 1968 ishte shndërruar në një amfiteatër të madh ku po zhvillohej drama e përgjakshme e kërkimit të lirisë. Bazuar  në veprat e autorëve Ekrem Kryeziu, Flamur Hadri, Edi Shukriu, Ymer Shkreli, Milazim Krasniqi, Haqif Mulliqi, dramaturgjia shqiptare e Kosovës nuk mbetet larg trajektoreve krijuese të dramaturgjisë evropiane dhe botërore, konstaton ai.

Emil Lafe, ’’Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe Demonstratat e vjeshtës së vitit 1968’’: Lajmi i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës në prill 1968 dhe i vendimit kryesor të saj, se ajo njohu njëzëri gjuhën letrare të vendit amë si gjuhë letrare të gjithë shqiptarëve të përfaqësuar atje, erdhi si i papritur në Tiranë. Mësuam se rinia studentore e Kosovës luajti një rol me rëndësi në ecurinë e mbarë të atij tubimi gjuhësor. Njësia e gjuhës është dhe njësia e kombit, vuri në dukje ai.

Gjergj Skeli, ’’Pranvera e Klinës, një uverturë e ngjarjeve të vitit 1968’’: Shënimi i 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjegj Kastrioti-Skënderbeu krijoi entuziazëm të paparë kombëtar në Klinë, më 28 maj 1968. Inteligjencia e re shqiptare nuk i përqafonte idetë e jugosllavizmit, po ato të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për liri e vetëvendosje. Zhvillimet kulturore në pranverën e vitit 1968 ishin uvertyrë e demonstratave me kërkesa politike në vjeshtën e po atij viti, thotë ai.

Haki Kasumi, ’’Pjesëmarrja e nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës në Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë’’: Në demonstratat mbarëpopullore, që u zhvilluan në Kosovë në nëntor të vitit 1968, është vërtetuar se kanë marrë pjesë aktive edhe nxënësit e shkollave të mesme. Kontributi i kësaj shtrese të shoqërisë kosovare i dha një vlerë dhe fuqi të rëndësishme kësaj forme të luftës së shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar, thotë ai.

Ilaz Metaj- Ali Llunji, ’’Jehona dhe ndikimi i Demonstratave të  vitit 1968 në proceset politike në Kosovë, sipas publikimit “Republika e Kosovës”: Publikimi “Republika e Kosovës” është botuar në Stamboll, në marsin e vitit l992, në dy gjuhë: shqip (4 000 kopje) dhe anglisht (1 000 kopje), nga autorët Ilaz Metaj dhe Ali Llunji. Autorët udhëhiqnin Komitetin për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Kosovë, Degë e IGFM-së në Frankfurt të Gjermanisë, thekson ai.

Irena Sawicka, ’’Ngjarjet më 1968 në Poloni dhe Kosovë kanë elemente të qarta të përbashkëta’’: Më 1968, menjëherë hyra në ngjarje. Me çdo kusht doja të merrja pjesë. Edhe mua më rrahën me shkop. Pas studimeve, fillova punën në Akademinë e Shkencave Polake. Pas një gjysmë viti, më hoqën nga sektori ku punoja. Kalova në sektorin sllavo-jugor, falë kësaj, fillova të interesohem për gjuhën shqipe dhe problemin e Kosovës, thotë ajo.

Irena Sawicka dhe Adam Bednarek, ’’Albanologjia polake para dhe pas vitit 1968’’: Dega e Filologjisë Ballkanike e Fakultetit Filologjik të universitetit  „Nikola Kopernik” në Torunj nuk është vendi i vetëm në Poloni, ku mund të marrësh diplomë me kompetenca albanologjike. Tani shqipja studiohet edhe në universitetin „Adam Mickjeviç” në Poznanj. Kemi tash tre doktorë në gjuhësinë shqipe dhe kandidatët për doktor shkencash, theksuan ata.

Isa Bicaj, ’’Kontributi i Afrim Loxhës në Demonstratat e vitit 1968’’: Afrim Loxha është ndër organizatorët dhe udhëheqësit kryesor të demonstratave të vitit 1968. Është burgosur ndër të parët më 29 dhjetor të 1968-ës. Afrimi, gjatë tërë kohës ka qenë aktiv në veprimtarinë kombëtare. Afrimi u vra, pas fillimit të bombardimeve më 1 prill të vitit 1999, nga forcat paramilitare serbe afër postës së re në Dardani, pohon ai.

Ismail Gashi-Sllovia, ’’Kontributi i atdhetarit Isa Demaj në Demonstratat e 1968-ës’’: Isa, qysh si nxënës në Gjimnazin e Pejës, u angazhua në sensibilizimin e çështjes kombëtare. Më 1964, u bë veprimtari më i ri i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin Kombëtar. Që nga 6 tetori 1968, në Prizrenin historik, Isa Demaj bashkë me Grupin e Studentëve të Prizrenit, do të organizojnë më 1968 tri demonstrata në Rrafshin e Dukagjinit, thotë ai.

Kjo ishte edhe kumtesa e fundit e vëllimit të parë të librit Demonstratat e vitit 1968, me kumtesa të konfrencës shkencore, e mbajtur në Prishtinë, më 24-25.XI.2008, e organizuar me rastin e shënimit të dyzetvjetorit të Demostratave të vitit 1968. Libri është përgatitur sipas standardeve të kërkuara teknike-shkencore. Kumtesat kanë shkurtore (abstrakt), fjalë çelësa, rezyme në gjuhën angleze, kurse libri përmbyllet me treguesin e emrave dhe me një fotoalbum 1968-2008.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …