Zymer Ujkan Neziri: Dëshmori i UÇK-së Selman Bekë Lajçi (1954-1999)

E shtunë, 13 shkurt 2016 • Marketing | Kontakti | Arkivi

LAJMET

HISTORIKU

DËSHMORËT

ANALIZA

INTERVISTA

KULTURA

TEMA HISTORIKE

PERSONALITETE

VIDEO

BOTIMET

FEJTON

» Zymer Ujkan Neziri: Dëshmori i UÇK-së Selman Bekë Lajçi (1954-1999)

(Fjalë përurimi, në cilësinë e redaktorit të librit Me dëshmorin Selman Lajçi nëpër Sanxhak, të autorit dr. Xhevat Hasani, në Pejë, teatri Istref Begolli, më 7.8.2015)

Të nderuar të pranishëm, e nderuar familje e Selman Lajçit, të nderuar kryetarë të mëparshëm të Pejës, dr. Ali Berisha e prof. dr. Ethem Çeku, bashkëluftëtarë të Selmanit, shoqata të dala nga lufta, veprimtarë të çështjes kombëtare, ju përshëndes të gjithëve në këtë ditë të shënuar për Selmanin dhe për brigadën 136 ‘Rugova’, në përurimin e librit të dr. Xhevat Hasanit, Me dëshmorin Selman Lajçi nëpër Sanxhak. Para fjalëve vlerësuese të recensuesve të këtij libri, prof. dr. Isa Bicaj e prof. dr. Lush Culaj, në cilësinë e redaktorit, e përgëzoj autorin dr. Xhevat Hasani, e falëndëroj për besimin e për bashkëpunimin, për korrektësinë e respektin, për saktësinë e seriozitetin në punë në këtë libër. Kjo vepër e tij, Me dëshmorin Selman Lajçi nëpër Sanxhak, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës, që është me shumë interes për historinë tonë më të, është ndërtuar me kujdes dhe profesionalizëm duke pasur në qendër ndodhinë e vetëm të një pjese të jetës së Selman Lajçit dhe aty pasqyrohet hollësisht veprimtaria e tij atdhetare gjatë tri vjetëve, në periudhën 1990-1992, angazhimi për Sanxhakun e Pazarit, dikur pjesë e Kosovës, në kuadër të punës në Shoqatën Kosovare-Sanxhakase dhe në fillet e përgatitjes për luftë të armatosur kundër Serbisë, për çlirim e bashkim kombëtar.
Selman Bekë Lajçi është nga Pepajt e krahinës së Rugovës, katund i përmendur për trimëri. Edhe në Luftën Çlirimtare 1997-1999 dha shtatë dëshmorë. Të parët e tij u shquan në beteja që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Është nipash i Adem Isufit, fitimtarit të trefishtë të dyluftimeve në Betejën e Nokshiqit (1879). Lindi në katundin Ugëll të Peshterit, krahina e Sanxhakut, më 9 shkurt 1954. Aty jetoi përkohësisht familja e tij gjatë rrugëtimit për t’u shpërngulur në Turqi. Filloren e kreu në një katund të Prilepit (Maqedoni), kurse të mesmen në Pejë. Studioi në Prishtinë, ku kreu agronominë. Në Zagreb kreu shkallën e tretë të studimeve, magjistroi dhe aty pritej të doktoronte. Publikoi artikuj profesionalë. Botoi edhe shkrime nga demografia dhe ekologjia. Punoi në Bankën e Bashkuar të Kosovës në Prishtinë.
Selman Lajçi mori pjesë në Lëvizjen Kombëtare, që nga rinia e hershme. Ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981. Bashkë me të vëllanë, Salihun, ishte ndër themeluesit e grupit «Pavarësia» (1981), ndër organizuesit e demonstratave në Pejë, më 1989, në themelimin e shkollës shqipe të pavarur në Arbnesh (1990), Forumin e Intelektualëve të Rugovës (1990), shoqatën Nënë Tereza në Rugovë, revistën rajonale të Rugovës «Gurra» (1990), në aksionin për tubimin e 300 mijë nënshkrimeve për Kosovën Republikë, që filloi në Rugovë, në katundin Haxhaj, po edhe në Lojërat Tradicionale të Rugovës, ku rinia kalitej fizikisht për luftën për liri. Të nderuar të pranishëm, në biografinë e Selman Lajçit radhitet edhe kontributi i tij i madh për formimin e Shtabit të Mbrojtjes së Rugovës (1991), i Shtabit Rajonal të Rugovës (1998) dhe i brigadës 136 ‘Rugova’. Bashkëpunoi me luftëtarët e njohur Ardian Krasniqi dhe Bahri Fazliu. Në nëntor 1997 u emërua përgjegjës i njësitit «Rugova» të UÇK-së. Kreu detyrën e përgjegjësit për informim në Shtabin Rajonal të Rugovës dhe në brigadën 136 «Rugova», ku i vëllai, Salihu, ishte komandant. Ishte përgjegjës edhe për marrjen e armëve në kufi, te Huni i Maxhupit, dhe për shpërndarjen e tyre. Priu në të gjitha aksionet për marrjen e armëve nga Bosnja për luftëtarët në Rugovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Udhëhoqi aksionin për mbrojtjen e Shtupeqit të Math (më 24 gusht 1998). Zbatoi me sukses detyrat për bartjen e të plagosurve nga Shqiponja e Dushkajës deri në Rugovë. Mbikëqyri pikat Qafë e Hajlës, Qafë e Qyqes, Drelaj, Kuqishtë. Udhëhoqi pritjen e popullsisë së zhvendosur nga Rrafshi i Dukagjinit në Rugovë (në shtator 1998). Organizoi pritjen dhe përcjelljen nëpër Rugovë të 400 luftëtarëve të Shalës së Bajgorës. Selman Lajçi mori pjesë në betejat në Grykë e Rugovës-me Besnik Lajçin, në Albë të Vogël ( dy herë), në Baran dhe në Shqiponjë-me Shkëlzen Haradinajn dhe komandantin e ZOD-it Ramush Haradinajn, në Ozdrim dhe në Qafë e Hajlës- me Besnik, Ramush, Xhavit, Ramë e Sokol Lajçin.
Selman Lajçi ra heroikisht në betejën e njohur në Qafë të Hajlës, më 19 prill 1999, në vijën e kufirit, të cilën e kishte mbrojtur Rugova edhe në Luftën e Dytë Botërore, kurse sot jemi para një problemi të madh, 16 vjet pas luftës, me vijën e demarkacionit me Malin e Zi, ku rrezikohen mbi 12 mijë hektarë tokë të Rugovës e të Podgurit nga qëndrimi i papërgjegjshëm i Qeverisë së Kosovës. Selmani la pasardhës katër djem dhe dy vajza. Pushon në varrezat e dëshmorëve në Pepaj, pranë dëshmorëve të periudhave të mëhershme historike: Rexhë Haxhia, Ali Ahmeti, Ibish Salihi, Sani Begu etj. U shpall dëshmor i brigadës 136 «Rugova» të Zonës Operative të Dukagjinit. Është ndeuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqata e e Veteranëve të Arsimit, Komuna e Pejës, për vepër jetësore etj. Selman Lajçi është përfshirë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Selman B. Lajçi, FESH, 1451, Tr. 2008). Edhe dy rrugë në Kosovë, një në Prishtinë e një në Pejë, mbajnë emrin e tij, kurse presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë (2012).
Kjo biografi, për shumë lakmi, është vijëzuar në librin që po e përurojmë sot, Me dëshmorin Selman Lajçi nëpër Sanxhak, duke pasqyruar në imtësi sidomos periudhën 1990-1992, por hollësisht do të jetësohet në monografinë vijuese që po shkruhet për Selmanin.
Krejt në fund, autorit të veprës Me dëshmorin Selman Lajçi nëpër Sanxhak, dr. Xhevat Hasanit, atdhetarit të njohur dhe veprimtarit të madh, i dëshiroj suksese të mëtejme, sepse tashmë ai është një zë shumë serioz në letrat tona, sidomos pas botimit të monografisë për dëshmorin Naser Hani (2013) dhe të dy veprave të tjera, një për arsimin shqip (1995) dhe tjetra për sistemin shëndëtosor (2000), shqip e gjermanisht. Dëshiroj po ashtu që kjo vepër e tij për Selman Lajçin të përkthehet e të botohet edhe boshnjakisht, për lexuesit e studiuesit e Sanxhakut, që tashmë, fatkeqësisht, shumica e kanë harruar gjuhën e të parëve.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …