Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Kthimi në “dinjitet”, a po interpretohet dhe a po kuptohet drejt?

Në vazhdimësi, gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë por edhe më gjerë, garuesit qoftë për deputetë, kryetarë komunash apo asamblistë, përveç premtimeve gjithnjë pa mbulesë, kanë premtuar dhe premtojnë, sikur thonë ata, “kthimin e dinjitetit të qytetarëve”. Të gjithë, pa dallim në pakot e premtimeve të tyre, kryefjalë e kanë  këtë togfjalësh dhe fatkeqësisht, duket se krejt pak janë ata që e kuptojnë drejt këtë fjalë, me përmbajtjen dhe kompleksitetin që nënkupton ajo.

Në fjalorin e gjuhës shqipe fjala, dinjitet përkufizohet si “tërësia e vlerave morale të njeriut a të një grupi njerëzish, nderi, krenaria, vetëdija që ka njeriu apo një grup njerëzish për këto vlera e për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten. Shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi. Dinjiteti kombëtar. Dinjiteti i njeriut, i familjes, i ndërmarrjes, i institutit.  Njeri me dinjitet, pa dinjitet. Njeri që ul, fyen, merr nëpër këmbë, dinjitetin.  Ose thuhet nuk ka pikë dinjiteti.

(Dignitas-dignitatis, është një fjalë latine që i referohet një koncepti unik, të paprekshëm,  kulturor, subjektiv,  shoqëror në mentalitetin e kohës  antike, romake. Disa interpretime përfshijnë “dinjitetin”, nga  “dignitas”, që nënkupton “prestigj” ose “karizëm”. Në Romën e lashtë, shprehja  dignitas u konsiderua si shuma e ndikimit personal që një qytetar mashkull fitonte gjatë gjithë jetës së tij. Gjatë peshimit të dinjiteteve të një individi të caktuar, duhej të merreshin parasysh faktorët si: reputacioni personal, gjendja morale dhe vlera etike, së bashku me të drejtën e njeriut për respekt dhe trajtim të duhur).

Shtrohet pyetja, si mund t’i kthejë dinjitetin qytetarëve një politikan, një kandidat politik apo jo politik, që garon për kryetar  komune, i cili nuk e njeh, jo vetëm esencën, por as dhe kuptimin e  thjeshtë të fjalës “dinjitet”?

Ta zëmë se disa edhe e kuptojnë. Por janë disa nga ata këtë fjalë  e kuptojnë,  sipas prezantimit rutinor  të asaj fjale nga gazetarët në shumë medie, shumica prej të cilave kanë një  nivel  të kufizuar të dijes, kuptimit dhe perceptimit të fjalëve, shprehjeve dhe fjalorit të tyre të mjerë, që përbëhet nga disa qindra fjalë në përdorim të përditshëm.

Kur thuhet “Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Prizrenit duhet t’ i kthehet dinjiteti”,  atëherë duhet të shpjegohet se kur ka pasur Prishtina e këto qytete  ma shumë liri, njerëzi e dinjitet,  sesa prej vitit 1999, kur u çlirua nga robëria shekullore serbe.

Dikush, ndoshta  mendon me bindje e sinqeritet se Prishtina ka pasur më shumë dinjitet në kohën e regjimit të Titos, dikush në kohën e Krajlit, dikush mendon  se Prishtina e Kosova kanë pasur dinjitet të jashtëzakonshëm në kohën e “Baba Dovletit”.

A ka pasur ndonjëherë më mirë e më shumë dinjitet, në të kaluarën, nën robëri, apo ka sot kur  shqiptarët, kudo ku ata jetojnë, ndihen përgjithësisht  më  të lirë, sesa gjatë robërisë shekullore? Është fjala në radhë të parë për shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë dhe jo ata me dinjitet të përbuzur e të nëpërkëmbur që jetojnë nën Serbi, nën Maqedoni, nën Greqi e Mal të zi.

Këta kryetarë komunash që po na premtojnë  kthimin në dinjitetin e nëpërkëmbur, i cili me të vërtetë po nëpërkëmbët, dhe do të nëpërkëmbët nga shumica e atyre, që do t’ i fitojnë zgjedhjet, do të duhej të premtonin diçka më të kapshme, më të arsyeshme, më realiste. Ata duhet të na bindin në radhë të parë me praninë, në karakter e sjellje, të dinjitetit të  tyre. Ata duhet të premtojnë se tani e tutje do ta rrisin shkallën e dinjitetit dhe jo ta mohojnë atë dinjitet,  që e kanë sjellë gjeneratat nga e kaluara e deri në ditët tona.

Nga debatet e fjalimit e tyre, sidomos kur ballafaqohen  njëri me tjetrin, kuptohet fare lehtë dhe   më së miri niveli i kulturës dhe i  dinjitetit të tyre politik e shoqëror.

Dinjiteti mund të thellohet, mund të begatohet e të pasurohet, dinjiteti mund të zhvillohet e të forcohet, por nuk mund të thuhet se do ta kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur, kur atë nuk e kemi pasur kurrë,  deri në qershor të vitit 1999.

Me fitoren e luftës së UÇK-së, kundër sundimit shekullor serb u vu në vend dinjiteti i përkëmbur dhe i përbuzur i kombit, gjuhës, kulturës, arsimit dhe i të gjitha segmenteve të jetës. Kolaboracionistët, tradhtarët e mercenarët shqipfolës jo vetëm një herë, por vazhdimisht dhe hapur kërkojnë kthimin në dinjitetin e dikurshëm kur, sipas tyre, ka pasur punë, rregull rend, ligj, arsim, shkencë, kulturë, por nën flamurin e shtetit okupator, nën Jugosllavinë e Titos, të Rankoviqit e të Milosheviqit. Çfarë niveli të dinjitetit shoqëror e kombëtar kemi pasur atëherë?

Cilët kryetarë të komunave, të periudhës së pas luftës në Kosovë e paskan nëpërkëmbur aq  shumë dinjitetin e qytetarëve, sa u dashka me çdo kusht t’ u kthehet dinjiteti dhe cila përmbajtje e dinjiteti u dashka të kthehet, ajo e kohës së pushtimit apo e çlirimit, duke u mbështetur  në kuptimin thelbësor të fjalës  dinjitet.

Është marrëzi e çmenduri të mendohet se kandidatët për kryetarë të komunave, këta të sotmit janë njerëz të tjerë, një tjetër racë politike dhe këta do të na sjellin  dinjitetin e nëpërkëmbur, do të  na kthejnë dinjitetin qytetarë,  që nuk e paskemi pasur në qeverisjen e kryetarëve të deritanishëm.

Togfjalëshi,   “kthimi i dinjitetit” as po kuptohet as po manifestohet me përmbajtjen e saj gjuhësore në kuptimin shoqëror e politik. Nëse dikush ka shpikur një trajtë paralele të kuptimit të kësaj fjale, një dinjitet virtual vetanak, të kllonuar,   atëherë është mirë të na demantojnë me gjuhën e fakteve e argumenteve, jo me profka e zhargone fjalësh të gazetarëve debilë e trutharë, që dalin nga xhepat e partiakëve apo shërbimeve nga ku i vjelin përfitimit e tyre dhe që përkthejnë fjalë e zhargone të huaja pa ua ditur fare kuptimin.

Kandidati që pretendon ta marrë besimin e qytetarëve për t’i qeverisur, duhet të jetë i dinjitetshëm në kuptimin e kësaj fjale, në përmbajtjen e saj, interpretimin e gjerë, jo vetëm për hir të korrektësisë së gjuhës e fjalorit që flet,  por për hir të atyre, votë dhe dinjitetin e të cilëve e kërkon. Por është mirë të rezervohen  nga  fjalët e sintagmat që nuk i kuptojnë dhe me të cilat mundohen  të tregohen të ditur, të arsimuar, të  shkolluar, të  emancipuar…

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …