Brickos

Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, në Prishtinë u përurua libri, “Gjashtë ditë sa një jetë” i autorit, Apostol Duka

Në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, në Prishtinë u përurua libri, “Gjashtë ditë sa një jetë” i autorit, Apostol Duka

Sot në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë u përurua  libri, “Gjashtë ditë sa një jetë” i autorit, Apostol Duka. Ky libër i kushtohet jetës dhe veprës së dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Labinot Krasniqi,  i cili ka rënë heroikisht  më 6 qershor të vitit 2001, në Mateq të ish-RJ të Maqedonisë.

Me rastin e përurimit, ku ishin të pranishëm edhe veprimtarë e autoritete nga Shqipëria, disa vargje nga libri, i lexoi koloneli dhe oficeri i UÇK-së, Dilaver Goxhaj.  Fjalën vlerësuese  për librin e mbajti, veprimtari, Avni Dehari i cili lavdëroi punën e përkushtuar të autorit të librit, Apostol Duka. Një fjalë rasti në përurimin e librit  e deklamoi edhe ish-ministrja e Kulturës së kohës së Enver Hoxhës, zonja Tefta Cami, e cila në kontest të përmbajtjes së librit tha se nacionalizmi shqiptar, në të gjitha periudhat e së kaluarës e ka ruajtur dhe e ka unifikuar kombin, pavarësisht ideologjive të caktuara. Për librin foli edhe veprimtari, Emin Kabashi, i cili segmentoi disa vlera letrare, tematike e dokumentare të këtij libri kushtuar dëshmorit të kombit, Labinot Gani Krasniqi. Në fjalën e tij para të pranishmëve, autori i librit: Gjashtë ditë sa një jetë, Apostol Duka u shpreh tejet entuziast me pritjen, nderimin dhe organizimin e përurimit të librit të tij. Ai falënderoi familjen Krasniqi dhe familjet e të gjithë dëshmorëve të kombit për gjakun që i falën çlirimit të Kosovës nga okupimi serb. Në emër të familjes së dëshmorit, të pranishmit i përshëndeti, emnaku,  Labinot Krasniqi, 15-vjeçar  i cili mbanë emrin e xhaxhait të tij dëshmor.

Apostol Duka, një emër i mirënjohur i letrave shqipe, librin për dëshmorin, Labinot Krasniqi e ka shkruar me një qasje të veçantë, jo vetëm përkushtuese për dëshmorin dhe familjen Krasniqi. Duke qenë njohës i letërsisë dhe i mundësive të shumta të shprehjes që lejon teoria bashkëkohore letrare, ai në hartimin e librit ka shfrytëzuar një gamë të gjerë pasqyrimesh, në dukje dhe në mbarështim  dokumentar, por  të stisur me mjete  letrare e artistike, të cilat begatojnë veprën, duke e pasqyruar  me modalitete ndërlidhëse, krijuese, përmes një gjuhe të pasur e të motivuar astistikisht. Jeta dhe vepra e dëshmorit, Labinot Krasniqi është studiuar në sinkroni e diakroni, me të kaluarën e të sotmen familjare e shoqërore, historike e atdhetare, duke i shkrirë të gjitha njësitë fragmentare në një tërësi mbresëlënëse, e cila i përballon kohës, ashtu sikur gjaku i dëshmorëve, që mbetet i pashlyer në  përjetësi. Përmbajtjen dhe tërësinë e librit e kanë begatuar edhe disa emra të njohur të rezistencës sonë kombëtare, të cilët kanë dhënë kontribut në begatimin e lëndës përmes rrëfimeve, pasqyrimit real të fakteve që kanë sjellë për dëshmorin, familjen Krasniqi nga Carralluka e Malishevës dhe luftën heroike të tri ushtrive tona çlirimtare. Libri ka 350 faqe. Është mjaft i begatuar me burime dhe ilustrime dokumentare. Shtypi Grand Prind, në Tiranë. (A.Q.)

24. 9. 2016

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …