vipa
vala
muqa 900
Fillimi / Personalitete / Haki Taha (1913 – 1945), atdhetari nga Gjakova që goditi tradhtinë komuniste jugosllave
Haki Taha (1913 - 1945), atdhetari nga Gjakova që goditit tradhtinë komuniste jugosllave

Haki Taha (1913 – 1945), atdhetari nga Gjakova që goditi tradhtinë komuniste jugosllave

Haki Taha ka qënë njëri ndër nacionalistët më të vendosur të kohës së tij. Mësues me profesion dhe arsimdashës, ai fillimisht kishte qëndruar larg politikës, por kishte përcjellë me kujdes dhe vëmendje rrjedhat në kohën e luftë së Dytë Botërore. Nuk i kishte besuar verbërisht forcave fashiste italiane, edhe pse ato dëbuan nga Kosova forcat fashiste çetnike serbe e sllave dhe kishin lejuar shkollimin dhe arsimimin e popullatës shqiptare, të cilin e kishte ndalura rreprësisht ish Regjimi i “Kralvinës serbe”. Mbante kontakte me krerët proitalianë e gjermanë të kohës por edhe me lëvizjen Nacionalçlirimtare në Kosovë, për të cilën kishte simpati, por nuk iu besonte parullave dhe premtimeve boshe të komunistëve serbë, të cilët kishin shfaqur pretendimet e tyre që edhe pas luftës Nacionalçlirimtare ta mbanin Kosovën nën okupim. Gjatë vitit 1944 kishte intensifikuar bashkëpunimin me partizanët e Kosovës, të cilët i kishte qortuar se ishin bërë vegla të verbëra të Jugo-kominternit të Titos e të Rankoviqit. Njihte nga afër komandantin partizan të Kosovës, Fadil Hoxhën, pastaj Hysni Zajmin, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gaziun e të tjerë, me të cilët edhe komunikonte shpesh lidhur me rrjedhat e disfavorshme për shqiptarët e Kosovës.

Me rastin e shpalljes së gjendjes së shtetrrethimit në Kosovë më 8 shkurt  të vitit 1945 dhe rrethimi të Drenicës me 40.000 mijë forca të disa divizioneve të armatës jugosllave, Haki Taha e kishte kuptuar se ardhmja e  Kosovës do të rivendosej me dhunë, pushkatime, masakra e dëbime masive  të popullatës shqiptare nga trojet e veta.

Me qëllim për ta dhënë kontributin e vet, ai kontakton disa qarqe partizane të besueshme si Xheladin Hanën, Ibrahim Banush Hoxhën, Rifat Berishën e të tjerë dhe shfaq hapur kundërshtimin e tij për masakrimin e Drenicës dhe vrasjen e kryekomendantit Shaban Palluzha. Për këtë qëllim, pasi ishte konsultuar sidomos me Ibrahim Banush Hoxhën e Sedllarit, (tani fshati Shalë) kur edhe  merr vendim për ta vrarë kreun komunist të Kosovës, sektarin e PK të PKJ për Kosovë, Milladin Popoviq, i cili në dukje përkrahte partizanët shqiptarë, por pas shpine realizonte projektet antishqiptare të Rankoviqit, Dushan Mugoshës, Spasoje Gjakoviqit Svetozar Markoviq-Tempos  e të tjerëve.

Haki Taha, Milladin Popoviqin e vrau me 13 mars, në zyren e tij, në Ndërtesën e komitetit krahinor, në Prishtinë. Pasi kreu atentatin ai doli nga ndërtesa pa u vërejtur, por ndërkohë e kishin vërejtur duke ikur drejt Xhamisë së Madhe ku edhe ishte futur në një shtëpi. Pas një rezistence, deri sa i kishin mbaruar fishekët, ishte vrarë nga milicia serbe, në rrethim, në një pleme të një qytetari të Prishtinës.

Vrasja e Milladin Popoviqit, u mor pretekst për fillimin e likudimit të një numri të madh të kuadrove komuniste shqiptare të Kosovës, në mesin e tyre, Ibrahim Banush Hoxha i Sedllarit, pastaj Xheladin Hana nga Gjakova, më vonë Rifat Berisha nga fshati Berishë i Rrafshnaltës së Drenicës e shumë të tjerë. Vrasja e Milladinit u mor pretekst edhe për likuidimin pas shpine të mijëra shqitarëve të mobilizuar në brigadat, batalionet e divizionet e armatës jugosllave që i nisën në Drejtim të Tivarit e Dalmacisë dhe të tjerët që i nisën në drejtim të Mitrovicës së Sremit në Vojvodinë.

Kreu komunist i Kosovës, në krye me Dushan Mugoshën, Spasoje Gjakoviqin, Ali Shukriun e të tjerë ishin betuar se për Milladinin do t i vrisin 5000 shqiptarë, ashtu sikur i ishte betuar dhe i kishte vrarë edhe Millovan Gjillasi për vrasjen e babait të tij nga shqiptarët. Kuadrot partizane malazeze-serbe në Kosovën e pas luftës duke filluar nga Milladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Spasoje Gjakoviqi, Millan Darleviqi, Millovan Gjillasi, Gjuro Medenica, Petar Brajeviq, (i vrarë në Drenicë) e të tjerë, në bashkëpunim me kreun komunist të Kosovës, Ali Shukriu, Xhevdet Hamza, Xhavit Ninami, Mehmet Shoshi, Mehmet Maliqi, Shaban Kajtazi, Mehmet Hoxha e të tjerë, kanë kryer krime sistematike kundër shqiptarëve deri në vitin 1952. Mendohet se gjatë asaj periudhe kohore janë vrarë e pushkatuar më shumë se 5.000 shqiptarë, ndërsa janë dënuar mijëra syresh prej 1 deri në 20 vjet burg.

Terrori shtetëror jugosllav kundër shqiptarëve nuk ndaloi deri në qershor të vitit 1999, kur  Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me përkrahjen e forcave ushtarake të NATO-s dëbuan përgjithmonë forcat fashiste kriminale të regjimit të Beogradit nga vendi ynë.

Vrasja e Milladin Popoviqit për shumë vjet më vonë e deri në vitet tona, ka mbetur objekt interpretimi ndër më të ndryshmet. Duke qenë se ai llogaritej si një internacionalist, madje edhe dashamir i shqiptarëve, një pjesë e kreut komunist të Kosovës, pretendonte se atë e kishte likuiduar OZN-ja me qëllim për të marrë  pretekst dhe  për të vrarë një numër shumë të madh të shqiptarëve. Këtë teori e kishin mbështetur jugo-komunistët e Titos me qëllim që ta tregonin përcaktimin e tyre politik për Beogradin, duke mohuar mundësinë e vrasjes së tij nga shqiptarët. Ata fshihnin faktin e Milladin Popoviqi kishte ideuar dhe nënshkruar vendimin për Shpalljen e Gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë dhe sulmin barbar e fashist kundër  Drenicës me 39.000 forca ushtarake. Haki Tafa e kishte kryer atentatin duke goditur kokën e kriminelit, që fshihej nën petkun e komunistit internacionalist.

(Haki Taha, u lind në Gjakovë, në vitin 1913. shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Shkollën fillore “Kosova” në Krumë të Hasit, në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër e Shkollën Normale në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shinavlash të Shqipërisë. Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje edhe Haki Taha, ku, bashkë me shokët e vet, Hysni Zajmin, Fadil Hoxhën, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gazinë etj., gjatë verës, organizoi kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe. Mirëpo, si mësues ishte shumë i dashur nga nxënësit dhe shumë i nderuar nga populli. Në vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar, Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata që i ogranizoi të rinjtë e Gjakovës që, me flamur kombëtar, pa shenjat fashiste të “liktorit”, t’i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, si kishte vendosur qeveria e tij. Pas vizitës së kryeministrit Mustafa Kruja, pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, u hap edhe dega e Shkollës Normale me drejtor Zekeria Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare).

Prenk Gruda ( 1912-1999)

Një kujtim për Haki Tahën

Populli ynë ka nxjerrë gjithmonë nga gjiri i vet njerëz të sakrificave e në shërbim të çështjes kombëtare e për qëndresë burrnore, tue përballua me vetmohim vështirësitë ashtu siç asht tue i përballue me vetmohim e tue qëndrue granit-heroizmi populli i Kosovës. I frymëzuem natyrisht prej bijëve e bijave të tij si Haki Taha, duke ecur në gjurmët e Azem e Shote Galicës, të Gjon Serreqit e Marie Shllakut e me qindra të tjerë heronj e dëshmorë që luftuan për Kosovën, për Shqipërinë Etnike. Ata u desh të përballonin në këtë luftë jo vetëm pushtuesit sllavë, por edhe komunistët shqiptarë të çoroditun me kryetarin e tyre të degjeneruar, sllavo-komunistin, shkatrruesin e Kombit, Enver Hoxha.

Për kryetrimin Haki Taha mund të flasish e shkruash një libër të tërë, por unë po marr përsipër veç një kujtim të shkurtër nga njohja e miqësia në rininë time shkollore e më pas.

Ishte prej Gjakove që ka qenë gjithmonë një çerdhe e shqiptarizmit. Hakiun e njoha për herë të parë në konviktin “Malet Tona” në Shkodër, mandej na ra për disa vjet me kalue së bashku në Normale të Elbasanit e Shkollë Teknike në Tiranë, gjatë pushimeve shkollore.

Hakiu ishte i gjatë e i hollë me një trup të hijshëm burrnor. Ishte i dashtun e shumë i njerëzishëm, por i padurueshëm me ata që anonin nga e majta duke mendue se kështu i shërbenin Kosovës e Shqipërise Etnike. Bile një herë u ngatrrue keq me Asim Vokshin e gjithnjë i kritikonte Emin Durakun e Xheladin Hanën tue iu thanë se rusët kanë ndryshue kryeqytetin e taktikën, por kanë gjithmonë të njëjtën strategji pansllave, përpimjen e shqiptarëve për dalje në ujrat e ngrohta të Mesdheut etj.

Fjalët e Hakiut ishin bindëse, sepse ai thoshte të vërtetën pa zbukurime si dhe pa frikë. Fjala e tij zinte vend dhe sytë e tij ishin imponues besimi. S’kishte shumë shokë, mbasi ai gjithnjë lexonte vepra frëngjisht dhe nuk e kisha parë të lexonte shpesh libra të mësimeve shkollore, e megjithatë ai ishte përherë ndër të parët e klasës së tij, gja që e provon se ishte shumë i squet.

Ka qenë shkrimtar i mprehtë e prozator e poet. Përshëndetja e Kosovës nga Qafa e Prushit 1938, në “Hylli i Dritës” është shumë mallëngjyese, një hymn i djelmënisë shqiptare për Nanën Kosovë. Ma vonë shumë shkrime të tjera të botueme apo dorëshkrime provojnë aftësitë e Hakiut si shkrimtar.

Ai ndiqte gjurmët e Apostujve të Rilindjes. Fishta e Naimi ishin për të Ungjilli e Kurani. Admironte Mjedën e Asdrenin, Prenushin e Çajupin. Interesant ishte për mue kur vinte padër Anton Harapi e fratel Gjoni me u takue me Haki Tahën në Normalen e Elbasanit e në Shkollen Teknike në Tiranë.

Më 28 shkurt 1937, Hakiu formoi një celulë të fshehtë, në formë organizate, vetë i pestë: Haki Taha kryetar, Minush Lipovski, Zeki Shehi (të tre gjakovarë), Murat Llabunishti nga Struga e Prenk Gruda prej Malësisë së Madhe të Shkodrës. Ne ishim të gjithë të betuem për çdo gja me e mbajt sekretin, me qenë të gatshëm po të jetë nevoja, me e dhanë jetën për kauzën e shejtë të Kosovës.

Duhej me u ruejt mos me ra në sy të Qeverisë së asaj kohe, e cila nuk lejonte manifestime për çështje të Kosovës as të vendeve të tjera etnike në robni në Jugosllavi e as për Çamërinë nën robërinë greke. Qëllimi kryesor ishte me mbledhun lajme për gjendjen e terrorit në Kosovë, për krimet serbo-malazeze e maqedone mbi shqiptarët e pambrojtun. Mu në anën veriperëndimore në Fushë-Mbret në Elbasan, ishin instalue nja 30 familje kosovare dhe me ta ishim për çdo javë, disa prej tyne pranuen me shkue në Kosovë mëfshehtas me marrë hetime mbi çdo gja që banin sllavët në damin e shqiptarëve.

Haki Taha kishte takime me disa personalitete në Tiranë dhe me fretën në Shkodër. Ishte shumë aktiv dhe për çështje shqiptare nuk lodhej kurrë tue folë e punue. Thonte, duhet edhe ne shqiptarët të bashkohemi si bota e qytetnueme në Shqipni Etnike. Ai nuk ishte agresor e as urrejtës për hakmarrje, por vetëm për liri e bashkim të trojeve, sepse thonte s’ka Shqipni të madhe e as të vogel veç asaj ku ende janë shumica shqiptarë e shungullon amël gjuha shqipe…

Në Shqipni e në Kosovë Haki Taha pothuejse asht harrue nga terrori e nga propoganda komuniste e Enver Hoxhës me shokë, që janë përpjekë me vu në dukje Miladin Popoviçin, mësuesin e tyre si gjoja shqiptarofil ndërsa Haki Tahën si fashist. Kurse në mërgim asht folë e shkrue shumë pak për Haki Tahën nga disa grupe e njerëz partinash, tue dashtë me paraqitë se Hakiu ka qenë me ta e asht i tyne…

Mirëpo Haki Taha nuk ka pas grup e as parti, vetëm ka qenë shqiptar e për Shqipni Etnike.

Haki Taha i qëndron besnik betimit dhe më 14 mars 1945, i hyn në zyrë në Prishtinë Miladin Popoviçit tue i thanë se “mjaft ma i ke mashtrue e tradhëtue shqiptarët” dhe e vret.

Hakiu nuk ja duel me u arratis prej Prishtine, prandaj vret veten. Minush Lipovski e Zeki Shehi kanë vdek ndër tortura në Goli-Otok, ndërsa Murat Llabunishtin, Sigurimi i Shqipnisë e ka arrestue në Elbasan e dorëzue UDB-së jugosllave në Shkup ku e kanë mbyt me tortura, ndërsa Prenk Gruda (shën. autori i shkrimit) ka mbet dëshmitar i shokëve të tij dhe i shumë çështjeve tragjike shqiptare.

Asht folë se masakrimi i 5-6 mijë shqiptarëve në Tivar u ba atë ditë që Haki Taha vret Miladinin, gjoja për hakmarrje. Prishtinën e hymnizoi gjaku i Haki Tahës – Hero dhe Tivari u la me gjakun e mijra shqiptarëve të pafajshëm – dëshmorë të Kombit Shqiptar.