muqa 900
vipa
mbpzhr
Fillimi / Tema Historike / Ismet Azizi: Në Pazarin e Ri u mbajt tubimi “Marshimi në Haxhet dhe lutja për dëshmorët”
Ismet Azizi

Ismet Azizi: Në Pazarin e Ri u mbajt tubimi “Marshimi në Haxhet dhe lutja për dëshmorët”

Dita e Marshimit në Haxhet është përcaktuar para shtatë viteve. Popullata e Sanxhakut, nën udhëheqjen e prijësve fetar, më 4 shtator të viti 2010, u përplas me forcat speciale policore serbe me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së vakëfit nga grabitja. Ata kanë mbrojtur edhe hapësirën ku të parët e tyre janë ekzekutuar dhe varrosur në një varr masiv.

 

Të hënën pasardhësve të ekzekutuarve dhe disa qindra besimtarëve, nën organizimin e Bashkësisë Islame në Serbi dhe  Bashkësisë Kulturore të Sanxhakut, iu prinë përfaqësuesit e Meshihatit të kryesuar nga kryetari myftiu Mavludin Dudiq dhe delegacioni i Bashkësisë Islame të Gjilanit, kryesuar nga kryetari Naim Aliu, sekretari Agim Hyseni dhe kryemami Iljaz Mustafa, i cili për herë të parë mori pjesë në këtë manifestim.

Në hapësirën e vakufit “Mearif” kënduan hafizi Abdurrahman ef. Kujeviq, Haris ef. Saraçeviq, Nexhad ef. Çupoviq, Emin ef. Hrapoviq, Haris ef. Haxhiq dhe Irfan ef. Maliq.

Edhe pse nuk dihet saktësisht numri i shqiptarëve të ekzekutuar, besohet se shumica ishin shqiptarë.

Pas depërtimit të forcave partizane-jugosllave në këto treva, prijësi kryesor i kësaj treve, Aqif Blyta, me prejardhje nga Gjakova, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri dhe pas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacën, u ekzekutuan në Haxhet, në lagjen e sotme të Pazarit të Ri, më 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.

Pjesëmarrësve në këtë manifestim iu drejtua muftit Zukorliq tash deputet në Parlamenitn e Serbisë dhe Myftiu i Sanxhkut, Mevludin Dudiq.

Të pranishmëve iu drejtua lideri i BDS, njëherit deputet në Parlamentin e Serbisë  z. Muamer Zukorliq, i cili ngriti zërin duke  gjykuar gjenocidin serb ndaj popullsisë së Sanxhakut.

Ai u thënë të  pranishmëve se: “përfaqësuesit e një shteti 71 vjet më parë kanë vrarë njerëz të pafajshëm për shkak se ata i përkasin një etnie tjetër dhe për shkak që politikisht dhe ideologjikisht nuk ishin të përshtatshëm për regjimin e atëhershëm. Përfaqësuesit e këtij shteti në mënyrë të qartë duhet të distancohen nga ky krim.”

Zukorliq rikujtoi kremtimin e përvjetorit të parë e kur autoritetet u përleshën me popullin, duke shtuar: “Duam të besojmë se do të vijë një kohë e tillë kur qeveria dhe populli do të jenë në të njëjtën anë, në radhë (saf) të njëjtë për lutje dhe nën të njëjtin bajrak. Kjo do të ndodhë kur në të gjitha nivelet e qeverisjes të përfshihen përfaqësuesit të cilët nuk janë në kundërshtim me popullin, të cilët respektojnë atë që respekton populli.”

Presidenti i Meshihatit i BI në Serbi, mufti dr. Mevlud ef. Dudiç, duke folur para  të pranishmëve,” Jemi mbledhur këtu që të rikujtojmë  shahitët e Hxhetit, nga radhët e boshnjakëve dhe shqiptarëve, ata të cilët vetëm pse ishin në rrugë të zotit u vranë. Ata u vranë sepse  e ruajtën krenarinë e tyre, u vranë për shkak se nuk deshën të  shitën dhe të tradhtojnë

Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe hyrjes së partizanëve në qytete të Sanxhakut qeveria komuniste  mori vendimin që me procedurë të shpejtë të ndëshkojë të gjithë ata të cilët sipas vlerësimit të tyre nuk ishin në  linjë të regjimit. Në shënjestër të sunduesit të sapoardhur u gjetën pothuajse e gjithë elita e asaj kohe, e cila nuk ishte anëtarë të lëvizjes serbo komuniste-partizane.

Bombardimet e alenacës veri-atlatike në Pazar të Ri, pas bombave të hedhura në Haxhet krijuan kratere të cilat u përdoren si varre masive për të gjithë sanxhaklinjët e ekzekutuar. Deri më sot, asnjë nga këto varreza nuk janë evidentuar-shënuar. Por aktivitetet që po ndërmerr Bashkësia Islame dhe Këshilli Kombëtar Boshnjak për të sqaruar ngjarjet që lidhen me krimin kundër popullsisë japin shpresë se një gjë e tillë do të ndodhë.

Mbledhja e provave të shkruara dhe dëshmitë e regjistruara të bashkëkohësve dhe të pasardhësve të viktimave, do të mundësojë të shënohet vendi i krimit.

Ekzekutimet e shqiptarëve dhe boshnjakëve  në Haxhet janë kryer në shumicën e rasteve me procedurë të shpejtë, pa asnjë procedurë gjyqësore, pa të dhëna dhe dokumentacion të shkruar. Njerëzit janë marrë gjatë natës me forcë nga shtëpitë e tyre dhe janë dërguar në vendin e përmendur për ti ekzekutuar. Në atë kohë filloi grabitje e pronës së njerëzve më të pasur. Anëtarët e OZNA kanë përcjellë njerëzit me autoritet dhe kanë regjistruar të gjithë ata që me ta kanë pasur ndonjë lloj kontakti. Menjëherë pas kësaj, kanë filluar arrestime masive. Të arrestuar janë marrë në burg, i cili ndodhej pranë ndërtesës së gjykatës së atëhershme. Dëshmitarët thonë se torturat ishin aq mizore, sa që banorët e lagjes janë detyruar të largohen në pjesë të tjera të qytetit, sepse nuk mund të përballoheshin britmat e atyre që ishin prapa mureve të burgut .

Njerëzit u ekzekutuan kryesisht gjatë natës, një përjashtim i rrallë ishte kryetari i komunës dhe prijësi politik e ushtarak, Aqif Efendi Blyta, të cilin më 21 janar të vitit 1945, së bashku me bashkëpunëtorin e tij Ahmet Daca, u ekzekutua në mes të ditës. Ekzekutimi është bërë publikisht në mënyrë që të shërbejnë si një paralajmërim për ata që e kishin përkrahur dhe adhuruar.

Pas ngjarjeve në Haxhet filloi një valë e emigrimit në Turqi, si dhe më vonë një valë edhe më masive emigrimit, do të përsëritet në kohën e Aleksandër Rankoviqit.

Husein Zatriqi nga Pazari i Ri për ngjarjet e kësaj kohe thotë:”Atëherë kryetar i gjykatës ishte njëfarë Xhorxhe Peruniqiqi, i cili e ka dërmuar popullin. Në Haxhet përveç  Aqif Efendiut, më kujtohet se është ekzekutuar  Ahmet agë  Daca, Qamil Karishiku, Ibrahim-lbro Rasovci, i biri i Salih-beg Rasovcit, Abit Grboviqi – Sheqerxhia, Azem Balina, Mehmed Qilerxhiqi, Hasib Nikshiqi, Iso Hrvaqa, Amir Brunqi, Osman Zvizdiqi nga Senica dhe shumë të tjerë. Ata ishin tmerrësisht shumë, nuk po më  kujtohen të gjithë ata të pafat të cilët kanë humbur jetën edhe pse ishin në rrugë të perëndisë. ”

Dëshminë autentike për ekzekutimin e Aqif Blytës dhe Ahamet Dacin, dy prijësve më eminent të Sanxhakut, e ka lënë plaku Jusuf  Poplata, nga Pazari i cili jeton në Stamboll.“Më kujtohet si sot“, e fillon tregimin  Jusuf  Poplata, “në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të pushkatohen Aqif Efendia dhe Ahnet Daca. Unë në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medë Rozhajën. Të reshurat e borës kishin arritur trashësinë deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet e Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotëm. Dikur aty ka qene një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qenë të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për t me zinxhir me duar mbrapa. U dha komanda që të bëhet pushkatimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha komandën që të pushkatohen. U dëgjuan refalet dhe që të dy lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën në qafë për të vërtetuar pulsin  dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë, sepse ende i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori nxori pushkën automatike gjermane  dhe e qëlloi Ahmet Dacën në kokë. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapet e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na u është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk din”.

Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momentet e së kaluarës  dhe me respekt njeriun më të çmuar të kësaj treve, por edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.

Për krimet që janë kryer nga  partizanët pas vitit 1945, kur lufta kishte përfunduar në Sanxhak, shkroi Husnija. H. Çengiç në “Muslimanski Glas” të 05 korrik 1991:

“Kur çetnikët përfunduan masakrimet,ndaj popullsisë së Sanxhakut i filluan partizanët. Ata, për dallim nga çetnikët vranë vetëm të rriturit,intelektualët, parinë e qytetit, ata të cilët nuk u pajtua me ideologjinë komuniste. Ata i vranë me një procedurë të thjeshtë. I nxirrnin nga shtëpitë, i arrestonin me shpejtësi, i merrnin në pyetje, “i gjykonin”, i dënuan  dhe i ekzekutuan… Ky gjenocid komunist është dukshëm më i vogël, por për nga cilësia shumë më i vështirë . Pra në Haxhet  në Novi Pazar janë vrarë një numër i madh të dëshmorëve, njerëz të pafajshëm të cilët paguan çmimin për shkak se kanë luftuan kundër çetnikëve … Çetnikët i  kapnin, i sillnin nga  pylli, i merrnin në pyetje, iu kërcënoheshin që të mos   kthehen në radhët e çetnikëve. Atyre iu  falën të gjitha  mëkatet, sepse qysh në nëntor 1944  çetnikët u amnistuan por jo edhe të tjerët  … ”

Popullit të Sanxhakut iu deshën 50 vjet kohë për të mbledhur forcë për rehabilitimin e Aqif Blytës, i cili është një nga figurat më të ndritura të Sanxhakut dhe më gjerë. Populli i Sanxhakut këtë e bëri nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Këshillin Kombëtar Mysliman të Sanxhakut (sot Këshilli Kombëtar Boshnjak ) më 11 maj 1991. Megjithatë, intelektualët e Sanxhakut ende janë në pamundësi të ballafaqohen me bërthamën e kësaj çështjeje, me për përpunimin në aspektin shkencor të rolit dhe rëndësisë së milicisë myslimane në Luftën e Dytë Botërore, prijës i së cilës ishte Aqif Blyta.

Me disa përjashtime siç janë Mustafa Memiq, Safet Banxhoviq dhe historiani Esad Rahiq, mandej edhe Instituti për hulumtimin e gjenocidit të komunizmit në Sanxhak, po japin kontribut të çmuar, por ende nuk është ndriçuar e vërteta historike e kësaj treve. Trevë, e cila deri atëherë ka qenë e populluar me shumicë shqiptare, për të cilën sot rrallë kush flet. Esad Rahiq me të drejtë shtron pyetjen: A janë “kuislingët” lokal si Aqif  Blyta, Ahmet Daca, Bilall ( 1909) dhe Dervish Dreshaj (1907) nga fshati Gllogovik, Peshter, me të vërtetë tradhtarë, apo anasjelltas, të cilët ishin njerëz shumë të guximshëm që shpëtuan qytetin tonë nga gjenocidi i plotë? Këtë dhe shumë çështje dhe dilema të tjera mund të zgjidhen vetëm me një studim të plotë, konciz dhe me kritere të vërteta të bazuara në të vërtetat historike.

Delegacioni i Bashkësisë Islame, në krye me  Naim Aliun, vizituan Bashkësinë Islame në Serbi, dhe Fakultetin për studime islame. Me këtë rast me Myftiun prof. Dr.Dudiq dhe  prodekanin e FIS-it, Prof Dr.  A. Muratoviq u bisedua për mundësinë e bashkëpunimit në mes të këtyre institucioneve.

Të shpresojmë se edhe në të ardhmen, në shënimin e kësaj date shumë të rëndësishme për të kaluarën historike, të vazhdojnë të marrin pjesë, jo vetëm përfaqësues të Bashkësisë islame , por edhe pasardhësit, gjegjësisht, familjarët e këtyre viktimave.