driloni com
vala – old
muqa 900
mbpzhr
vipa
Fillimi / Personalitete / Luigj Gurakuqi (1879 – 1925) ishte ndër personalitetet kryesore të Lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike
Luigj Gurakuqi

Luigj Gurakuqi (1879 – 1925) ishte ndër personalitetet kryesore të Lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike

Luigj Gurakuqi ka qenë njëri ndër personalitetet  kryesore të Lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së Atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Luigji u lindi në Shkodër, në vitin 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shënmitër Koronës, në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës. Pastaj vijoi studimet e larta në shkencat biologjike, në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda).

Më 1908,  u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë (nëntor), ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i I.Qemalit.Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, me pushtimin e Shkodrës nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet, në Podgoricë. Gjatë pushtimit austro-hungarez, duke shfrytëzuar postin e drejtorit të përgjithshëm të Arsimit dhe koniunkturat politike, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916, ku u tregua një lëvrues i zoti i gjuhës shqipe duke krijuar përveç të tjerash edhe një varg fjalësh të reja që hynë në fondin e saj. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 ku zgjidhet ministër i Arsimit në qeverinë e përkohshme e anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. Mori pjesë gjallërisht në Revolucionin demokratiko-borgjez të Qershorit 1924 duke qenë një nga frymëzuesit e udhëheqësit kryesorë të tij. Në qeverinë e kryesuar nga Fan S.Noli u emërua ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Me armë në dorë, me artikujt programatikë e me fjalimet e tij të zjarrta, Luigj Gurakuqi luftoi jo vetëm për një Shqipëri të lirë e të pavarur, por edhe për një shtet modern, i cili nëpërmjet reformash demokratike të zhdukte prapambetjen, të ndryshonte me shpejtësi pamjen e tij, të fitonte kohëne humbur gjatë shekujve të robërisë.

Në vitet 1921-1923, Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i Fan Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.

Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, dhe më 2 mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur “Syrgjyn-vdekur”, kurse populli pas luftës ia soli eshtrat në atdhe dhe e nderoi me titulin e lartë “Hero i Popullit” dhe “Mësues i Popullit”.

Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim më 1941.

Në poezinë e parë, që është përgjigje për vjershën “Shko dallëndyshe” të F.Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë.

Krijimi më i njohur i tij është vjersha “Qëndresa“, ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.

Është ndër krijuesit dhe pedagogët e  parë, që parashtroi kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.

L.Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjëlit, të cilat i botoi në “Këndimet” (1912).

Interes të veçantë paraqet libri “Vargnimi në gjuhën shqipe” (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë.

Edhe si publicist L.Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista “Albania”, te “Kalendari Kombtar”, në gazetat “Drita”, “Liria e Shqipërisë”, “La Nacione Albanese”. Si stilist i shquar, ai ka lënë modele të prozës publicistike në dy dialektet.

L.Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publicist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.

(Denis Zavalani)

 

Tri poezit të Luigj Gurakuqit

 

T falun atdhetarit të Kosovës

(Për të mira qi â tuj u-përpjekë me bâ për gjuhë shqipe)

 

Sado nen êmën i t’Kosoves je mblue

Po m’dan prej Shkodrës s’ime;

Vllaznisht po t’falem pra qi ke fillue

Me i prû giuhës s’on ‘ lulzime.

 

Me t’ dreit’ sot ka përse m’u-gzue Shqipnija,

Sot ka kê me thirr’ bír;

Pse me irrit’ êmnin po punon djelmnija,

E giuhën me i a dlír.

 

Kety gjuh’ t’ tingllueshme, t’ambel e trimnesh’

Ket gjuh’ plot bukurí;

Qi né t’mjerve na e çon gjith zêmrën pesh’

N’ dhé t’huej lark tuj e ndí.

 

Por prap sot jan’ disa qi edhe s’kuptojnë

I gjuhës ç’âsht përparimi;

Tuj ndrrue gjuhën t’falitunit mendojnë,

Se vjen qytetënimi.

 

Ktyne njerzve qi mbahen gjind me krye,

Sa t’dalin prej gzhoj’s s’vet,

E t’ rrîn jashta do dit, kur kan’ me kthye

S’ke shqip mâ pse ju flet.

 

Por n’mos e paçim prap faret harrue,

E flasin tan’ perzije;

Me i pvet’ : « Ej ç’keni bâ, si keni shkue ? »

T’thon « Dobro, kako vije? »

 

« Ma jena già merzit; ktû as dreqi i s’rrî ;

Halà jan ‘ rozzi ed empi;

Nder vende t’jera kem, la Dieu merci,

Shum qefe e passatempi .»

 

« Del nieri me shtetit’ , shkon al Caffè;

Merr bash’ la sua ragazza

Mblidhna per nat’ nder balli e soirée

Si gode e si gavazza.

 

Ktu invece s’dijn neanche per idea

Ç’ka do me than’ progresso ;

Jan’ gjind t’egjer ancora, gente rea

S’nderojn il debol sesso. »

 

Kshtu flasin, bisedojn, kshtu djekt e vet

Pezmojn t’mjeren shqipní;

Dy fjal’ s’mund t’ thon’ jrejt shqip, pse Zoti vret

Fjal’t t ‘thueja mbrend’ pa shtî.

 

S’po flasim per buongiorno e buonasera

Kto fjal’ i ndijm pa dá :

Do m’u-përshndet’ thon’ tash deri kali imera,

Guttmorgen herren, disá.

 

Ah t’falitun! Ku e xût ket diturije?

Fort jeni tuj gabue !

Se njallet poplli, der sot kush s’ka ndije ,

Gjuh’ e zakon tuj ndrrue !

 

Si t’bjerr’ gjuhën nji popull shqim mbaron ;

N’shum çeta ka me u-dá :

Gjuha njerzt e nji kombi i bashkon,

I lidh si vllan me vllá.

 

Si t’lam zakonet qi kem’ pas’ ne e par’ ,

Prindt t’on’ si t’i mohojm,

Fisnik’ mâ s’jemi, s’jemi mâ Shqiptar’

S’kem mbrapa kuj t’i shkojm.

 

Pra ju Shqiptar’t e rí pade m’diftoni

Ku e xût ket far’ njerzijet

Qi mbaheni si t’ardhun nga Londoni,

Prej Francës o prej Austrijet.

 

Kjet ndoshta der n’ Triesht’ o n’ Dobrovnik,

Der n’Vjen’ o der n’Trebin’;

O shkuet n’Ismir, n’ Paris o n’Venedik,

O der n’t’ vorfnën Cetin’

 

E me ‘i her’ ndrruet; me ‘i her’ filluet me than’

Qi na s’kemi njerzí;

Qi s’nderojm grat, qi dorën s’dijm me e dhan’.

Qi s’dijm me ndej’ n’shoqní !

 

Une pra kam sa dit qi rrî n’dhé t’huej

E s’munden me e zan’ bes’

Qi t’ jen’ njerzî kto pun’ ; qi i thrras , n’gjuh’ t’ huej :

Affectée politesse.

 

T’kqyrim, gjithsa mundohna, për Atdhé,

Mos m’e marrue Shqipnín;

T’marrim prej tjerve çka t’jen mir’ për né,

E t’lam’ m’njen’ ân’ teprín.

 

E ty, i Kosoves Shkrimtar, qi jé tuj krye

Mbi gjuh’ shum zbukurime,

T’lutem mos me u-marzit’ e me pelqye

Nyi shndet prej zêmrës s’ime.

 

 

 

Qëndresa

 

Me gusht shkon vapa, e me djelmni kalojnë

Gjithë përrallat e kohës së re,

Si n’dimen bora dhenë, kryet na zbardhojnë

Vjetet e kujdeset ne !

Me lule t’ershme e larca më dukej shtrue

Bota sa ishe i ri ;

N’gaz m’shkonte jeta, s’m’epej kurrëm’u ankue

Kurrë zemra s’m’ndjellte zi.

Por ! andrrat sot kaluen, prrallat djelmore

Janë zhdukun e kanë tretë ;

Idevet t’bukura, shpresavet lulzore

Veç emni u ka mbetë.

Veç një qëllim i naltë t’ban me durue,

E zemrën ta forcon ;

Ndër kundërshtime s’vyen kurrë me u ligshtue

Mjer’ ai që nuk qindron !

 

 

Shtëpisë sime

 

Te ti m’flutron mendimi,o shpiza e ime ,

Kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue;

Te ti,ku nisa s’parit me jetue,

Ku qela sytë, ku u reva ,e pata gzime.

 

Gjith her’ ndër mend t’ kam ty,ku laq kujtime

T’ ambla,qi jetën m’ pan nji ditë gazmue;

Vetëm n’ dhe t’ huej,tue vuejt e tue largue,

T’kam n’zemër ty,ku ndieva t’ parët dashtnime.

 

Ai skaj ma i vogli i yt,ma e vogla skut

E jotja ka për mue aq ambëlsi

Sa veq kujtimi i ynë shpirtin m’ kputë

 

E kur me ra shkoi n’mbramje,me mjeri

Ty t’ mendoj, e i thom vedit:oh a ma i butë

Shtrati e ma i kandshëm a pushimi n’shpi !