Mehmet Zenun Mustafa (17.3.1938 – 15.1.1999)

Mehmet Zenun Mustafa (17.3.1938 – 15.1.1999)

Reçaku, luftës për çlirimin e trojeve shqiptare ia ka dhënë 12  dëshmorë dhe 42 martirë. Masakra mbi popullatën civile, të cilën e kryen forcat ushtarake dhe policore serbe, më 15 janar të vitit 1999, kundër banorëve të këtij fshati ishte ndër më monstruozet përnga mënyra e ekzekutimit dhe masakrimit të kufomave. Akti i asaj  egërsie barbare, të cilën e kryen serbët e militarizuar mbi shqiptarët e paarmatosur  i dha lemerinë forcave demokratike përparimtare të mbarë botës. Krimi makabër kundër civilëve, bëri që të aktivizohet diplomacia përparimtare botërore, e cila aktin e shëmtuar të masakrimit e trajtoi si “krim të rëndë kundër njerëzimit”. Më 15 janar të vitit 1999, nga radhët e luftëtarëve të Reçakut kanë rënë në mbrojtje të popullatës civile, Mehmet Mustafa, Kadri Syla, Enver Rashiti, Shaqir Berisha, ndërkohë që kanë rënë në përpjekje për tërheqje të popullatës, Lutfi Bilalli, Nexhat Ramadani, Sadik Osmani dhe Ragip Bajrami. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së kanë rënë edhe Alush Mustafa, Afrim Syla, Idriz Mehmeti dhe Elmi Kamberi, i cili ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të gjithë nga Reçaku.

Gjatë masakrës së ofensivës serbe në Reçak, policët dhe ushtarët serbë, masakruan këta banorë të Reçakut: Hakip Imer Hakipi, 30-vjeçar, Ahmet Izet Ahmeti, 60-vjeçar, Eshref Halim Jakupi, 53-vjeçar, Lutfi Hasan Maliqi, 44-vjeçar, Jashar Milaim Jashari, 25-vjeçar, Njazi Sherif Zymeri, 44-vjeçar, Shyqëri Ismajl Ismajli, 60-vjeçar, Haqif Shefki Hysenaj (Petrovë) 49-vjeçar, Muhamet Faik Ismajli-Reçak, 44-vjeçar, Fatmir Faik Limani, 35-vjeçar, Murtez Ramiz Ymeri, 30-vjeçar,  Mehmet Qerim Jakupi 43-vjeçar, Muhamet Hafiz Imeri, 22-vjeçar,   Shukri Milaim Jashari, 19-vjeçar, Sheremet Shyqëri Ismajli, 35-vjeçar, Mufail Mehdi Hajrizi,30-vjeçar, Bujar Hanefi Hajrizi – Reçak, 19-vjeçar, Salih Faik Limani 24-vjeçar, Nexhat Faik Limani, 22-vjeçar,  Xheladin Ahmet Jakupi,17-vjeçar, Raif Milaim Jashari, 17-vjeçar, Bajrush Nesret Shabani, 23-vjeçar, Rizah Maliq Beqiri, 49-vjeçar, Halim Riza Beqiri, 13-vjeçar, Zenel Shefqet Beqiri, 22-vjeçar, Bajram Sokol Mehmeti, 50-vjeçar, Hanumshahe Bajram Mehmeti, 22-vjeçare, Ajet Minush Emini, 37-vjeçar, Nazmi Nuhë Imeri, 75-vjeçar, Banush Azem Dauti –65-vjeçar, Haki Murat Metushi, 65-vjeçar, Sabri Murat Metushi, 60-vjeçar, Arif Murat Metushi, 55-vjeçar, Hajriz Brahim Brahimi, 58-vjeçar, Ahmet Zenun Mustafa, 65-vjeçar, Skënder Sylejman Halili, Mustafë Beqë Asllani, 42-vjeçar, Bajram Haki Xheladini, 33-vjeçar, Sahide Haki Metushi – Reçak, Hanumshahe Sadik Mujota-Mollapolc, rreth 16-vjeçare. Deri në përfundim të luftës në këtë fshat u vranë edhe Halit Shaqiri, 54-vjeçar dhe Avdyl Sejdiu, 95-vjeçar, i cili u dogj brenda shtëpisë ku ishte i strehuar.

Mehmet Mustafa u lind më 17 mars të vitit 1938 në fshatin Reçak, komuna e Shtimes. Familja e tij është e njohur për qëndresën heroike gjatë luftërave për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë në këtë trevë. I lindur në kohën e okupimit jugosllav, Mehmeti nuk pati  rast të shkollohet, megjithatë falë interesimit të tij, në mënyrë autodidakte mësoi shkrim-këndimin e gjuhës shqipe. Edhe pse u rrit në kushte të rënda ekonomike, edhe pse nuk kreu shkollim të rregullt, ai ndiente mbi supe peshën e rëndë si tunxhi, të robërisë. Për shkak të qëndrimit të tij atdhetar, meqë kishte shprehur haptas mospajtimin me gjendjen e rëndë të shqiptarëve nën Jugosllavi, në vitin 1978  Mehmeti ishte dënuar dy vjet burg për veprimtari armiqësore, për veprimtari siç cilësohej, nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Burgun e ka vuajtur në burgjet e Kosovës, si në Mitrovicë, Gjilan, Smrekovnicë dhe në Prishtinës etj. Në qelitë e burgut ai ka qëndruar së bashku me Tahir Mehën e Prekazit i cili më 13 majt të vitit 1981, së bashkua me babain e tij, Tahirin, qëndroi dhe ra trimërisht në luftë kundër policisë jugosllave. Në vitin 1981, Mehmet Mustafa me bashkëfshatarin e tij, Shaqir Berishën, kishte marrë pjesë në të gjitha demonstratat që u zhvilluan në mars e prill të atij viti në Prishtinë.

Duke qenë i orientuar drejt kombëtarisht e politikisht, Mehmet Mustafa mori pjesë pothuajse në të gjitha lëvizjet politike dhe kombëtare prej vitit 1978 e deri në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e priti me entuziazmin e luftëtarit më të përkushtuar të saj. Ai ishte i njohur gjatë luftës me nofkën “Shpendi”, e cila iu ishte vënë nga bashkëluftëtarët për shkak të karakterit të tij dinamik, i cili bënte që ai të ishte i shpejtë si shpendi e të gjendej kudo ku e lypje.

Më 13 qershor të vitit 1998, në shtëpinë e Mehmet Mustafës ishte mbajtur takimi i parë lidhur me nevojën e shtrirjes së  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe në fshatrat Rancë e Reçak. Në atë takim kanë marrë pjesë: Ymer Alushani “Vogëlushi”, nga Komarani i Drenicës (dëshmor), Isak Musliu “Çerçizi”, Nuhi Jakupi “Hoxha” të dy nga Reçaku.

Shtëpia e tij në fshatin Reçak kishte një pozitë strategjike dhe për këtë arsye qysh herët ishte bërë bazë e parë për strehimin e armatimit, por më vonë ajo do të shndërrohet edhe zyrtarisht në bazë të parë të UÇK-së, për Reçak. Mehmeti, edhe pse në moshë të shtyrë, nuk përmbahej dot nga gëzimi dhe entuziazmi, kur më 13 qershor të vitit 1998 kishte veshur për herë të parë uniformën e UÇK-së. Edhe pse 60-vjeçar, ai kishte kondicionin dhe shpejtësinë e një të riu, siç e kujtojnë bashkëluftëtarët e tij.

Mehmeti ishte njëri ndër furnizuesit e zellshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte i sistemuar në Kompaninë e Reçakut të Brigadën 161 “Ahmet Kaçiku” të Zonës Operative të Neredimes. Ai shquhej në mesin e bashkëluftëtarëve të tij si Sadik Mujota, Ali Beqa, Islam Neziraj, Ismail Luma, Shaqir Berisha, të gjithë dëshmorë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dëshmori Mehmet Mustafa ka marr pjesë në shumë beteja dhe në vendluftime të ndryshme të zhvilluara në Reçak, Rancë, si dhe në Jezerc, ku qëndroi gjatë pesë ditëve të ofensivës së vjeshtës të vitit 1998. Ka marrë pjesë në luftimet e zhvilluara edhe në Carralevë, Belinc e në vende të tjera.

Më 15 janar të vitit 1999, në kohën kur forcat serbe kishin filluar bombardimin e Reçakut, Mehmeti ishte pozicionuar afër shtëpisë së tij, së bashku me Sadik Mujtën. Breshëria e armëve armike, e të gjithë kalibrave të armëve të artilerisë e të këmbësorisë kishte goditur istikamin ku ndodhej Mehmet Mustafa. Ai ra në këto istikame, në vendin e quajtur “Te Blini”. Po në të njëjtën kohë bie edhe Sadik Mujota dhe bija e tij e Hanëmshahja. Mehmetin, bashkëluftëtarët e varrosën më 18 janar 1999, në Varrezat e Dëshmorëve, në Mallapolc, tani Legjendas.

Familja Mustafa, për lirinë e kësaj toke, ka dhënë edhe dëshmorin, Alush Mustafa, si dhe martirin, Ahmet Mustafa, vëllai i dëshmorit. Mehmeti ka lënë pas djalin, Zukën, dhe katër bijat. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga shoqatat e dala nga lufta dhe nga Kuvendi Komunal i Shtimes. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fadil Vata - Shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror

Fadil Vata – Shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror

Fadil Vata 10.01.1962 – 25.04.1990 Po të mos kishte Kosova bij si Fadil Vata, pa …