leoni

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së Kaçanikut. Rrjedh nga një familje e spikatur me traditë liridashëse e patriotike. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në fshatin Nikaj, kurse katër të tjera në fshatin Biçec. Shkollën e mesme “Skënderbeu” në Kaçanik e mbaroi më sukses të shkelqyeshëm, në drejtimin matematikor. Në nëntor të vitit 1988, duke qenë maturant, i organizoi marshimin e nxënësve të shkollës së tij për në Prishtinë që të merrnin pjesë në protestat mbarëpopullore kundër ndryshimeve kushtetuese dhe diskriminimit jugosllav ndaj Kosovës dhe popullit të saj. Por në shkollë, autoritetet e dobëta i kishin marrë në shënjestër Ferizin dhe shokët e tij dhe prisnin t’i flaknin në rrugë. Mirëpo, në perkrahje të këtyre revolucionarëve ishte ngritur mësuesja kujdestare e klasës së tyre, e cila u doli në mbrojtje.
Pasi e kishte mbaruar shkollën e mesme, Ferizi regjistrohet ne Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës, në degën e energjetikës. Studimeve iu përkushtua me seriozitet. Merr pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat që zhvillohen në atë kohë deri kur okupatori jugosllav e mbylli Universitetin e Prishtinës më 1990. Ndërkohë Ferzit i vjen ftesa për të shërbyer në Armatën Jugosllave, por ai nuk pranon të shërbejë në armatë të huaj. Më 14 janar të vitit 1992 largohet nga vendlindja dhe shkon ilegalisht në Gjermani ku strehohet te kushëriri Nafi Guri. Atje u punësua dhe për 9 muaj punoi punë fizike dhe njëkohsishte mësoi edhe gjuhën gjermane. Në nëntor të vitit 1992 kthehet nga mërgimi dhe vazhdon studimet në kushtet e studimit në objektet private, të cilat studime i përfundoi në shkurt të vitit 1998.
Shpërthimi i luftës në Drenicë dhe në trevat e tjera e detyruan Ferizin të rrokë armët e lirisë dhe t’u bashkohet shokëve në frontet e luftës. Në komunën e Kaçanikut ishin formuar celulat e para të UÇK-së. Ai kontakton me Komandantin Agim Bajrami, në korrik të vitit1998 dhe pas konsultimeve me disa shokë, më 18 korrik të vitit 1998, ai niset për në Tropojë të Shqipërisë administrative për të kryer ushtrimet ushtarake dhe të kthehet ne frontet e luftës në Kosovë. Bashkë më Ferizin edhe bashkëluftëtarët: Hyzret Kyçyku, Zejnullah Selmani, Nusret Cena, Sylejman Selmani, Kamal Murseli, Musa Zenuni, Muhamet Zenuni, Nazim Terziu, Fadil Dalloshi, Agron Dalloshi, Reshat Murseli, Muhamet Malsiu, Muharrem Baftiu, Imri Topalli, Ferat Malsiu, Fatmir Luzha, Azem Guri, Muzafer Guri, Selim Zenuni, Selam Topalli, Azem Hasaj, Nazmi Hasaj, Hajredin Hasaj si dhe pas një kohe atyre iu bashkohen edhe Vllaznim Salihu dhe Zaim Salihu. Këtë njësi deri në Budakovë e kishte përcjellur Xheladin Kurtaj. Ndërkohë, njësisë së këtyre luftëtarëve, të ardhur mga Perëndimi u bashkohen edhe: Mehmet Ballazhi, Heset Malsiu, Berat Baftiu, Hysen Hashani, Ilir Zharku, Enver Vishi, Mustafë Berisha, Sadik Guri, Muhamedin Beqiri dhe Lumni Ismajli. Në Shqipëri në fushën e logjistikës ishin të angazhuar Xhafer e Xhabir Zharku. Gjatë stërvitjes në Shqipëri Ferizi arrin të përvetësojë në shkallë solide përdorimin e te gjitha llojeve të armëve artilerike me ndihmën e eprorëve nga Shqipëria. Pas përfundimit të stërvitjeve gjashtë javore, Ferizi me shokë niset për në Kosovë dhe pas shumë vështirësive e përballjeve me armikun arrin në Zonën e Nerodimës, ku pastaj në bazë të planit të shtabit fillon t’i stërvisë ushtarët e një skuadre në përdorimin e minahedhësve të kalibrit 60 mm. Kjo skuadër luftarake kishte arritur rezultate të mira në frontin e luftës në Jezerc, duke iu falënderuar angazhimit të Feriz Gurit- Komandant Shpatës. Në luftimet e Jezercit u dëshmuan aftësitë e jashtëzakonshme ushtarake të Komandant Shaptës. Më vonë, në bazë të planeve të Komandës së Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Ferizi vazhdon me operacionet luftarake në komunën e Kaçanikut ku aktivizon shumë të rinj në radhët e UÇK-së. Një përkrahje dhe ndihmë të pakursyer atij i kishte dhënë edhe familja e tij e posaçërisht prindi i tij Faiku dhe vëllai Hajrizi. Tani shtëpia e Faik Gurit ishte shndërruar në bazë të sigurt të UÇK-së dhe të gjithë anëtarët e familjes Guri ishin vënë në dispozicion të UÇK-së. Këtij kontributi iu kishte bashkuar edhe Xhevdet dhe Ahmet Gurit të cilët i kishin vënë shtëpitë e tyre në shërbim të UÇK-së.
Më 17 janar të vitit 1999, Ferizi ngarkohet me detyrën e komandantit të togut në fshatin Nikë. Komanda e brigadës 162 “Agim Bajrami”, duke parë aftësitë e tij luftarake dhe organizative në detyrën e komandantit të togut në fshatin Nikë, ku në bazë të sukseseve të tij shumë shpejt e emëron komandant të Kompanisë së Dytë në Batalionin e Parë. Këtë detyrë me përgjegjsi të madhe e kreu me sukses të lartë. Merr pjesë në betejën e datës 8 prill 1999 në Ivajë ku ishin zhvilluar luftime të ashpra kundër forcave armike dhe kishin qëndruar fortë në pozicionet e tyre. Në këtë betejë, Ferizit i plagosen: Muhamet Malsiu dhe Halil Kuka. Të plagosurit i tërheq Ferizi nëpër breshëri te plumbave. Ferizi merr pjesë edhe në betejën e 9 prillit 1999, kur armiku ndërmori një sulm të ashpër mbi pozicionet e UÇK-së në fshatin Nikë. Mirëpo, nga kjo betejë armiku u detyrua të tërhiqet me humbje më shumë të vrarë dhe të plagosur, ndërsa nga radhët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, plagë lirie marrin Shefki Guri dhe Jashar Selimi.
Ferizi bashkëpunonte edhe me shumë bashkëluftëtarë të tjerë, si: Hesat Guri, Xhevdet Guri, Murtez Neziri dhe me vëllain Kjaniun. Mjetet shpërthyese të improvizuara me mjaft mjeshtëri nga Ferizi ishin vendosur në pikat e rëndësishme kah mundë të depërtonin forcat armike. Këto mjete kishin marrë emrin: “Bombat e Shpatës”.
Feriz Guri, më 19 prill.1999 bashkë me bashkëluftëtarin e tij Xhevdet Guri, e kishte kaluar natën më zv. Komandantin Skënder Guri dhe me disa ushtarë të tjerë. Në orën tre të mëngjeit ishte nisur për të shkuar në fshatin Ivajë e Vjetër dhe prej atje për në fshatin Puset e Nikës e prej atje për në Maqedoni për të rregulluar disa detyra çështje të ndërlidhura me furnizimin me armatim. Më 22 prill 1999, në orët e vona të mbrëmjes, duke kaluar kufirin Kosovë – Maqedoni, në një luginë të fshatit Guran, Ferizi bashkë më luftëtarin Xhevdet Guri bie në pritë armike. Pas një qëndrese heroike, të dy luftëtarët e lirisë ranë në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë.
Rënia e komandant Shpatës dhe bashkëluftëtarit të tij Xhevdetit ishte një humbje e madhe. Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” duke parë nevojën e vazhdimit të luftimeve, vendin e Ferizit e plotësoi menjëherë me zvendësin e tij, ndërsa armën e mori i vëllai, Kjani Guri.
Duke pasur parasysh kontributin e madh të Ferzi Gurit, Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” më 11.5.1999 emrin e tij ia vë Batalionit të Parë. Trupi i dëshmorit Feriz Guri tërhiqet nga vendi i rënies më 15 qershor 1999 dhe dhe varroset me nderime të larta ushtarake pranë dëshmorëve Sadik Guri dhe Qemal Guri, në Fshatin Nikë. Më 9 gusht të vitit 1999, nga varrezat e Tetovës tërhiqet edhe trupi i pajetë i dëshmorit Xhevdet Guri dhe me 10 gusht, me nderime ushtarake bëhet rivarrimi i dëshmorëve Feriz Guri, Sadik Guri, Qemal Guri dhe i gjithë dëshmorëve të komunës së Kaçanikut, te vendi i quajtur “Dardha” në varrezat e dëshmorëve. Më 22 prill të vitit 2000 në vendin e rënies, në fshatin Guran, u bë zbulimi i pllakës përkujtimore për dëshmorët Feriz Guri dhe Xhevdet Guri. Tri vjet pas rënies, shkolla e mesme profesionale në Kaçanik u pagëzua më emrin e dëshmorit Feriz Guri dhe me emërin e dy vëllezërve dëshmorë, Qaka.
Feriz Guri pas vete ka lënë: Babain, Faikun, nënën Sahiden, vëllezrit Hajrizin, Kjaniun, Habibin, motrat Xhejlanen, Hajrien, Eminen Dhe Feriden. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Nezir Myrtaj: Dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu i kishte bashkuar ideali deri në vdekje

Është e njohur thënia se dëshmorët e kombit “nuk kanë hierarki dhe ata janë të …