mbpzhr 2018
kek
Airport Adem Jashari
MIT
Fillimi / Dëshmorët / Selim Sali Veselaj (5.5.1977-26.4.1999)
Selim Sali Veselaj (5.5.1977-26.4.1999)

Selim Sali Veselaj (5.5.1977-26.4.1999)

Familja Veselaj e Reçanit të komunës së Therandës (ish-Suharekë) njihet për tradita të hershme atdhetare dhe liridashëse. Ndërsa fshati Reçan njihet si sinonim i burrave të urtë e të mençur. Oda e Veselajve të parë të këtij fshati zinte vend mjaft strategjik në rrugën Shkodër-Gjakovë-Shkup,por edhe në rrugën Prizren -Ferizaj – Shkup. Ishte e njohur për mikpritje,por kishte bërë emër ,pos të tjerash,edhe për pleqni.Si më i dalluar njihet pleqnari Mehmet Vesel Reçani (1826-1918), i cili,përveç që ka ndarë pleqni anembanë Kosovës,ai ka marrë pjesë aktive edhe në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare në Plavë e Guci. Rrugën e tij si pleqnar e ka vazhduar sidomos nipi i tij ,Muharrem Ukë Veselaj (1888-1951), si dhe nipi tjetër,Muhamet Vesel Veselaj (1911-1977).Është me interes të ceket fakti se qysh në kohën e Mehmet Reçanit kjo familje është dalluar si familje arsimdashëse dhe, për shkak të aktivitetit në dobi të çështjes kombëtare,ajo ka qenë e përndjekur vazhdimisht nga regjimet antipopullore të ish-Jugosllavisë,nga OZN-a dhe nga UDB-ja.Po edhe dy mësuesit e parë të kësaj familjeje,Ramë e Nuhi Veselaj,për shkak të aktivitetit të tyre kundër regjimit serbosllav, në vitet ’50 qenë burgosur dhe ishin përndjekur vazhdimisht. Mustafë Veselaj, nxënës i medresesë, ishte vrarë në demonstratat popullore në Prishtinë,më 1989.Në luftën e fundit,shumë djem e vajza të kësaj familjeje u inkuadruan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,ku disa prej tyre u plagosën ,ndërsa ranë dëshmorë në frontin e luftës Selim Sali Veselaj dhe Lulëzim Nail Veselaj, i pari në Budakovë, kurse i dyti në Betejën e Koshares.

Dëshmori Selim Veselaj ishte djali i dytë i prindërve Sali dhe Habibe Veselaj. Gjyshi i tij,Hakiu, kishte përjetuar në kurriz vuajtjet e Luftës së Dytë Botërore, duke qenë peng për katër vjet në kazamatet e Gjermanisë fashiste, në kohën kur ai dhunshëm kishte qenë i detyruar të shërbente në ushtrinë serbe. Babai i Selimit-Salihu, me hallet e pafundme të ekzistencës familjare, nën regjimin jugosllav kishte përjetuar leçitjen e të ashuquajturve “reaksionarë antijugosllave”, për shkak të aktiviteteve atdhetare të xhaxhait të tij, Azizit, i pushkatuar nga serbët, më 1946. Kështu kjo familje kishte mbrujtur ndjenjën liridashëse dhe atdhetare për shumë breza. Për më tepër, kjo familje kishte pasur fatin të kishte mik shtëpie edhe atdhetarin Ramë Bllaca.

Selimi kishte mbaruar shkollën fillore në Reçan, kurse të mesmen në Therandë, me sukses të shkëlqyeshëm.Në lëvizjet popullore të viteve 1989-1998 kundër regjimit të egër serb,Selimin do ta shohim gjithherë në ballë të protestave, demonstratave dhe të të gjitha formave të rezistencës kundër këtij regjimi. Në një periudhë të kohës së pashpresë, edhe Selimi qe i detyruar të merrte rrugën e kurbetit,duke punuar disa muaj punë fizike në Slloveni.

Në pranverën e vitit 1998, kur UÇK-ja kishte filluar të shtrinte kryengritjen në rajonin e komunës së Therandës, si shumë të rinj entuziastë dhe të gatshëm për t’u sakrifikuar për lirinë e Kosovës, edhe Selimi ishte radhitur në njësitet e vullnetarëve, për të qenë gjthherë në gjendje gatishmërie për luftë. Selimi që në fillim qe angazhuar si mbështetës logjistik dhe vëzhgues i lëvizjeve të forcave ushtarake e paramilitare serbe në fshatin e tij në Reçan, për të cilat ai raportonte dhe merrte detyra nga komandat më të afërta të UÇK-së. Ky angazhim i Selimit zgjat deri në shkurt të vitit 1999, kur ai përfundimisht radhitet si ushtar i rregullt në Togën II të Batalionit II të Brigadës 123. Si ushtar i kësaj toge, Selimi shquhet për guxim, vigjilencë dhe disiplinë ushtarake, duke u bërë shembull i ushtarit shembullor të kësaj toge. Ai merr pjesë në shumë aksione guerile kundër forcave serbe, si dhe në fronte të tjera të pozicioneve të Batalioni II të Brigadës 123, si në Krushicë, Vraniq, Buzhalë etj.

Që nga 21 prilli deri më 26 prill 1999, ushtria serbe ndërmori një ofensivë të egër kundër pozicioneve të UÇK-së, fillimisht në pararojën e parë të saj në Bukosh.Në këtë periudhë në fshatrat Bukosh e Vraniq u zhvillua luftë e ashpër frontale, ku ushtria serbe pëson dëme të mëdha. Rezistenca e djemve të UÇK-së në Bukosh kishte egërsuar Serbinë, ndërkaq që ajo po bënte përgatitjet dhe përforcimet e mëdha për ofensivën e 26 prillit kur me armatim jokonvencional depërton në pozicionet e UÇK-së, por vetëm pas rënies së dy dëshmorëve dhe plagosjes së dhjetëra ushtarëve të kësaj ushtrie të lavdishme. Që nga mëngjesi i ditës së 26 prillit, ditë me shi e mjegull, pushtuesi serb granatoi pandërprerë pozicionet e UÇK-së në fshatin Bukosh. Pasdite, në këto pozicione bie dëshmor Selim Veselaj, së bashku me shokun e tij të luftës, Bafti Shala nga Mushtishti. Po aty u plagosën rëndë edhe kushëriri i tij, Qamili dhe bashkëluftëtari Asllan Kadolli.

Trupat e dëshmorëve Selim Veselaj e Bafti Shala u tërhoqën nga vija e zjarrit, nga shokët e istikamit: Xhemajl Ramaj, Vahid Veselaj, Fahri Veselaj e Sadri Kadolli dhe ata u varrosën në varrezat e lagjes së Palushëve të Budakovës. Ndërsa, të plagosurit, Qamil Veselaj e Asllan Kadolli vendosen në spitalin ushtarak të Budakovës dhe pastaj transferohen në spitalin ushtarak të Mollopolcit.

Për rënien e Selimit, tashmë dinte vetëm vëllai i tij, Smajli, i cili, po ashtu,gjatë tërë kohës së luftës kishte ndihmuar sektorin e logjistikës të UÇK-së.

Selimi ishte djalë me tipare burrërore, i pashëm, i gjatë, i ëmbël në bisedë, mik dhe shok i vërtetë. Ai ishte i martuar dhe në kohën e rënies kishte lënë gruan shtatzënë. Pas rivarrosjes së tij, në shtator të vitit 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në Therandë, lind vajza e tij e vetme, e cila u pagëzua me emrin Liri.

Kontrolloni gjithashtu

Orhan Lan Halilaj (13.3.1979 - 11.8.1998)

Orhan Lan Halilaj (13.3.1979 – 11.8.1998)

Dëshmori Orhan Halilaj lindi në fshatin Gllogjan, më 13 mars 1979. Prindërit Lan e Sharke ...