Rrustem Nezir Hyseni (5.12.1973 – 26.4.1999)

Rrustem Nezir Hyseni (5.12.1973 – 26.4.1999)

Familja e ngushtë e dëshmorit Rrustem Hysenit ka një histori të bujshme patriotike. Gjyshi, Latifi, bashkë me të vëllain, Nezirin, ishin mobilizuar në luftën për mbrojtjen e trojeve etnike në përgjigje të kushtrimit të dhënë nga patrioti Isa Boletini. Pas uniformimit në Vushtrri, kishin marrë pjesë në betejën e “Luftës së Barelit”. Edhe oda e tyre ishte mikpritëse e strehuese, kurdoherë e hapur për mysafirë e në mënyrë të vaçantë për luftëtarët e lirisë kombëtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, shtëpia e tyre u shndërrua në dhomë mësimi, ku u shkollua edhe babai i Rrustemit, Neziri, i cili pastaj u angazhua në detyrën e mësuesit për zhdukjen e analfabetizmit. Prej babait të tij Rrustemi mësoi për të kaluarën historike të bujshme kombëtare e familjare.
Rrustemi u lind në fshatin Gumnishtë të Vushtrrisë, më 5 dhjetor të vitit 1973. Ishte fëmija i pestë me radhë i prindërve, Nezirit e Vahides, të cilët patën shtatë fëmijë: Mujën, Miradijen, Bajramin, Muharremin, Rrustemin, Enverin e Nexhmijen. Pas përfundimit të shkollës fillore në Skromë, kreu shkollën e mesme në Vushtrri.
Pas shkollimit të mesëm, Rrustemi vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës, ku studioi lëndën e historisë. Me daljen në skenë të UÇK-së, nderpreu studimet si apsolvent dhe u inkuadrua në luftën çlirimtare. Më parë kishte marrë pjesë në protestat studentore të 1 Tetorit të vitit 1997, si në ato të 2 Marsit të vitit 1998 në përkrahje të UÇK-së, me ç‘rast Rrustemi kishte hyrë edhe në pamjet e incizuara nga Televizioni Euro Njuz, ku shihej duke i dhënë ndihmë protestuesit me kokë të përgjakur, Doktorit Ali Zatriqi, i cili ishte i shtrirë përdhe.
Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 5 qershor të vitit 1998, pasi kishte vënë lidhjet në fshatin Lajthishtë (ish-Zabërgj) të Shalës së Bajgorës, në mesin e muajit qershor 1998. Në kazermën e ZOLL-it në Bajgorë, kishte kryer edhe stërvitjet e para të artit luftarak. Mori pjesë në betejën e zhvilluar në fshatin Mazhiqit, ku dhe plagoset. Pas ofensives së 15 shtatorit 1998, një kohë të caktuar shërbeu në detyrën e rojs së Komandës së Brigadës 141 “Mehë Uka”, kurse pastaj u bë pjesë e Njësisë Spciale të togës së dytë në Kazermën e Bares.
Në Brigadën 141 “Mehë Uka”, u inkuadrua së bashku me Latif, Zymerin, Bekim Hysenin, Bahri Mehmetin, Musa Ismajlin dhe Fehmi Zekën. Rrustemi zotëronte përdorimin e pothuajse të gjitha llojeve të armëve të lehta.
Pas zënies së tetë ushtarëve serbë në Bare, më 8 janar 1999, Rrustemi ndihej i entuziazmuar për suksesin e aksioneve ushtarake të UÇK-së, ku pjesën e vet të meritës për këto suksese e kishte edhe Njësia Speciale, ku ai bënte pjesë.
Mori pjesë edhe në betejat e tjera të zhvilluara në Trepçali, Ashlan, Liqej, Bukosh, Lagje të Cenajve, në Kodër të Majdanit, Melenicë, e Preten. Ai dhe bashkëluftëtarët e tij i shkuan në ndihmë Brigadës 142 të ZOSH-it për 23 ditë pa ndërprerë, duke shkëlqyer në beteja. Në letrën, dërguar redaksisë Radio Kosova e lirë dhe agjencisë Kosova Press, me rastin e urimit për Vitin e Ri 1999, pos tjerash ai shkruante: “Në krahasim me vitin e kaluar, edhe pse isha në gjirin e familjes, këtë vit jam më i lumtur, sepse tani jam në shërbim të drejtpërdrejtë të atdheut dhe të popullit tim, pikërisht në vijën e frontit, ku do të lindë liria.”
Ndërsa, në një pjesë të ditarit të tij, më 10.3.1999, në orën 21,30), sikur e parandien rënien dhe shkruan: “Në luftë ndodh gjithçka, madje edhe vdekja. Këtë e llogaris edhe për veten time. Andaj lë amanet që ky ditar t’u bjerë në dorë shokëve të studimeve. Nëpërmjet këtij ditari, edhe i vdekur të bisedoj në njëfarë mënyre me shoqërinë. Tung!…” dhe vazhdon porosia e datës 5.4.1999: “Ky ditar duhet të më dërgohet në shtëpi!”. Në një pjesë tjetër të ditarit lë porosinë që ditari t’i dorëzohet shokut të tij të ngushtë, Behxhet Dibrani, e cila porosia edhe u realizua.
Beteja më e ashpër e vendimtare për Rrustemin ishte ajo në Majdan, më 26 prill të vitit 1999, ku pas nëntë ditë lufte të pandërprera, pasi ishte ngjitur në majën e Majdanit fitimtar, pas disa orë luftimesh të ashpra, Rrustemi bie heroikisht, së bashku me bashkëluftëtarët, Asllan Cimili, Ahmet e Xhemajl Haxha.
Po të njëjtën ditë, pas nëntë orë luftimesh të pandërprera, në altarin e lirisë ranë edhe komandanti Shemsi Ahmeti dhe Arsim Muzaqi. Kurse të nesërmen ranë për liri edhe Enver Musa e Shemsi Istrefi. Nga plagët e marra në betejën e Majdanit, më 2 maj 1999, hyri në përjetësi edhe luftëtari i lirisë, Faruk Beqiri. Trupi i dëshmorit Rrustem Hyseni dhe të bashkëluftëtarëve, Xhemajl e Ahmet Haxha e Asllan Cimili, armiku i varrosi në varrezat e Suhodollit, identifikimi i të cilëve është bërë pas çlirimit të Kosovës. Rivarrimi i trupit të Muharremit u bë më 3.12.99 në varrezat e Dëshmorëve në Bletajë. Familja e tij ka marrë Mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nga ZOSH-i, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë e institucione të tjera.
Bashkëluftëtari i dëshmorit Muharrem Hyseni, Miftar Kurti, ditarin e luftës (në dorëshkrim) të dëshmorit e ka përgatitur dhe botuar në tri vazhdime në revistën “Fjalë e vale” të botuar në Mitrovicë.
Rrustemi la pas vetes edhe shkrime historike e kulturore, shënime nga jeta studentore, veshje personale, xhirime në TV të botës (Euro NEËS, CNN) etj. Gjatë periudhës së studimeve kishte filluar të merrej edhe me shkrime publicistiko-historike. Ruhen dorëshkrimet e tij të shtypura në makinë mekanike, disa prej të cilave të lexuara në përvjetorë të ndryshëm, me titull: “Lufta e Lidhjes së Prizrenit për bashkimin kombëtar” e lexuar në lokalet e FF të UP, me rastin e 120 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit; “28 Nëntori – dita e Flamurit Kombëtar”, “Projekt për fillimin e protestave antijugosllave Prishtinë, më 13.10.1997; Fjalë e lexuar në Tribunës kushtuar profesorit Ukshin Hoti, më 18.11.1997) e të tjera.
Emrin e dëshmorit Rrustem Hyseni e mban një rrugë në Prishtinë, Shkolla Fillore në Skromë, si dhe Shkolla Fillore në vendlindjen e tij, në Gumnishtë, aty ku i është ngritur lapidari me portretin e citatin e shkoqur nga ditari i dëshmorit, emrat e dëshmorëve të rënë për mbrojtjen e trojeve etnike në periudhën 1918-1947), si dhe me hartën e Shqipërisë Etnike, të cilën e ëndërroi. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Shemsi Xhafer Istrefi (20.8.1977 - 27.4.1999)

Shemsi Xhafer Istrefi (20.8.1977 – 27.4.1999)

Dëshmori i kombit, Shemsi Istrefi, rrjedh nga një familje që kishte zbritur nga bjeshkët e …