leoni

Armend Selim Daci (20.4.1976 – 21.4.1996)

Armend Selim Daci (20.4.1976 – 21.4.1996)

Armend Daci u lind më 20 prill të vitit 1976, në Deçan, në një familje të ndershme dhe intelektuale. Në gjirin familjar u edukua në frymë të shëndoshë kombëtare. Që nga fëmijëria ishte brumosur me ide atdhetarie dhe për të qenë i dobishëm e në shërbim të shoqërisë dhe të vendit. Kësaj rruge Armendi nuk iu nda për asnjë çast.
Mësimet e para i filloi në fshatin e lindjes, në fshatin Irzniq. Ndërkaq, që nga klasa e tretë, mësimet i vazhdoi në shkollën fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë, ku e përfundoi gjysmëmaturën. E donte dhe e çmonte shumë profesionin humanitar të mjekut. Për këtë arsye vendosi që mësimet e mëtejme t’i vazhdojë në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Ali Sokoli” në Prishtinë, ku u dallua për sukses të shkëlqyeshëm në mësime dhe sjellje shembullore, duke u shpërblyer shumë herë me lëvdata e mirënjohje.
Në vitin shkollor 1994/95, i filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në Drejtimin e Stomatologjisë.
Emri i studentit të dhjetësheve, Armend Daci, nga fshati Irzniq i Deçanit, zë vend të merituar në përpjekjet tona për liri.
Me gjithë vështirësitë me të cilat përballej sikurse të gjithë studentët dhe nxënësit shqiptarë të asaj periudhe, Armendi ishte i pasionuar pas këtij profesioni. Vitin e parë të studimeve e likuidoi me sukses të shkëlqyeshëm.
Krahas mësimeve e aktiviteteve tjera shkollore, Armendi kohën tjetër e shfrytëzonte në aktivitete të lira për t’u përgatitur fizikisht, veçanërisht merrej me sporte luftarake. Merrej edhe me sporte luftarake. Edhe pse ishte i ri në moshë arriti të zë vendin e parë në Prishtinë, duke përfaqësuar klubin e bodibilldingut “Ariani”.
Në mungesë të alternativave të tjera, shumica e të rinjve, por dhe e luftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, ushtronin sportet luftarake nëpër klube të ndryshme, për t’u kalitur dhe përgatitur fizikisht, për të qenë të gatshëm të përballeshin me armikun. Armendi, në klubin “Ariani” është stërvitur së bashku me Edmond Hoxhën nga Juniku dhe Adrian Krasniqin nga Vranoci i Pejës, tani të dy gjeneralë-dëshmorë të UÇK-së, e me shokë të tjerë.
Sipas dëshmisë së babait të Edmondit, Hysni Hoxhës, dhe shokëve të tij, Edmondi së bashku me Armendin kishte zhvilluar edhe aktivitete politike e ushtarake.
Armendi që në fëmijëri ishte njohur me Adrian Krasniqin – “Rexhën”. Njohjen dhe shoqërinë ata e vazhduan edhe gjatë shkollimit të mëtejshëm kur Adriani vijonte studimet në Universitetin e Prishtinës e Armendi shkollimin e mesëm e më pas fakultetin.
Dëshmori, Adrian Krasniqi, krahas veprimtarisë guerile, aktivisht veproi në organizimin e rinisë studentore dhe në organizimin e protestave gjithëpopullore. Në këto organizime, bashkëpunoi edhe me Edmond Hoxhën, Armend Dacin e të tjerë.
Armendi është njohur me Edmondin dhe me Adrianin në jetën e përditshme, gjatë shkollimit dhe në veprimtari organizative në radhët e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Për këtë arsye, vrasja e mëvonshme e Armendit u përdor si pikë referuese e aktiviteteve politiko-ushtarake të celulave ilegale të UÇK-së.
Siç dihet, në natën mes së shtunës e së dielës, në orët e para të natës së 21 prillit 1996, Armend Daci vritet nga krimineli serb, Zllatko Jovanoviq, nga Prishtina, i cili e qëllon me snajper nga terraca e banesës së tij, sipas skenarit të shërbimit serb të sigurimit UDB-ës. Armendi u vra kur po kthehej në banesë nga një festë e dyfishtë, pasi kishte festuar me shokë ditëlindjen e 20-të të tij dhe dhënien e provimit të fundit të vitit të parë të studimeve.
Vrasja e tij, ishte një kushtrim i luftëtarëve të UÇK-së për një mobilizim dhe reagim të përgjithshëm, por edhe një arsye më shumë për t’u hakmarrë për shokun e rënë, i cili ishte vrarë nga qarqet e shërbimeve sekrete serbe, për të mbjellë frikë e pasiguri te masat studentore. Por, vrasja e tij prodhoi efekt të kundërt, duke iu kthyer bumerang pushtuesit serb. Ajo ishte njëra ndër ngjarjet që nxitën edhe më me forcë ndryshuan rrjedhave të historisë.
Vetëm një ditë pas vrasjes, pikërisht më 22 prill 1996, luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, në të njëjtën kohë, kryen aksionin e parë të përgjithshëm kundër postëkomandave të policisë serbe në disa qendra të Kosovës, që deri atëherë konsiderohej aksioni më i gjerë i UÇK-së. Kryerja e këtij aksioni kishte për qëllim t’ia bënte të qartë secilit se durimit të shqiptarëve i kishte ardhur fundi dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës si një forcë e lindur dhe e rritur në gjirin e popullit liridashës, do t’i mbronte me çdo kusht interesat e popullit të vet, duke organizuar një front të disiplinuar me një udhëheqje të denjë luftarake. Vrasja e Armendit nuk e thelloi panikun. Përkundrazi, ajo i ngjalli peshë zemrat e djalërisë shqiptare.
Këso kohe, Adrian Krasniqi bashkë me një grup shokësh, krahas aksioneve të armatosura, bënin përpjekje të organizonin demonstrata masive kundër vrasjes kriminale të shokut e kolegut të tyre në Prishtinë. Për këtë qëllim, Adriani bashkë me një grup shokësh kishin biseduar me rektorin e Universitetit të Prishtinës, me strukturat e partive politike të kohës, Unionin e Studentëve të Universitetit të Prishtinës etj. Në mungesë të përkrahjes të drejtpërdrejtë nga institucionet e lartpërmendura, Adriani dhe shokët e tij studentë, shokë edhe të Armendit, detyrohen të shkruajnë pamflete e të bëjnë thirrje për homazhe në vendin e vrasjes së shokut të tyre. Ata bënë thirrje që në kohë të caktuar në mbarë Kosovën të fikeshin dritat pesë minuta dhe njëkohësisht bënë thirrje për të bërë homazhe në vendin ku u vra Armendi.
Menjëherë pas përhapjes së lajmit për vrasjen e Armendit, në shenjë pakënaqësie u organizuan manifestime të shumta proteste dhe parakalime në shenjë pikëllimi e nderimi për të, prandaj ai u shndërrua në simbol frymëzimi dhe inspirimi për brezin e vet. Në shenjë proteste kundër vrasjes së Armendit dhe kundër dhunës së hapur që bëhej mbi shqiptarët, mbi dhjetë mijë nëna e motra shqiptare të Kosovës parakaluan duke vënë buqeta lulesh e duke ndezur qirinj në vendin e vrasjes, në Bregun e Diellit në Prishtinë.
Armendi u varros me nderime të larta gjithëpopullore në vendlindjen e tij, në Irzniq të Deçanit. Homazhet e disa dhjetëra mijëra bashkëqytetarëve, varrimi madhështor dhe e pamja u bënë shkas për ta përhapur frymën dhe idenë e luftës çlirimtare.
Në shenjë nderimi të përtejshëm, figura e Armendit është skalitur në përmendoren e përbashkët të dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve të fshatit Irzniq, të rënë gjatë luftës në altarin e Atdheut. Vendlindja e tij ishte bastion i fortë kundër depërtimit të armikut. Armendit iu dha statusi i dëshmorit të kombit të UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit.
Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Universiteti i Prishtinës, Armendin e dekoroi me mirënjohje bashkë me shokët e tij, Edmond Hoxha e Adrian Krasniqi. Me shkrime e kanë përjetësuar Faton Mehmetaj dhe autorë të tjerë.
Pas vetes Armendi ka lënë babanë Selimin, nënën Eminen, motrat Brikenën e Ajtenen dhe vëllanë, Mondin. Dëshmori Armend Daci është i varrosur në vendlindjen e tij, në Irzniq të Deçanit. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …