33 vjet nga Pranvera Lavdiplote e Lirisë

11 marsi i vitit 1981 shënoi epokën e stopimit të jugosllavizimit të shqiptarëve dhe trasoi rrugën për krijimin e Republikës së Kosovës


 


Demonstratat gjithë-popullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-RSFJ. Kërkesa për krijimin e një republike të shqiptarëve në Jugosllavi, shtrohej si nevojë strategjike e kohës, me qëllim për ta ruajtur identitetin kombëtar dhe për të krijuar parakushte për shkëputje nga Jugosllavia, që ishte bërë një burg i madh i popujve të Ballkanit.






 


Zhvillimet që pasuan më 26 mars, të po atij viti, kur Njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e regjentëve besnikë të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Sinan Hasani, Ali Shukriu, Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht demonstruesit, duke vrarë dhe duke përgjakur qindra prej tyre, intervenimi i tillë brutal, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të fashizmit jugosllav dhe atyre shqipfolësve, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste, antishqiptare. Revolta gjithë-popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ”barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”. Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare konstatonin se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore.


 


Kryesia e Jugosllavisë okupatore kishte shpallur gjendjen e shtetrrethimit në Kosovë. Qenë vendosur qindra postblloqe policore dhe ushtarake në tërë vendin. U vranë dhe u plagosën rëndë qindra demonstrues, u arrestuan rreth 5000 shqiptarë liridashës. Klasa politike pro-jugosllave në krye me komunistët titistë filloi zbatimin e platformës për “çrrënjosjen e kundërrevolucionit”, të cilën me besnikëri skllave po e zbatonin: Azem Vllasi, Xhavit Nimani, Ali Shukriu, Sinan Hasani, Mahmut Bakalli, Mehmet Maliqi, Kolë Shiroka, Fadil Hoxha, dhe tërë një klasë politikanësh, që bënin përpjekje të panatyrshme për bashkimin dhe vëllazërimin e shqiptarëve me serbë e sllavë.  


Kryengritja gjithë-popullore e marsit dhe prillit e vitit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar, pavarësisht se kjo ngjarje nuk e ka gjetur vendin e merituar në tekstet ende gjysmake të historisë sonë.


 


Prej asaj kohe kishte filluar ndarja e madhe dhe diferencimi historik i dy klasave shoqërore, kundërshtare. Klasa projugosllave, që pranonte jugosllavizmin dhe asimilimin e qetë të shqiptarëve, duke i trajtuar ata si “kosovarë”, dhe lëvizja ilegale çlirimtare, e cila çoi më në fund edhe në luftën e armatosur të UÇK-së, për t’ u çliruar nga robëria shekullore jugosllave.


 


Në këtë aspekt marsi dhe prilli i vitit 1981 shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë më të re. Po të mos ndodhte ajo që ndodhi asokohe, shqiptarët sot do të jetonin ashtu sikur se jetojnë hungarezët në Vojvodinë, myslimanët në Sanxhak, apo vllahet në krahinën e Timokut në Serbi, bullgarët e konvertuar në sllavo-maqedonas, në Maqedoni. Mirëpo në kushte dhe rrethana të caktuara Lëvizja Kombëtare  Shqiptare, e përkrahur fuqimisht edhe nga Tirana zyrtare, arriti të konsolidojë idealin e lirisë, arriti ta mbajë gjallë atë dhe në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë, arriti të realizojë me sukses tri luftëra çlirimtare, të cilat u përkrahën nga mbarë shqiptarët atdhedashës dhe nga forcat përparimtare botërore.






 


Protestat dhe demonstratat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981, kanë shënuar fillimin e ndarjes definitive të forcave liridashëse shqiptare nga procesi i jugosllavizimit, proces i cili ishte  manifestuar me politikën e ashtuquajtur të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë. Për më tepër, qysh nga ajo kohë filloi edhe procesi i gjatë, historik, për krijimin e Republikës së Kosovës, fillimisht si republikë e barabartë në federatën jugosllave, me synim që në këtë republikë të përfaqësoheshin shqiptarët e të gjitha viseve tona etnike, të cilat i mbante nën okupim RSFJ. 


Literatura e shkruar për demonstratat e vitit 1981 është e bollshme, por shkenca jonë e historisë ende nuk e ka dhënë përcaktimin definitiv, lidhur me trajtimin realist të atyre zhvillimeve politike. Definicioni i mirëfilltë shkencor, historik mungon, meqë deri vonë ka munguar edhe vullneti për një definicion të tillë, sepse  historiografia zyrtare e kohës këto protesta i ka kualifikuar si armiqësore me pretendime për shkatërrimin e Jugosllavisë,  dhe për fatin tonë të mirë, ato edhe shënuan kohën e fillimit të shkatërrimit të Jugosllavisë.


 


Po ashtu, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të hapura përcaktimet mbi baza të grupeve, organizatave dhe pjesëmarrësve në këto protesta. Deri tani ka dominuar mendimi se zhvillimet  e vitit 1981 kanë qenë një Lëvizje studentore, e filluar spontanisht, me kërkesë për avancimin e kushteve të tyre materiale, etj. Më vonë në mesin e protestuesve janë brohoritur edhe parulla politike e sociale, të cilat janë lansuar nga segmente të caktuara të lëvizjeve të fshehta, (ilegale), sikur kanë qenë kërkesat: “Republikë Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. “Lironi shokët nga burgu”. “Adem Demaçi” dhe parullat: “Trepça punon, Beogradi fiton”. “Jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë”, e të tjera.


 


Nëse i bëjmë një rekapitullim të shkurtë zhvillimit të ngjarjeve prej 11 marsit deri më 3 prill të vitit 1981, arrijmë në përfundim se demonstratat filluan në mënyrë paqësore, por kulmuan me kapjen e armëve dhe gatishmërinë për kundërvënie të armatosur. Këtu mendoj se duhet kërkuar edhe përkufizimin, jo duke e relativizuar Marsin e Prillin si Lëvizje studentore,  si  Pranverë studentore, edhe pse filloi si e tillë, por as si një kryengritje të dështuar, sikur paraqitej në shtypin jugosllav të kohës dhe sikur aprovohej në komitetin krahinor të KSAK-së, nga Azem Vllasi, Ali Shukrija, Fadil Hoxha, Mehmet Maliqi, Sinan Hasani e të tjerë.


 


Përgatitjet për kryengritje të armatosur, në Besi, më 2 e 3 prill të vitit 1981, Shpallja e gjendjes së shtetrrethimit, nga kreu politik dhe ushtarak i RSFJ-së, që zgjati deri më 18 prill, në mbarë territorin e Kosovës, rezistenca e armatosur, që bënë në kullën  e tyre Tahir dhe Nebih Meha në Prekaz, më 13 maj, janë fakte reale historike, që flasin se Lëvizja e Marsit dhe Prillit e vitit 1981 u kurorëzua me një revoltë të fuqishme gjithë-popullore  me një segment të kryengritjes së armatosur  kundër regjimit pushtues jugosllav.


 






Shtypja brutale e protestave, nga tërë aparati represiv jugosllav, arrestimet, burgosjet, dënimet e mijëra pjesëmarrësve, prej një deri në 20 vjet burg, jo vetëm që nuk e thyen rezistencën, e cila nuk u ndërpre asnjëherë, por vazhdoi në segmentin kryengritës duke mbështetur parullën: “Republikë-kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Kjo lëvizje, e cila ishte vendimtare në historinë më të re të Kosovës dhe që ndikoi edhe në fillimin e shpërbërjes së ish-RSFJ-së, nuk ishte  shuar asnjëherë, por  kishte vepruar  në kushte dhe rrethana të caktuara deri kur edhe integrohet në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


 


Titistët, projugosllavët dhe oportunistët edhe 33 vjet më pas mundohen ta fshehin të vërtetën për kryengritjen shqiptare të vitit 1981


 






Duhet pranuar faktin se jeta e përbashkët e shqiptarëve me serbë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë deri në vitin 1981, kishte dhënë shumë rezultate në afrimin e popujve, por jo në afrimin mbi principe të barazisë, por mbi shembullin e skllavit të nënshtruar ndaj padronit. Në Jugosllavinë e atëhershme, shqiptarë të ndershëm, “poshteni shiptari” konsideroheshin vetëm ata që e donin pa lajka Jugosllavinë, si atdheun e tyre, ata që martoheshin me serbe, ata që rezervoheshin të flisnin shqip, sapo futej në mesin e tyre një serb, dhe ata shqiptarë trutharë, që nuk kishin as edhe ndjenjën më elementare të dashurisë për kombin e atdheun. Dhe, mjerisht, duhet pranuar faktin se të tillë në mesin e turmave të paarsimuara por edhe të arsimuara  shqiptare pati me shumicë, ashtu sikurse pati me bollëk edhe nga ata që u shkolluan në Beograd, dhe prej andej sollën në Kosovë shumë nipa dhe mbesa të Serbisë.


Mbi këtë shtresë të turmave shqiptare ngrihej klasa politike jugosllave, e cila kishte pranuar rezignatën tragjike të asimilimit të ngadalshëm, meqë arrinte të mbijetonte ekonomikisht dhe arrinte të vilte favore të shumta dobiprurëse, duke u bërë pjesë e politikës jugosllave antishqiptare. Krijimi me sukses i një hibridi të tillë të çoroditur, shpiente pa kthyeshëm në idenë e jugosllavizimit të shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të federatës, ide e cila ishte përhapur sidomos në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar.


 


Është e natyrshme se periudha e tillë e rrojtjes bashkë, periudha e panatyrshme e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë, periudha e fillimit të një ngjizjeje, mes dy popujve që kishin të përbashkët vetëm armiqësinë 13 shekullore, jepte rezultate të caktuara, ashtu sikurse kishte dhënë edhe në kohën e Romës, kur qenë romanizuar shumë popuj të Ballkanit, por edhe në kohën e Perandorisë Otomane kur u turqizuan po ashtu një pjesë e madhe e popujve të Ballkanit.


Mirëpo, në kushte dhe rrethana të zhvillimit shoqëror, arsimor, politik dhe ekonomik në Evropën e asaj kohe, në kohën e ndarjes së botës në dy blloqe të mëdha politike kundërshtare, proceset historike do të zhvilloheshin në akord me kohën, dhe nuk mund të ndodhte ndonjë asimilim i dhunshëm, apo ndonjë shfarosje kolektive e shqiptarëve, sikur më vonë pretendoi ta zbatonte regjimi i Milosheviqit.


 


Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve


 






Viti 1981, grushtin më të fortë ia dha idesë së jugosllavizimit të shqiptarëve dhe kjo është merita më e madhe historike që ndodhi në atë kohë, sepse filloi rruga e vetëdijesimit për liri, barazi dhe vetëvendosje të shqiptarëve, të cilët padrejtësisht dhe me bekimin e qarqeve politike evropiane kishin mbetur të okupuar nga Jugosllavia.


Këtë ide e përforconte edhe procesi i diferencimit ideopolitik, proces të cilin e zbatonte me përpikëri klasa titiste-rankoviqiste, shqipfolëse e Kosovës. Ishin këta partiakët e të gjitha niveleve nga LKJ, LSPPJ, LRJ, LANÇ, pastaj prokurorët, gjykatësit, porotët, milicët, sigurimi i shtetit i identifikuar si UDB si dhe një klasë e tërë denoncuesish, të cilët për shërbimet e tyre kundër nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë shpërbleheshin në shumë aspekte. Të rralla kanë qenë shtëpitë e shqiptarëve të trojeve të robëruara të atdheut asokohe, ku nuk kishte të paktën denoncues shqipfolës. Ky është një fakt i palavdishëm por mjerisht është një fakt historik, sepse të gjitha grupet ilegale, e tërë veprimtaria antijugosllave është zbuluar nga shqipfolësit, nga ata që ishin shumicë, sepse popullata serbe gjithnjë ka qenë pakicë në Kosovë dhe nuk ka arritur të shënojë ndonjë rezultat në drejtim të infiltrimit brenda shqiptarëve.


 


Nuk kishte fshat në Kosovë, apo bashki në qytete, ku nuk njiheshin ata që bashkëpunonin me UDB-në, sepse ky bashkëpunim bëhej madje krejt hapur. Në çdo aksion për të shpartalluar shqiptarët liridashës kanë marrë pjesë milicët shqiptarë, ndërsa aksionet janë drejtuar nga policët serbë të UDB-së.


 


Edhe në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, në ballë të forcave të rrethimit kanë qenë milicët shqiptarë. Të tillët, në mars dhe prill të vitit 1981, kanë vrarë dhjetëra demonstrues në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas e gjetkë. Nga milicët e tillë të Mehmet Maliqit, të Azem Vllasit e Rrahman Morinës janë vrarë në rrethim: Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bedri Sokoli, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Ismet Krasniqi e dhjetëra të tjerë.



 


Në të gjitha arrestimet e qindra grupeve të rezistencës në Kosovë gjatë viteve 80, në krye të aksioneve kanë qenë SUP-ovcat shqipfolës dhe pjesëtarë të milicisë vendore. I tillë ishte rezultati i politikës 30-vjeçare të bashkim vëllazërimit. Dhe sa më shumë që këta lakej të jugosllavizmit tregoheshin besnikë, aq më shumë kërkohej nga ata, zbatimi sa më i thellë i një politike të tillë, të egër, antikombëtare.


 


Këto shërbime të panatyrshme që kryen bashkëpunëtorët  e të gjitha ngjyrave, me kohë çuan në degradimin fatal të kësaj klase, e cila, edhe pse i kishte shërbyer besnikërisht regjimit të Beogradit,  më në fund u detyra të largohet kokulur nga shërbimi, në fillim të viteve 90 të shekullit XX. Ishte kjo koha kur komunistët shqiptarë jugosllavë, të indinjuar në politikën e Beogradit bënë edhe atë “revolucionin e njohur” të hedhjes së triskave të partisë. Dashur pa dashur ata u gjenden të braktisur nga padroni, të cilit i kishin shërbyer plot 40 vjet.


 


Të kota ishin edhe përpjekjet e panatyrshme për të krijuar organizata gjithëjugosllave si UJDI i Veton Surroit, të kota u treguan edhe përpjekjet për ta varrosur dhunën, të kota u treguan edhe fikjet e dritave dhe trokitjet me lugë nëpër pjata, që ndërmorën titistët të zhgënjyer dhe braktisur, të kota ishin edhe shumë orvatje, që bënë skllevërit shpirtshitur, tashmë të braktisur nga padroni, të cilit deri dje i kishin kryer shërbime duke vrarë e duke denoncuar pabesisht vëllezërit e tyre të gjuhës dhe të gjakut. Të kota u treguan edhe brohoritjet për Stipe Shuvarin e Kaçusha Jasharin, të kota edhe apelet me nënshkrime të “intelektualëve”, të cilët mendonin të ruanin as aq mund të ruhej në kohën e erozionit të madh, që kishte nisur me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë që në fillim të viteve 90.


 


Klasa e komunistëve, e braktisur nga Beogradi, në kohën e të ashtuquajturit  pluralizëm politik u rreshtua në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në disa partijëza të tjera, të cilat, me ndonjë përjashtim u udhëhoqën nga ish-komisarët e LKJ-së dhe nga mbeturinat e fundërrinat e UDB-së, që gjetën strehë nëpër parti politike. Ky ishte rezultati që korrën komunistët shqiptaro-jugosllavë për shërbimet e tyre të verbra kundër kombit e atdheut.


 


Kjo klasë njerëzish, për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, ende fajëson kreatorët e kryengritjes së vitit 1981, sepse ata ua prishën ëndrrat dhe aspirata e tyre për përbashkësi dhe asimilim të qetë. Dhe, çuditërisht, edhe tani 33  vjet më vonë të tillët ende kanë mbetur po në ato pozicione, edhe pse Kosovën e liruan pikërisht ata që projektuan 11 marsin, 26 marsin dhe 1 e 2 prillin e vitit 1981 dhe që çuan përpara proceset çlirimtare duke i kurorëzuar me luftën heroike çlirimtare dhe fitimtare të UÇK-së. Ndodhi kjo, sepse lufta jonë nuk u zhvillua deri në fund dhe nuk i pastroi dot mbeturinat titiste, rankoviçiste e milosheviqiste, ose pastroi fare pak.


 


  vitin 1981  nuk ishte e panatyrshme të ishte marksist leninist, as enverist, por ishte e panatyrshme të ishe komunist jugosllav, titist e rankoviqist i tipit të Azem Vllasit, Ali Shukriut, të Sinan Hasanit, Rrahman Morinës, etj. Ishte e panatyrshme të denoncoje vëllanë apo shokun e klasës sepse paska shkruar tinëz KR (Kosova Republikë), por ishte e moralshme dhe kombëtarisht e preferueshme të angazhoheshe kundër regjimit, apo të  ndodheshe nëpër burgjet e pushtuesit, për ta kundërshtuar robërinë, qoftë edhe vetëm me bindje, duke iu qëndruar konsekuent deri në fund, atyre bindjeve. Ishte krejtësisht e panatyrshme dhe e pamoralshme të fitoje grada duke denoncuar bashkëkombësit, apo duke izoluar, sulmuar e përbuzur familjet e atyre, që ndodheshin nëpër burgje. Por ishte e natyrshme dhe e moralshme të ndihmoje familjet e atyre që i kishte sakatosur regjimi okupator. Dhe të  tillë pati në çdo kohë.


 


Bërthama e ideatorëve të kryengritjes së vitit 1981 u bë më vonë edhe bërthamë e LPK- UÇK-së


 






Kryengritja shqiptare kundër robërisë e vitit 1981, pas sulmit gjakatar, që mori në fillim nga ushtria dhe policia jugosllave, së shpejti filloi të konsolidohet duke iu përshtatur rrethanave të reja të veprimit.


Më 2 prill të atij viti, rinia revolucionare në Besi të Prishtinës, mori armët dhe çarmatosi njësitë rezerviste të Serbisë që dyndeshin drejt Kosovës.


 


Dhuna, brutaliteti i forcave policore, arrestimet, vrasjet, plagosjet zgjeruan edhe më shumë frontin e rezistencës. UDB-ja në bashkëpunim me kolaboracionistët nxori para gjyqit dhjetëra grupe studentësh, punëtorësh dhe intelektualësh, ndërkohë që në platformë të kërkesës “Kosova Republikë” angazhoheshin dhjetëra grupe të tjera, krejtësisht të pavarura nga njëra tjetra, por me synime dhe qëllime të njëjta.


 


Edhe pse në luftë për ta thyer “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar” ishte inkuadruar tërë aparatura politike dhe aparatura e represionit fizik, edhe pse luftën kundër këtij “nacionalizmi” e përkrahen të gjitha shtetet e Evropës, me përjashtim të Shqipërisë, e cila kërkesat e rinisë shqiptare i mbështeti fuqishëm, edhe pse në këtë luftë në mënyrën më të paturpshme dhe më të panatyrshme, po merrnin pjesë edhe shumë shqiptarë besnikë të jugosllavizmit, lufta për realizimin e idealeve kombëtare u tregua shumë më e fortë dhe përballoi me sukses të gjitha sfidat në rrethanat e caktuara shoqërore dhe historike.


 


Ideatorët dhe përkrahësit e lëvizjes për çlirim dhe bashkim kombëtar, veprimtarinë e tyre atdhetare nuk e pushuan as nëpër burgje. Dhe sapo liroheshin nga burgjet, sërish riorganizoheshin dhe vazhdonin veprimtarinë atdhetare, duke kërkuar barazi dhe liri.           


 


Në vitet 80 sipas informatave që sjell shtypi i huaj, por edhe ai jugosllav për vepra të cilësuara si antijugosllave, janë dënuar prej 2 muaj e deri në 20 vjet burg rreth 12,000 shqiptarë, të moshave të ndryshme, por mesatarja e moshës së tyre ishte prej 20 deri në 30 vjet. UDB-ja kishte hapur rreth 400.000 dosje për shumicën dërrmuese të intelektualëve shqiptarë, kryesisht të familjeve që ishin shquar për rezistencë kundër forcave okupatore serbe qysh prej vitit 1912. Vetëm në ushtrinë jugosllave qenë dënuar 1.200 shqiptarë, në mesin e tyre edhe disa  eprorë. Shtypi i kohës nuk i ka shënuar këto të dhëna, meqë nuk lejonte censura e kohës së totalitarizmit jugosllav.


 


Në luftë për ta “thyer” nacionalizmin shqiptar kishte filluar edhe aksioni i diferencimit ideopolitik, të cilit i printe ideologu famëkeq titist, Azem Vllasi dhe kompania e tij diferencuese. Në këtë luftë të panatyrshme, antishqiptare, morën pjesë në mënyra të ndryshme të gjitha republikat e Jugosllavisë e veçanërisht ajo e Maqedonisë, ku po ashtu luftohej nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar. Kjo luftë nxiti fuqishëm nacionalshovenizmin serb, i cili pasi supozonte se i kishte nënshtruar shqiptarët, filloi luftën për të nënshtruar edhe sllovenët, kroatët e myslimanët e Bosnjës.


 


Duke qenë se e ashtuquajtura Lëvizje paqësore kishte degjeneruar në një qyqari të neveritshme, duke qenë se po bëheshin përpjekje për të bindur turmat shqiptare se liria do të vinte e nënshkruar, po të bëheshin të durueshëm, shumë prej të burgosurve të vitit 1981, veprimtarinë e tyre atdhetare e kishin orientuar drejt përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Luftës çlirimtare në Kroaci dhe më vonë në Bosnje iu kishin bashkuar shumë shqiptarë liridashës, që paraprakisht qenë përndjekur nga regjimi i Milosheviqit.


 


Me qëllim për të vepruar në drejtim të krijimit të një force kombëtare, kishin shkuar për t’ u stërvitur ushtarakisht në Shqipëri, në kohën e  Ramiz Alisë, dy grupe atdhetarësh, në mesin e tyre edhe komandanti i ardhshëm legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, Zahir Pajaziti e disa të tjerë. Po për këtë qëllim qenë organizuar edhe grupe të ndryshme ilegalësh që kryenin stërvitje ushtarake sidomos në Drenicë dhe në Llap. Në krijimin e celulave të para të UÇK-së, po thuajse në të gjitha ato celula kishte ish të burgosur dhe të përndjekur që veprimtarinë e tyre antijugosllave e kishin nisur në Mars Prill të vitit 1981.


Një pjesë nga këta veprimtarë, në kushte dhe rrethana të caktuara ishte inkuadruar në Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila me kohë  kishte zgjeruar veprimtarinë në shumë vende të  Evropës e më gjerë, por edhe brenda në Kosovë, ku vepronin grupet e para guerile të armatosura, të cilat tashmë kishin kryer sa e sa aksione kundër stacioneve të policës serbe kundër milicëve dhe kolaboracionistëve.


 


Në Kohën e krijimit të strukturave të para organizative të UÇK-së brenda në Kosovë, në të gjitha nivelet komanduese ishin inkuadruar edhe ish të përndjekurit dhe të dënuarit e vitit 1981. Ata tashmë drejtonin Shtabin e Përgjithshëm, shumicën e zonave Operative, sigurimin sekret, institucionet e para informative të UÇK-së. Përderisa shumica e të burgosurve të vitit 1981 qenë hedhur në ballin e luftës për liri, pati edhe ndonjë  oportunist që i mbeti besnik politikës pacifiste të Ibrahim Rugovës.


Për t’ u bindur se cila ishte veprimtaria atdhetarë e kreatorëve të kryengritjes shqiptare të vitit 1981, duhet të shfletohen biografitë e dëshmorëve në vëllimet e monografisë “Feniksët e lirisë” ku janë prezantuar dhe vazhdojnë të prezantohen biografitë e dëshmorëve. Përmes këtyre biografive, shpaloset e vërteta për luftën dhe rezistonin e armatosur dhe dalin në sipërfaqe, ata që me tërë qenien janë angazhuar për çlirimin e trojeve shqiptare nga robëria. Vepra e tyre dhe e bashkëluftëtarëve të tyre flet se kush e organizoi kryengritjen e marsit dhe prillit të vitit 1981, kush e vazhdoi luftën deri në vdekje, kur i bëri bisht asaj dhe kush po i vjelë sot frytet e asaj lufte dhe atij gjaku të derdhur për liri.


11. 3. 2014


(Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nuk e përjashton mundësinë e një sulmi të ri nga Serbia, pas rritjes së retorikës agresive

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, nuk e përjashton mundësinë e një sulmi të ri nga …