Dr. Shefqet Krasniqi: Siguria para së gjithash


Nga komentet e shumta që arrita të lexoj për vrasjen e Elvis Pistës, Allahu e pastë mëshiruar, u ndjeva dhe ndihem thellësisht i prekur. Një qytetar ngushëllonte veten dhe gjithë Kosovën duke thënë se kjo që i ka ndodhur Elvisit mund t’i ndodhë secilit prej nesh. Me fjalë të tjera, përmes këtij ngushëllimi komentuesi në fjalë mundohej ta shprehte mungesën e sigurisë në vend. U preka fort. Menjëherë mendja më shkoi tek organet shtetërore të cilat, jo që nuk kanë bërë sa duhet, por si duket u mungon vullneti apo ndoshta edhe guximi e kompetencat për të bërë diçka më shumë në lidhje me sigurinë në vendin tonë.


 


Fushatat elektorale u vërshuan nga retorika boshe për kinse zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës, ndërsa harruan fare sigurinë, pa të cilën zhvillimi nuk ka asnjë vlerë. Në fakt, është dëshmuar se tek ne shkak i dekadencës ekonomike, para së gjithash, është edhe mungesa e sigurisë. Ka shumë investitorë të huaj, të cilët kanë ikur nga Kosova për shkak të pasigurisë. Mendoj se defekti nuk qëndron vetëm në atë se vendi ynë njihet si vend i  haraçit, korrupsionit e vjedhjes, por defekti kryesor qëndron në atë se gishti për këto dukuri u drejtohet pikërisht atyre që do të duhej t’i luftonin këto dukuri negative. Pushteti, në të gjitha instancat, është i prekur nga korrupsioni. E tani jemi në prag të formimit të një qeverie, e që ende nuk po dihet se kush do ta formojë atë dhe kush do të jetë në krye të saj. Pavarësisht nga kjo, në shtetet e zhvilluara fare pak ka rëndësi kush është kryeministër, apo kush formon qeverinë, kjo për faktin se të gjithë kanë një qëllim, një vizion, një synim: të punojnë në të mirë të popullit dhe ta zhvillojnë shtetin sa më shumë. E neve, besoj, për të arritur këtë stad na duhet ende shumë kohë dhe vetëdijesim i madh.


 


Sido që të jetë, është esenciale që qeveria e ardhshme ndër prioritetet e saja parësore ta ketë sigurinë, bile në krye të listës. Vërtetë është e neveritshme dhe njollë e zezë e tërë kombit tonë që edhe më tej të ketë vrasje politike, është dobësi dhe ligshti që njerëzve t’u vuhet haraç, t’u vidhet pasuria mu në mes të ditës, madje të vriten njerëzit në vetëmbrojtje apo mbrojtje të pasurisë së tyre, sepse kjo i bije se tek ne dominojnë njerëzit mbi ligjin, respektivisht bandat. Kjo nënkupton se tek ne po iu qase politikës, iu rreke biznesit apo po bëre pasuri, ka mundësi të të shkojë koka. E çfarë shteti mund t’i thuhet atij shteti në të cilin janë prezent këto dukuri?


 


Prandaj nëse duam ta forcojmë shtetin, nëse duam të punojmë për shtet, sigurinë duhet ta vendosim në radhë të parë. Sundimin e ligjit duhet forcuar. Nuk guxojmë të kemi ‘mëshirë’ ndaj krimit dhe kriminelit, mëshira ndaj tij është plagë e rëndë e shoqërisë, moszbatimi i ligjit u hap rrugën të këqijve, të sëmurëve shpirtërisht, të cilët janë oportunist shikojnë vetëm vetën e tyre, interesin personal qoftë edhe në dëm të tjerëve. Ne nuk jemi popull i Skandinavisë, ku për shkak të vetëdijes së lartë edhe ligji është më i butë, ne jemi njerëz tjerë, kemi tjera gjene, tjetër gjak, andaj edhe ligjet duhet të jenë tjera.


 


Nëse e kuptojmë këtë dhe pajtohemi me të, atëherë do ta kuptojmë më mirë dhe më lehtë pse Islami solli ligje shumë të buta, në njërën anë, kurse në anën tjetër solli ligje shumë të rrepta. Kështu në rastin e vrasjes me paramendim, të planifikuar, sikur që ndodhi me Elvisin, vrasësi duhet ekzekutuar, ngase është vrasje e qëllimtë, me paramendim, është vrasje tinëzare, andaj nuk ka mëshirë aty, sepse mëshira ndaj krimit dhe kriminelit është zullum dhe padrejtësi për masën e gjerë, ngase më pas trimërohen kriminelët dhe përhapet krimi. Si mund t’i komentojmë ndryshe rastet kur shumë hajna e kriminel i zë policia, duke rrezikuar jetën e vet, por pas një procedure të shkurtër, kriminelët lirohen dhe ndoshta të njëjtën ditë krimineli e takon policin i cili pak më herët ia dorëzoi atë shtetit në pranga, ai qesh me policin dhe tallet me të. Apo qëndron në burg disa muaj dhe më pas lirohet dhe prapë kthehet në zanatin e vjetër. Tërë kjo vjen si rezultat i mungesës së sundimit të ligjit dhe marrjes së masave të rrepta ndaj krimit dhe kriminelëve.


 


Nuk do mend se edhe edukimi ka një rëndësi shumë të madhe në sigurinë e qytetarëve, sepse me edukim vetëdijesohen njerëzit, së paku një numër i madh i tyre, e kuptojnë shenjtërinë e gjakut të tjetrit, pasurisë së tij dhe kështu me radhë, e që kjo nënkupton se edhe ministria e arsimit ka një pjesë të fajit, sepse është bartëse e misionit dhe përgjegjëse për edukimin e brezave të ri. E edukimi i  mirëfilltë kurrë nuk ka mundësi të realizohet pa u futur lënda fetare edukative nëpër shkolla publike. Ndryshe është kur gjërat mësohen si teori e thatë, e ndryshe kur ato përjetohen shpirtërisht dhe bindet njeriu. Andaj të gjitha këto që u përmenden dhe shumë probleme tjera mbesin sfidë për qeverinë e ardhshme së cilës i urojmë sukses.  Dhashtë Zoti që gjithmonë të na udhëheqin njerëzit e mirë, të cilët punojnë për shtetin dhe shoqërinë, e jo të ligjtë të cilët shkatërrojnë të dyjat. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.


 


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Dimensionet politike-fetare të vizirës së Irinejit në Tiranë


 


Gjatë javës së kaluar ishte shumë aktuale vizita e Patriarkut Serb në Tiranë, në zemër të shqiptarisë. Mendoj se nuk do ishte shumë e çuditshme vizita e tij, sikur mos të ishte i njohur Patriarku Serb për qëndrimet e tij ndaj masakrave serbe në Kosovë dhe ndikimin  e tij në politikën serbe ndaj Kosovës. Vizita do të ishte normale sepse ai në parim vizitoi vëllezërit e tij nga feja, pra pikërisht me rastin e inaugurimit të Katedrales Ortodokse. Besoj se të gjithë tashmë e dinë atë që e kam potencuar sa e sa herë se feja i bashkon njerëzit, ajo i tejkalon madje edhe kufijtë e kombit e nacionalizmit, por këtë si duket shumë shqiptarë e kosovarë nuk e kuptuan apo nuk deshën ta kuptojnë. Po shpresoj se tashmë pas vizitës së fundit e kuptuan, përndryshe si do të mund të justifikohej ftesa e kryeministrit shqiptar dhe pritja madhështore që i bëhet një përkrahësi të kasaphanave dhe masakrave serbe në Kosovë, të cilat shpesh u përgëzuan dhe u bekuan nga kisha.


Vërtetë është mjaft ironike të dëgjosh vizitorin aq të mirëpritur tek deklaron se shqiptarët dhe serbët kurrë nuk kanë pasur probleme. Në një intervistë dhënë Top Channel, Irinej mes tjerash deklaroi: “Ne me shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë”. Me sa duket me shqiptarë ai aludon vetëm në popullin brenda kufijve të Shqipërisë ‘Londineze’ apo me gjasë është i njoftuar mirë se shumë nga vëllezërit tanë në Shqipëri, përfshirë shumë socialistë, e ndoshta në mesin e tyre edhe vet kryeministri, nuk e njohin historinë e kombit dhe vuajtjet e kosovarëve. Ata nuk e dinë rolin e Kishës Serbe që nga dita kur u larguan osmanlinjtë dhe Kosova më forcë u pushtua nga e ashtuquajtura Mbretëria Serbe, pra “Kralevina e Vjetër”, e pastaj projektet shfarosëse për shqiptarët e Kosovës, të njohura si Načertanije në kohën e Nikolla Pashiqit, duke i dëbuar e përzënë shqiptarët nga Kosova për në Turqi. Më vonë shtypja dhe represioni i pamëshirshëm serb kundër shqiptarëve gjatë ish-Jugosllavisë respektivisht aksioni i armëve (1952) i kohës së Aleksandër Rankoviqit e radhazi deri tek kasapi i Ballkanit, vet miku i Patriarkut Serb, Millosheviqi, i cili gjithherë krah të djathtë e kishte Patriarkun e Kishës Ortodokse, e ashtuquajtur pravosllave, dhe merrte bekimin e tij për masakrat kundër popullatës muslimane në Bosnjë e pastaj asaj mbarëshqiptare në Kosovë.


Ndoshta vëllezërit tanë në Shqipëri nuk e dinë, por ne kurrë nuk do t’i harrojmë deri sa të futemi nën dhé masakrat dhe gjenocidin që bënë serbët ndaj popullit shqiptar çdo herë sa herë që u erdhi shansi. Për ne kosovarët ftesa për vizitë e një njeriu “të madh” serb në zemrën e shqiptarëve është mjaft fyese dhe nënçmuese. Këtë nënçmim dhe përulje Patriarku e tregoi haptazi kur pa fije turpi deklaroi se “Kosova është e shenjët për Serbinë”. Në vend se të thërras për paqe e tolerancë, në vend se të kërkoi falje publike për krimet e bëra, në vend se të përpiqet të jetë një urë lidhëse dhe shkas pajtimi mes dy popujve fqinj, të mundohet gradualisht ta lë anash të kaluarën për ta krijuar një të ardhme më të mirë për dy popujt e Ballkanit, ai hedh thupra në zjarr dhe zotohet se Kosova është Serbi. Çka lë të kuptohet se “ujku qimen e ndërron por zanatin nuk e harron”.


Duke pasur në konsideratë këto rrethana, ftesa zyrtare e kryeministrit shqiptar dhe pritja madhështore që i bëri Irinejit është vërtetë për tu dhimbsur dhe për ta vajtuar gjendjen e kombit tonë. Por, siç e thotë edhe vet populli “siç jemi ashtu edhe punët i kemi”, është vërtetë e mjerueshme çfarë udhëheqje dhe liderësh politikë po na vijnë në pushtet. Zoti na udhëzoftë, e nga njerëzit e ligë na çliroftë, e me më të mirë na nderoftë. Më qenë se jemi krejt afër zgjedhjeve parlamentare, ftoj që to të jenë të qeta dhe pa incidente. Ta shohim se kë po e zgjedh populli ynë, a do të dijë të zgjedh burra të mirë e meritor, apo të vazhdoj me avazin e vjetër, këtë mbetët ta shohim shumë shpejtë.         Deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.


 


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Ekonomia, kryefjalë apo enigmë e fushatave elektorale


 


Jemi në kohë të fushatës zgjedhore ku shumë parti politike po garojnë për t’i zënë vendet e tyre në mexhlisin kryesor dhe më të madh të vendit. Ky vend në fakt u takon burrave më të mëdhenj, më meritorëve, por a thua a po ndodh ashtu. Për fat të keq, te shumë qytetarë kjo nuk është aq e rëndësishme pasi shumë nga ta nuk shfaqin as interesin më të vogël kush vjen e kush largohet nga pushteti. Popullit nuk i intereson shumë se kush udhëheqë me politikën e vendit, por ajo çfarë u intereson është realizimi i një mirëqenie dhe standardi më të mirë jetësor. Për këtë, pothuajse në tërë botën, partitë politike në fushatat e tyre kanë fokusin kryesor tek ekonomia.


Arsye tjetër sigurisht është edhe ajo se kohëve të fundit qëndrueshmëria ekonomike e shumë vendeve është vënë në pikëpyetje: recesionet, falimentimet, borxhet, papunësia, mbyllja e fabrikave, kanë qenë ndër lajmet më të sheshta që kemi dëgjuar viteve të fundit. Edhe tek ne, në mos për asgjë tjetër, të paktën për hatër të imituar miqtë tanë perëndimorë, fushatat janë vërshuar nga ekonomia. Madje, ekonomia është hiperbolizuar aq sa partitë kanë marrë guxim të shpallin programet e tyre gati për të shenjta. Janë duke u premtuar miliarda investime dhe qindra mijëra vende të reja pune.


Por, sa është kjo e vërtetë? Sa mund të realizohen gjithë ato premtime? Apo, a nuk është ky edhe një mashtrim i radhës për qytetarët? A nuk po keqpërdoret gjendja e tyre e mjerueshme për tu vjedhur votën dhe për t’i lënë më pas të vazhdojnë me mjerimin e tyre.


Ky popull ka një numër tepër të madh të papunësisë, padyshim më të madhin në Evropë e rajon. Tek ne më së shumti flitet për vende pune, por më së paku hapen vende pune. Në anën tjetër shtrenjtimet e mëdha, kostoja shumë e lartë e jetesës. Më këtë fukarallëk të madh përqindja e kamatave është më e larta në Evropë, e njëmend siç thotë populli ‘livadhin e shkretë e kullosin kafshët e huaja’, pronarët e bankave nga brenda dhe jashtë e kanë gjetur këtë vend të shkret dhe po rrjepin popullatën e shkretë, për gjynah të Zotit.


Mbi gjysmë milioni njerëz të zhytur në kredi me kamata të larta, ku shumë nga ta nuk mund të dalin nga ato kamata sa të jenë gjallë. E kamata nuk shton pasuri, por ajo shton dhe thellon varfërinë. Kjo pa dyshim vërehet për çdo ditë e më tepër. Në këto situata del në pah shtresa shfrytëzuese e njerëzve të ultë të cilët i shfrytëzojnë pamëshirshëm të varfrit duke u dhënë borxh me fajde. Ashtu siç del në pah edhe shtresa tjetër, e cila shfrytëzon çdo mënyrë dhe çdo rrugë për të ardhur deri tek pasuria, e për pasojë niveli i korrupsionit ngritët në kulm, duke u bërë kancer i kësaj shoqërie. Pikërisht sikur që kanceri shkatërron mushkëritë dhe dalëngadalë edhe trupin, po ashtu edhe korrupsioni shkatërron shoqërinë derisa ta falimentojë shtetin. Këto shtresa janë kategoria më e dëmshme dhe më fatale e shoqërisë, por mjerisht janë aq shumë të përhapur sa që përkundër dëmit që i shkaktojnë vendit, megjithatë ata ndihen kryelartë për dëmet që bëjnë, Allahu na ruajt nga sherri i tyre.


Këtë gjendje kaotike në shumë sfera, e në veçanti atë ekonomike, e kanë vërejtur dhe potencuar edhe dashamirët tanë ndërkombëtarë, si Unioni Evropian, Banka Botërore për zhvillim etj. Saqë së fundmi, një deputet nga Bundestagu  gjerman deklaroi se Evropën nuk e shqetëson shamia, por e shqetëson niveli i lartë i korrupsionit.  Tani kur jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, dalin partitë tona dhe u hedhin hi syve të qytetarëve duke premtuar ngritje të ekonomisë, krijim të vendeve të reja të punës, të drejta fetare e çka jo tjetër, thua se në dorë posedojnë shkopin e mrekullive të hasreti Musait alejhiselam. Nuk e di se si po ju beson ky popull, apo si po mashtrohet e po del në zgjedhje, por mendoj se nuk ka pse del, secili që vjen në pushtet ma shkret se tjetri, dhe secili që kalon në opozitë nuk le të zezë pa thënë për tjetrin dhe kështu me radhë. Herë njëri e herë tjetri në pushtet me të njëjtën retorikë dhe të njëjtin avaz, e populli i gjorë po vuan të zitë e ullirit. Allahu e çliroftë këtë popull dhe e nxjerrtë nga kjo situatë e rënd, duke na sjellë në pushtet ata që i druhen Atij lartë në qiell dhe mëshirojnë njerëzit poshtë në tokë. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.


 


 


Dr.Shefqet Krasniqi: Të mençurit kuptojnë qoftë edhe me gjeste


 


Fenomenet natyrore po përsëriten shpesh kohëve të fundit ndaj mu për këtë edhe e kam trajtuar disa herë këtë çështje në shkrimet e mia. Në cilësi të një këshilltari e ndjej obligim moral ta trajtojë prapë këtë temë duke marrë si shkas vërshimet e fundit në Ballkan. Patëm një dimër shumë të thatë që për shumë kë ishte shenjë ogurzezë se thatësia verës do të jetë e papërballueshme.


Por, ja, Zoti lëshoi mëshirë mbi ne dhe pas shirave që filluan muajt e fundit, veçanërisht në maj, gjendja ndryshoi. Madje jo vetëm që ra shi më bollëk, por ndodhën edhe vërshime gjithandej Ballkanit. Falë Zotit, ne shpëtuam lehtë në krahasim me atë që përjetuan vendet fqinje. Mëshira e Zotit ndaj nesh ishte e madhe, Ai jo vetëm që na lëshoi shi të mjaftueshëm, saqë u mbushën liqenet, puset, lumenjtë, por edhe atë shi e lëshoi ngadalë, qetë dhe me masë e kontroll të duhur. Sa i madh e i dashur je Ti o Zoti im!


Disa të gjorë, nga mos dija e disa edhe nga kryeneçësia, u tallën kur ne i drejtuam duatë dhe lutjet tona Zotit fuqiplotë në xhami dhe jashtë saj, që të na begatojë me shi dhe mos të na dënojë për shkak të gjynaheve të disave nga ne.


Nuk ka dert, sepse njerëzit të këtillë kishte edhe në kohën e Pejgamberëve të Zotit dhe talleshin me ta, ndaj ata(o) do të vazhdojnë të tallën, derisa të vije koha kur besimtarët të marrin shpërblimin në botën e amshueshme e tallësit dhe mospërfillësit të mbeten me gisht në gojë, siç ka thënë Pejgamberi Nuh alejhiselam: “Ai (Nuhi) u thoshte: “Nëse talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu siç ju po talleni me ne!” (Hud, 38). Sido që të jetë ne nuk merremi me ta, por me pasojat që mund t’i përjetojmë së bashku për shkak të gjynaheve të tyre dhe rebelimit ndaj Zotit. Pa asnjë dyshim, ishte e mundur që i madhi Zot këtë vend të vockël tonin ta bënte ta gëlltis toka ashtu siç ndodhi me vendet fqinje, të cilat për një shekull e më


shumë nuk mbajnë mend vërshime të këtilla.


 Kjo dukuri mund të interpretohet në forma të ndryshme, por, ne si besimtarë, e interpretojmë si pasojë e çrregullimit të botës njerëzore, e thyerjeve dhe shkeljeve të ligjeve të natyrës, kundërshtimit të kodit njerëzor, përhapjes së antivlerave si dhe luftimit të vlerave dhe kundërshtimit të rikthimit të tyre.


A nuk shihni tërë këtë degjenerim?


A nuk shihni si njerëzit kanë filluar ta promovojnë atë që as shtazët nuk e bëjnë, ndërsa nuk kursehen t’i sulmojnë të tjerët se kinse këta të prapambetur nuk po i kuptuakan vlerat. A ka diçka më të shëmtuar sesa të promovohen antivlerat, të konsiderohet vlerë martesa e të njëjtës gji, madje edhe të mbrohet me ligj, ndërsa të ndalohet martesa me gjininë e kundërt nëse kalon numrin një, pavarësisht vullnetit dhe dëshirës se palëve dhe mungesës së njërës palë! Për më tepër, antivlerat arrijnë deri në atë shkallë sa që të gjithë njerëzit normal që kundërshtojnë antivlerat, duke tërhequr vërejtjen në mënyrë racionale dhe të moderuar se një gjë e tillë nuk është në rregull, cilësohen si të sëmurë, të pa civilizuar, kundërshtar të demokracisë dhe ‘vlerave’ liberale etj. Si mos ta mbajë këtë qëndrim kur për shfrenim anormal të së njëjtës gjini Allahu ka ndëshkuar popuj me gurë nga qielli dhe ka përmbysur vende të tëra që historia i njeh si Sodomë dhe Gomorë?! Me besoni apo jo, shpesh herë shoh veten para një ankthi e frike se mos do të na zbres edhe neve ndonjë dënim nga qielli, ndoshta Allahu deshi të na tërheq vërejtjen përmes asaj që pamë në Serbi e Bosnjë e Hercegovinë, e pas saj edhe tërmeti në Shqipëri.


Si të mos kemi frikë kur po shohim dhe po përjetojmë tërë këto dukuri negative të cilat po na ngulfasin? Nuk mbeti dukuri negative nga lindja në perëndim që nuk ia mësyu vendit tonë. Ky vend ani pse me hapësirë i vogël, megjithatë është bërë një teren “i përshtatshëm” për të përhapur antivlera e për të praktikuar aty lloj-lloj testesh e provash. Zaten jo rastësisht kanë thanë të vjetrit “tokën e shkretë e punon gjithkush?’.


Si të mos frikësohemi kur kaq shumë padrejtësi kanë kapluar këtë shoqëri? Krim, korrupsion, ryshfet, shantazh, shpifje, vjedhje, kidnapime, e çka jo tjetër.


Si të mos frikësohemi kur gjysma e popullit jeton me kredi të ndaluara fetarisht? E Pejgamberi i Zotit ka paralajmëruar se kur të paraqitën këto dukuri negative, apo disa nga to, atëherë prite kiametin, ka thënë ai i bekuar: “Kur përgjegjësia (udhëheqja e vendit) u jepet në dorë njerëzve që nuk janë të aftë e meritor, atëherë prite kiametin” dhe ka thënë ai i bekuar: “Para se të ndodh kiameti do të shfaqen kamata, imoraliteti dhe pijet alkoolike”. Ndaj, të gjitha këto por edhe shumë më shumë i kemi sot prezent në çdo cep të shoqërisë sonë. Andaj Allahu na mëshiroftë e na ndihmoftë, se punët nuk i kemi aspak mirë. Lusim të madhin Zot,


që ta drejtojë këtë popull e këtë shoqëri, të nxjerrë nga bijtë dhe bijat e këtij populli vizionarë që bëjnë reforma dhe e përmirësojnë gjendjen tonë. Mos na dëno o Zot për gjynahet tona. Amin, deri në javën tjetër selam alejkum …

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …