RKL: Të burgosurit nuk mund të arrestohen përderisa nuk ikin nga burgu

Veprimi i fundit, gjithnjë arbitrar dhe antishqiptar i EULEX-it, mbase edhe në pajtim me Ministrinë e Drejtësisë dhe të një segmenti të  Qeverisë, për t’ i ekstraduar dhunshëm në burgun e Mitrovicës krerët e luftës së UÇK-së, të akuzuar për gjoja krime lufte, mbështetur vetëm  me dëshmi të dëshmitarëve të instruktuar, ka për qëllim destabilizimin e vendit pikërisht gjatë fushatës zgjedhore. 

 

Veprimi është shumë perfid dhe me prapavijë të rrezikshme me faktin se krerët e institucioneve nuk mund të pranojnë se pjesa veriore e vendit nuk është nën juridiksionin e Kosovës, ndërkohë që dihet mirëfilli se veriun e administron Beogradi zyrtar. Burgun, në veri të Mitrovicës e administrojnë strukturat paralele, kriminale,  serbe, të cilat janë të disponuar kundër çdo shqiptari, e lërë më kundër ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët trajtohen si terroristë.

Ata kanë vrarë policë të Kosovës, por edhe policë serbë që pranojnë autoritetin e Kosovës, po ashtu sikur kanë vrarë edhe policë të EULEX-it dhe forca paqeruajtëse të KFOR-it. Këto fakte dhe krimet e përditshme që ndodhin atje i dinë fare mirë  drejtuesit e EULEX-it e dinë fare mirë, ashtu sikur e dinë edhe kryeministri, Hashim Thaçi, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, të cilët madje as në përcjellje të policisë së tyre, as në përcjellje të Policisë së EULEX-it, madje as të oficerëve të KFOR-it  nuk guxojnë të duken në veri, qoftë edhe zyrtarisht, po të kishte nevojë për një prani të tillë. Pat provuar njëherë të duket në veri, Bajram Rexhepi derisa ishte kryeministër, por shpëtoi duke ikur nga dritarja e vogël e një WC- je të lokalit ku kishte shkuar.

 

Në këtë pjesë të aneksuar të Kosovës nga Serbia, nuk guxojnë të shëtisin lirshëm as shqiptarët e atjeshëm, ende nën okupim, sepse në vazhdimësi kanë qenë të sulmuar, të gjymtuar dhe sa e sa herë edhe të vrarë. Në pjesën veriore të Kosovë sundojnë kriminelët e ikur nga Kosova qysh në qershor të vitit 1999 dhe ata e kanë bërë dhe po e bëjnë ligjin me mbështetje të gjithanshme nga Beogradi zyrtar.

Jo zyrtarisht bëhet e ditur se eprorët e arrestuar, gati një vit më parë, të cilët për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore po qëndrojnë në trajtim mjekësor në QKUK, sikur janë ish-komandanti i Zonës së Drenicës gjatë luftës, Sami Lushtaku dhe eprorët, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha nuk po pranojnë të  ekstradohen në Veri të Mitrovicës, ku me të drejtë konstatojnë  se do të keqtrajtohen.

 

Krerët institucionalë dhe liderët e partive të caktuara politike, nuk kanë reaguar kundër  transferimit  në burgun e Mitrovicës të disa eprorëve  të luftës së UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim për vepra të montuara politike, që kanë për qëllim diskreditimin e luftës së UÇK-së. Jo zyrtarisht është bërë e ditur se një ditë para vendimit të EULEX-it për ekstradimin e të paraburgosurve nga radhët e kreut të luftës së UÇK-së,  në një burg të veriut të Mitrovicës, kryeministri Hashim Thaçi ka biseduar me autoritetet  e EULEX-it, por nuk janë dhënë detaje të bisedimeve. Burimet brenda Qeverisë, në kushte anonimiteti thonë se kryeministri Thaçi ditë më parë  ka kundërshtuar ekstradimin, por shefi i EULEX-it i ka përkujtuar se veriu është pjesë e Kosovës, andaj nuk bëhet fjalë për një ekstradim në një shtet tjetër, por në territorin e vendit, ku ai është kryeministër.

 

Ndërkohë ky veprim arbitrar i EULEX-it gjithsesi se do të ketë pasoja për vendin, meqë tashmë me të drejtë është krijuar bindja e ky mision i BE-së, është drejtpërdrejt në funksion të Qeverisë së Serbisë dhe ka për qëllim rikthimin e sundimit serb në Kosovë.  Pikërisht për ta kundërshtuar këtë vendim anti-UÇK, tri ditë në ambientet e QKUK-së, veteranë të luftës, familjarë e të burgosurve, zyrtarë nga Skënderaj por edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë protestuar kundër vendimit për ekstradim, edhe pse përkrahja që do të duhet ta kishin komandantët e luftës nga bashkëluftëtarët e tyre nga popullata liridashëse e Kosovës, mjerisht,  lë shumë për të dëshiruar.

 

Koha kur EULEX-i ka marrë vendim për transferimin në veri të ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, të Komandantit të Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku dhe të 13 eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së të zonës së Drenicës, të akuzuar padrejtësisht dhe në mungesë të fakteve relevante,  ka për qëllim edhe krijimin e atmosferës së përplasjes brenda PDK-së, meqë jo të gjithë krerët e kësaj partie do ta pranojnë këtë veprim më të ri antishqiptar të EULEX-it. Pikërisht këtu edhe ka qenë qëllimi i një segmenti ndërkombëtar, i cili ka shfaqur haptas tendencë që në zgjedhjet e 8 qershorit të mos fitojnë partitë që identifikohen me luftën e UÇK-së. Kjo është edhe kurdisja e radhës e EULEX-it për ekstradim pikërisht në kohë të fushatës zgjedhore.

 

Vendimi arbitrar i EULEX-it ka për qëllim jo vetëm devalvimin e luftës së UÇK-së, por edhe diskriminimin e kreut të luftës, madje edhe ekstradimin e tyre në veri, me qëllim për t’ i ekspozuar haptas ndaj dhunës së kriminelëve serbë, të cilët nuk e njohin as autoritetin e EULEX-it, kur konsiderojnë se është në dëm të tyre.

Ky vendim ka rezultuar edhe me një përçarje të pariparueshme si brenda PDK-së ashtu edhe brenda veteranëve, të cilët nuk kanë një pozicion të qartë për apo  kundër ekstradimit, meqë Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Thaçi kanë heshtur dhe po vazhdojnë të heshtin. Ata janë pajtuar që kriminelët nga veriu, si Delibashit dhe Ivanoviq  të kthehen në veri, por nuk kanë këmbëngulur që i njëjti vendim të vlejë edhe për të burgosurit shqiptarë.

 

Duke komentuar rastin e mos lejimit të ekstradimit të të paraburgosurve shqiptarë në burgun e veriut të Mitrovicës, shefi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka reaguar në mënyrë tejet të pamatur dhe krejtësisht hipokrite. Ai thotë se pikërisht rasti i moslejimit të ekstradimit tregon se sa i arsyeshëm paska qenë themelimi i Gjykatës kundër UÇK-së. Këtij zyrtari të Brukselit nuk i bën fare përshtypje fakti se asnjë kriminel serb deri tani nuk është ekstraduar nga Serbia në Kosovë për gjykim, ku ata kanë kryer krime fashiste,  sepse ai Kosovën e trajton si provincë serbe, ndërsa veriun si pjesë integrale të Serbisë. Ky zyrtar kërkon që ish komandantët e UÇK-së të gjykohen, qoftë edhe në mungesë të një fakti të vetëm, të poshtërohen dhe të thyhen krejtësisht, me qëllim që lufta e UÇK-së të etiketohet si luftë terroriste, ashtu sikur aktualisht e trajton Serbia, Rusia disa vende me ndikim absolut në BE dhe të gjithë zyrtarët e deritashëm të EULEX-it pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim.

 

Më në fund, pas arritjes së marrëveshjes, mes avokatëve dhe z. Xhonatan Ratel për transferimin e Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës në burgun e Dubravës, Policia e Kosovës publikoi lajmin se i ka arrestuar tre të paraburgosurit, duke saktësuar se ata iu paskan  dorëzuar Policisë së Kosovës, edhe pse dihet fare mirë se këta tre luftëtarë dhe dinjitarë të lirisë ndodhen afër vit në paraburgim. Ky lajm dashakeqës ka për qëllim përbaltjen e luftës dhe të komandantëve të saj, ka për qëllim të krijojë bindjen se ata janë qyqarë dhe janë dorëzuar edhe pse dihet mirëfilli se tre të akuzuarit e EULEX-it për krime lufte, po asnjë çast nuk ishin larguar nga QKUK-ja ku po trajtoheshin për shkak të shëndetit të tyre të rënduar.  Gazeta Ekspress boton madje edhe një shkrim ku redaktori i saj e krahason Sami Lushtakun me kriminelin serb Zvonko Veselinoviq, ndërsa Koha Ditore vazhdon të botojë shkrimet e Vehbi Kajtazit, kundër komandantëve të luftës së UÇK-së, si dhe shkrime fyese e poshtëruese të Enver Robellit dhe të sojit të tyre të zi e të ngjizur me jugosllavizëm.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryetari i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shprehur mbështetjen e tij për anëtarësimin e Kosovës në …