Ismet Hajrullahu: Një shkrim që i fyen ndjenjat atdhetare të shqiptarëve, reagim ndaj artikullit : “Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!”, të Enver Robellit

Edhe pse në thellësi të vetës time kam ndjenjën që nuk duhet të shpenzoj kohë dhe energji me  lajthitjet e  Enver Robellit dhe të sivllëzërve  të tij, shkrimi i që ai ka publikuar  në të përditshmen “Koha Ditore” të datës 15 janar 2013 i titulluar “Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!” më shtyri që të paraqes opinionin tim për çështjet që ky pretendon se i ka ngritur.


Me siguri nuk do të reagoja sikur Robelli të kishte ngritur realisht vetëm shqetësimet që ka për pasojat e “Piramidave të 1997-s”, Gërdecin, apo edhe “korrupsionin” e Ilir Metës. Madje deri këtu do ta kisha mbështetur dhe inkurajuar këdo që do shkruante për këto fenomene, pasi ngjarje të tilla, sidomos ato të vitit 1997, e çuan shtetin shqiptar në kolaps dhe në shkatërrim të plot të institucioneve të tij.  Mirëpo, Robellit i fle lepuri gjetiu! Ne te vërtetë, atë nuk e shqetësojnë edhe aq shumë çështjet e ngritura në shkrimin e tij, por atë e shqetëson ndjenja njerëzore e dashurisë ndaj atdheut që ai e konsideron si diçka demode dhe primitive.


Robelli e di mirë se kosovarët, labët, mirditorët apo çamët nuk kontribuan dhe sakrifikuan për Shqipërinë e sotme prej 28 mijë kilometrave katrorë, por ata e shpallën Pavarësinë e Shqipërisë për katër vilajetet që e përbënin atë. Përkundër shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912, Shqipëria Natyrale nuk është bërë deri më sot, jo për fajin e këtyre patriotëve me  “opinga”, siç i quan ai, por si rezultat i pushtimit të egër sllavo-grek dhe puthadorëve e kuislingëve të Beogradit dhe Athinës.


 


Robelli shpreh keqardhje per mos dënimin e “krimeve” të UÇK-së, krime këto që i sheh vetëm ai dhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte, ndërkohë që nuk shpreh keqardhje për krimet e përmasave gjenocidale të bëra nga forcat ushtarake e paramilitare serbe, të ndihmuara edhe nga kallauzët shqipfolës.


I rikujtojmë Robellit se gjatë luftës së fundshekullit XX për Kosovën, janë vrarë mbi 15 mijë shqiptarë, më shumë se 90 për qind të të cilëve ishin të paarmatosur, gra, fëmijë e pleq. Gjatë kësaj kohe janë përdhunuar më se 20.000 femra shqiptare dhe janë zhdukur më se 3.000 shqiptarë, dhe për më tepër fatet e hidhura asnjeher nuk përshkruhen  e nuk shprehen thjesht te shifrat.  Këto krime serbe, të cilat detyruan të ndërhyjë Aleanca Veriatlantike, do të duhej ta shqetësonin Robellin, e jo krimet imagjinare të Karla Del Pontes, që mundohet ta barazojë kriminelin me viktimën. Nëse këto krime Robelli nuk është i gatshëm t’i dënojë, atëherë të paktën do të duhej që në përputhje me frymën e Rezolutës së Bashkimit Evropian (që dënon krimet e komunizmit), të dënonte krimet e bëra në Kosovë nga komunistët titistë jugosllavë.


Siç dihet tanimë nga të gjithë, përveç Robellit , krijimi i UÇK-së, është vepër e popullit shqiptar të Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, dhe e luftës së tij shekullore për çlirim nga sundimi serbosllav. Ndaj, UÇK-ja brenda vetes bart kontributin e një numri personalitetesh intelektuale, në radhë të parë kombëtare të kohës, por edhe të gjeneratave të mëparshme të historisë së luftës për çlirim dhe vetëvendosje deri në bashkim kombëtar.  Endrrat, përpjekjet dhe luftën e këtyre bartësve të frymës së Rilindjes Kombëtare, Robelli  i gjykon dhe për ironi i sheh edhe si primitivë.


Ushtria Çlirimtare e Kosovës me luftën e saj të drejtë, e realizoi ëndrrën e saj shekullore të çlirimit nga Serbia. Krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, nëntë vjet pas mbarimit të luftës çlirimtare, bëri edhe një hap përpara për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Evropën Juglindore. Me këtë akt të themelimit dhe të njohjes së shtetit të Kosovës, pjesërisht mori fund precedenti i përgjysmimit territorial të trojeve etnike shqiptare. Kështu, historia shtetformuese e shqiptarëve hyri në një epokë të re më shpresëdhënëse për zgjidhjen e çështjes së kombit shqiptar sipas parimit “një Komb – një Shtet”, parim ky që atdheu i zonjës Merkel, të cilën Robelli e ka personazh në shkrimin e tij, u realizua në vitin 1990, pas 45 vjet ndarjeje të dhunshme të shtetit gjerman. Pikërisht ky bashkim ia ka dhënë fuqinë Gjermanisë që të jetë bartëse e vendimeve të rëndësishme në Evropë.


Pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt 2008 ishte një kompromis i madh. Dhe, për Robellin detyrohem ta shpjegoj se pikërisht “kompromis” me pavarësinë do të thotë heqja dorë nga bashkimi kombëtar. Por kjo nuk do të thotë që shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera etnike, Robelli dhe sojsorollopët tij, mund t’ua ndalojnë shqiptarëve angazhimin më se të ligjshëm për bashkimin e shtetit shqiptar.


Me shkrimin e tij “Lëreni Kosovën të qetë, tiranë të Tiranës!”, Robelli mundohet të tërheqë vëmendjen nga problemet dhe shqetësimet që kanë shqiptarët në gjithë hapësirën etnike për situatën që mbretëron në veri të Kosovës, në Maqedoni dhe tash së fundi në Luginën e Preshevës. Ai duhet ta ketë të qartë se shteti i Shqipërisë me idenë e bashkimit kombëtar, nuk paraqet rrezik për Gadishullin e Ilirik, pasi realizimi i saj, që ishte vizioni i Rilindësve tanë, e atyre që ranë për lirinë e Kosovës dhe që njëkohësisht është e sanksionuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, do të kontribuonte në krijimin e stabilitetit dhe prosperitetit ekonomiko – kulturor të Gadishullit Ilirik dhe Evropës.


Sa i përket konstatimit të Robellit se Shqipëria nuk ka bërë asgjë për Kosovën, kjo jo vetëm se nuk qëndron, por është një konstatim i paskrupullt e tendencioz. Shteti shqiptar edhe në Kohën e Zogut kur ishte shumë i brishtë, kujdesej që edhe me ato pak fonde që kishte, ta ndihmonte arsimimin e shqiptarëve të Kosovës. Sa për ilustrim ta përmendim rastin e akademik Idriz Ajetit, i cili është shkolluar me bursë të ndarë nga shteti i Shqipërisë. Ndërsa Enver Hoxha, në vazhdimësi e ka shprehur dhe mbështetur domosdoshmërinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ndonëse konjukturat e kohës dhe raporti i forcave nuk lejonin veprime më të dukshme. Rikujtojmë këtu letrën drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik të datës 2 shtator 1949, në të cilën Enver Hoxha shprehet hapur se shqiptarëve të Kosovës u është bërë padrejtësi e madhe duke u shkëputur nga Shqipëria. Për këtë qëndrim të Enver Hoxhës ndaj çështjes së Kosovës, flet edhe studiuesi Jon Holiday, i cili në monografinë e tij për Enver Hoxhën, thotë se Enveri fshihte nacionalizmin e tij të shquar të veshur me petkun marksist. “Në të vërtetë që nga koha e lidhjes me Bashkimin Sovjetik në vitin 1949 e deri në vitin 1953, kur do të vdes Stalini, Enver Hoxha kishte kërkuar edhe ndërhyrje të hapur ushtarake kundër Jugosllavisë”. Këtë gatishmëri për bashkimin e shtetit shqiptar të Enver Hoxhës e pasqyron më së miri edhe Plani Sekret i vitit 1980, për çlirimin e Kosovës, nën emrin e koduar “Shpërthimi”, i pohuar nga vetë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare të asaj kohe, Veli Llakaj, i cili edhe vetë kishte qenë një nga autorët e hartimit të atij plani.


Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë flet që në preambulën e saj “për aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar.” Gjithashtu, përveç preambulës ekziston edhe paragrafi 1 i Nenit 8 të Kushtetutës i cili thotë se “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.” Me fjalë të tjera jo vetëm që qeveritë e Republikës së Shqipërisë duhet të punojnë për realizimin e aspiratës së shprehur në preambulë, por kanë edhe një detyrim taksativ për të mbrojtur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve. Për këtë arsye, Robelli dhe ata që qëndrojnë pas tij, nuk mund t’i privojnë sot qeveritë e Republikës së Shqipërisë nga e drejta e ligjshme që të angazhohen në realizimin e aspiratës Kushtetuese për bashkim kombëtar dhe në zbatimin e detyrimit Kushtetues për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. Kush nuk ndjehen si pjesë e popullit shqiptar nuk kanë pse të shqetësohen sepse ata nuk janë subjekte të kësaj aspirate dhe detyrimi kushtetues. Le të ndjehen ata si pjesë e nostalgjikëve jugosllavë (ose thjesht si popull jugosllav) të vjetër dhe të rinj që vazhdojnë të angazhohen për idealin e ruajtjes se krijesës monstrume të quajtur Jugosllavi.


Pa dashje këtu më ra ndërmend një udhëpërshkrim i Robellit pak vite më parë, kur ai kishte vizituar Sarandën. Për çudi, ai atje kishte parë vetëm zi e më zi. Vetëm gjëra të zeza kishte vërejtur, madje që nga kamerieri – njeri, e deri te natyra që e ka falë Zoti. Por, vetëm pak muaj pas këtij shkrimi, Robelli i kthehej një udhëpërshkrimi tjetër, atë dikur nëpër Jugosllavi. Eh sa me ëndje e përshkruante atë udhëtim dhe, në ndaljet e trenit nëpër stacione ai krijonte një idil. Kjo tregon për mallëngjimin jugosllav dhe mosdurimin shqiptar. Por, ky fenomen është i studiuar shumë kohë më parë (që më 1978). Për t’u zbërthyer kompleksi dhe paragjykimi i gatuar nga e kaluara jugosllave, ia kujtoj studiuesin e madh të Universitetit të Kolumbias, Edward Said, teoricien dhe kritik i post-kolonializmit. Ai shpjegon qartë (në veprën e tij monumentale Orientalizmi) se si madje çdo studiues i huaj (evropian apo angloamerikan) kur shkon për kërkime në vendet që dikur i kanë pasur koloni, ai gjithçka sheh zi dhe me paragjykime, gjykon i nxitur nga shpirti  kolonizator, kërkon argumente ‘të zeza’ empirike.


Por, uroj që antipatia Shqipëri e Robellit të mos i jetë kthyer në mision, sepse në një shtet me shqiptarë të bashkuar gjithçka rritet: stabiliteti, fuqia ekonomike, cilësia e jetës, konkurrenca politike, ajo intelektuale dhe e gazetarëve. Por, ç’e do Robelli një konkurrencë të tillë që t’ia tejkalojë psh, një kuksian, burrelas , skrapali apo kolonjar? Kështu më mirë logjika e provincialit. Mbase arsyeja tjetër është të qenit në modë që të jesh kundër, kur të gjithë janë pro, madje-madje, ta emërtosh tirani politikën e kryeqytetit shqiptar!


Përfundimisht, duke iu kthyer edhe një herë mendimit të parmë, se a ja vlen të merrem me mendësinë dhe shpirtin e një të  skllavëruari , atëherë jam i mendimit që ia vlen t’i çlirosh, pasi ata  nuk e  njohin dhe tremben nga liria dhe bashkimi i shtetit shqiptar. Mirëpo, as Robelli e as ata pas tij, nuk duhet  të kenë frikë, pasi realizimi i vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës për bashkim, i deklaruar edhe në Konferencën e Bujanit paçka i tradhtuar në Konferencën e Prizrenit, çliron dhe emancipon edhe atë më të  vuajturin dhe më të tremburin.


E drejta e anatemuar per bashkimin e shtetit shqiptar është ngecje, në mos edhe kthim prapa, një kohë kur të gjithë të tjerët ecin përpara.


Dhe krejt në fund dua ta mbyll shkrimin me thënien Konicës së madh: “ Shqipëria do të bëhet për inat të shqiptarëve”.


(Ky reagim  i është dërguar  te përditshmes  “Koha Ditore” me dt. 16.1.2013, ku edhe është botuar artikulli i Enver Robellit, por redaksia e gazetës pa ndonjë shpjegim nuk e ka botuar).

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …