Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zgjedhur të mos japë përgjigje lidhur me pjesëmarrjen e tij në marshin në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i paralajmëruar për nesër në Prishtinë, në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kurti sot ka folur para gazetarëve për zhvillimet politike dhe çështje të tjera aktuale, por në fund të deklarimit të tij ka shmangur përgjigjen ndaj pyetjes nëse do të jetë pjesë e marshit. Kryeministri në detyrë nuk dha as po, as jo, duke lënë të paqartë nëse do t’i bashkohet qytetarëve dhe mbështetësve që pritet të marrin pjesë në këtë organizim. Heshtja e Kurtit vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për opinionin publik në Kosovë, pasi marshi është organizuar pak ditë para vendimit të Gjykatës Speciale për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ndërkohë, nga Vetëvendosje është dhënë një sinjal tjetër. Deputetja Arbërie Nagavci ka deklaruar se beson se në marsh do të ketë përfaqësues, aktivistë dhe mbështetës të Vetëvendosjes. Megjithatë, përkundër këtij qëndrimi, Kurti nuk ka bërë të ditur nëse vetë do të jetë pjesë e marshit. Mospërgjigjja e kryeministrit në detyrë e lë kështu të hapur një nga pyetjet që po qarkullon në prag të marshit: a do të jetë Albin Kurti mes qytetarëve që nesër pritet të marshojnë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, apo do të zgjedhë të qëndrojë jashtë këtij organizimi?
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
