Sot u përurua përmbledhja poetike, “Shtegu i lirisë” e autores Mona Agrigoroaiei

Në fjalën e hapjes, kryeredaktorja e Radios-Kosova e Lirë, Arbanë Qeriqi-Gashi tha se “poezia e poeteshës dhe veprimtares, Mona Agrigoroaiei, kryesisht i dedikohet motivit të atdhedashurisë, trojeve shqiptare ende të degdisura dhe të ndara në disa shtete, iu dedikohet dëshmorëve të kombit e në veçanti dëshmorëve të tri ushtrive tona çlirimtare. Si e tillë ajo e mbanë vulën dhe emblemën e poezisë atdhetare, e cila është karakteristikë sidomos për poetët e mërgimit, madje edhe ata të Rumanisë, dikur një segment shumë i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.

Në fjalën e tij, profesor, Qerim Rexhaj foli për temat, motivet dhe veçoritë krijuese të poezive të Mona Agrigoroaiei, duke segmentuar sidomos motivin patriotik, përkushtimin për dëshmorët e kombit, por edhe karakterin realist të disa poezive ku ajo ka stigmatizuar politikanët, të cilët interesat e tyre individuale e klanore i vunë mbi interesat e kombit e Atdheut, madje duke pretenduar se i kanë kryer të gjitha detyrat. Profesor Rexhaj ka çmuar lart angazhimin poetik letrar të poeteshës rumune me origjinë shqiptare, Mona Agrigoroaiei, e cila qysh në rininë e hershme ishte edukuar me frymën e idealeve për realizimin e aspiratave tona kombëtare.

Simboli i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi, përshëndeti poeteshën Agrigoroaiei, duke e përgëzuar për nxjerrjen në dritë të librit me poezi dhe duke e lavdëruar punën, angazhimin dhe kontributin e saj në prezantimin e së vërtetës shqiptare kudo në trojet tona por edhe në Rumani.

Në fund të përurimit, autorja Mona Agrigoroaiei falënderoi të pranishmit, veçmas Radion-Kosova e Lirë e cila nxori në dritë përmbledhjen me poezi “Shtegu i çlirimit”.

Kontrolloni gjithashtu

Bujar Gashi: Libri im, “Explore Kosova”, është një udhëtim në trashëgiminë kulturore, historike dhe natyrore të vendit tonë

Explore Kosova Libri im, “Explore Kosova”, është një udhëtim në trashëgiminë kulturore, historike dhe natyrore …