Libri” Analiza dhe komente”, i autorit Fatmir Graiçevci trajton tema me interes për lexuesit

Radio-Kosova e Lirë ka nxjerrë në dritë librin, ” Analiza dhe komente”, të autorit,  Fatmir Graiçevci njohës i thellë i rrethanave dhe kontradiktave shoqërore në vend e më gjerë.

Fatmir Abdullah Graiçevci i takon brezit të ri të analistëve të pas luftës së UÇK-së. I formuar në një ambient atdhetar, në një familje të përndjekur dhe të viktimizuar gjatë tërë kohës së sundimit të regjimeve serbe në Kosovë, ai edhe pse i ri nuk kishte qëndruar indiferent dhe nuk e kishte pranuar rezignatën si “fat të vulosur” dhe tragjik.

Në analizat e tij me karakter social, politik, me përmbajtje të mbrojtjes së vlerave kombëtare dhe të vlerave të luftës së UÇK-së, ai ka arritur të dallohet si analist militant, me një gjuhë që godet pamëshirshëm deformimet shoqërore, godet hijet e errësirë sllave, të cilat ende po gjallojnë nëpër trojet tona, si  dhe dukuritë e shumta negative të shoqërisë. Duke qenë njohës i filozofisë dhe i sociologjisë, njohës i mirë i rrethanave dhe kontradiktave shoqërore në vend e më gjerë, Fatmir Graiçevci ka trajtuar disa tema të rëndësishme të përditshmërisë dhe ka arritur të vë në spikamë shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje në të cilët ndodhemi, në përgjithësi, si komb jo sa duhet i organizuar.

Kritika e tij drejtuar segmenteve të caktuara shoqërore, politike, është kritikë utilitare e shprehur me argumente e fakte dhe përgjithësisht është një kritikë e shëndoshë, e cila nuk diskrediton, por vetëpërmbahet deri në nivelin e arsyeshëm të saj.

Më i zëshëm dhe më pak i përmbajtur tregohet në mbrojtjen pa kompromis të vlerave të luftës së UÇK-së, vlera këto të cilat mjerisht kanë filluar të nëpërkëmbën edhe nga një segment përbrenda saj, meqë disa eprorë të saj kapitalin e luftës e kanë kapitalizuar me përfitimet që iu ka sjellë dhe po iu sjellë pushteti.

 Në “luftë” për të mbrojtur vlerat fitimtare dhe çlirimtare, ai spikat elementet më të tejdukshme të fakteve dhe argumenteve të shumta në këtë segment të manifestimit të realitetit të së vërtetës dhe të së drejtës. I vetëdijshëm se çdo periudhë historike i ka baticat e zbaticat e veta, se çdo progres shoqëror manifestohet edhe me një masë të regresit, në analizat e tij merr për bazë filozofinë e jetës, ligjet e saj të pagabueshme, të cilat janë treguar dhe tregohen të qëndrueshme, sepse mbështeten në një sistem të dëshmuar të vlerave, të cilat edhe kur mënojnë e ngatërrohen, ato më fund dalin fitimtare.

Fatmir Graiçevi ka sjellë risi në analizat-analitike të tij. Ai tashmë ka krijuar një stil origjinal të qasjes ndaj realitetit  dhe ndihet krejt i sigurt në opinionet e observimet që merr në shqyrtim  edhe për faktin se e zotëron mirë lëndën të cilën e merr për ta trajtuar.    A. Q.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …