Fillojnë parapërgatitjet për fushatën e korrje – shirjeve

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim edhe me palët e tjera që ndërlidhen me këtë proces, kanë bërë parapërgatitjet për fillimin dhe realizimin e fushatës së korrje shirjeve për vitin 2019.

Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të punëve, përfaqësuesit e MBPZHR-së kanë mbajtur takimin e përbashkët me përfaqësues të Drejtorive Komunale për Bujqësi, të Shoqatës së Prodhuesve të Grurit dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Mullisëve.

Gjatë këtij takimi palët e përfshira në këtë proces janë pajtuar që të mos fillohet me korrje shirjet para pjekjes se plotë të grurit, e krahas kësaj edhe Drejtoritë Komunale për Bujqësi të raportojnë në MBPZHR, gjegjësisht te Komisioni Qendror për Monitorimin e Korrje Shirjeve për vitin 2019, një herë brenda javës lidhur me ecurinë e korrje shirjeve në komunat e tyre.

Me këtë rast, bazuar në çmimin aktual të derivateve të naftës, pjesëve rezervë të autokombajnave, si dhe gjendjes së zhvillimit të grunajave, MBPZHR, përfaqësuesit e Drejtorive Komunale Bujqësore, përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Grurit dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve, kanë propozuar që çmimi real i korrje shirjeve për vitin 2019 do të ishte 100 euro për hektarë (nënkuptohet se çmimi i korrje shirjeve caktohet me marrëveshjen në mes të fermerëve dhe autokombajnerve).

Ndryshe, në gjithë territorin e Kosovës, sivjet me kulturën e grurit janë të mbjellë 50 mijë hektarë, ndërsa MBPZHR-ja i mbështetë kultivuesit e grurit dhe farës së grurit përmes pagesave direkte.

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …