Zymer Mehani: Përballë hasmit

*Zahirit, Edmondit, Hakifit* (I kujtojmë dëshmorët e atdheut, në përvjetorin e rënies)

 

Ju shpesh qëndruat ballë për ballë me stuhinë

E armikut shekullor urrejtjen ia patë dhe mërinë

Dhe hakun ia dhatë e nam të madh latë…..

E sot qëndroni lisa në erë, në borë e në shi

Emrat tuaj të artë mbiemrin e kanë LIRI….

 

Zahir, o trim i Llapit ilirik, i dalë nga epika

Me krenari i rreshtove ushtarët në rreshta e në pika

Dashurinë për atdhe me dëshmorët bashkë e ndave

E qiellit tonë ia ktheve kaltërsinë ti me një tufë yllësie

Me Edmondin, Hakifin,…. Adem Jasharin, flakadan lirie

 

Ju rrugën e vazhduat nëpër dallgë e nëpër erë

E zemrat tuaja për liri të atdheut u përflakën çdoherë

Si rreze dielli, kur agimet e kaltra t’përgjakura u dukën

Ashtu dhe ju me gjakun tuaj këtë truall e skuqët

 

Në rrugën e brezave, Zahir, me Edmondin e Hakifin

Me dashurinë për atdhe, që e kishit në zemër

Porsi shqipet fluturonit lartësive më të epra

E sot për ju flet gjaku juaj, sakrifica dhe vepra

 

Ju, dhembje e dashuri për atdhe i kishi te damaret

Që ju digjte prush si flakët dhe zjarret

Dhe drejt vdekjes shkuat bashkë, ku ju priste prita

Aty ratë për të mos vdekur, u kthyet në petrita

 

Shumë e vogël para jush, Zahir dukej vdekja

Sepse për atdhe, flamur e komb e madhe ishte etja

Ju zemër na dhatë të duam, por edhe të urrejmë

Na mësuat të jemi të fortë, të qëndrojmë e ngadhnjejmë

 

Unë poeti si në vegim shoh dëshmorët varg e varg

Prej të parit tek i fundit, kushedi sa janë larg

Por unë ua di fshehtësitë dëshmorëve ç’mendojnë

Ua di çdo dëshirë dhe e di çfarë ëndërrojnë

 

O ata janë yje vezullues lart në qiellin e atdheut

Janë yje të përflakur, të përpjekur me retë

Ata janë të njëjtë, të gjithë janë të lartë

Janë njëjtë prore të fortë, janë njëjtë prore të zjarrtë…

Kontrolloni gjithashtu

E veçanta dhe vlerat e autorit Ahmet Qeriqi te romani “Burgu”

E veçanta dhe vlerat e autorit Ahmet Qeriqi te romani “Burgu”, si dhe te librat …