Qeveria e Kosoves

Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësim për ndalimin e Gafurr Dugollit nga policia sllavomaqedonase

Qeveria e Kosovës, ka shprehur shqetësim për ndalimin e shefit të Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gafurr Dugolli, nga ana e autoriteteve maqedonase, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij. Ndalimi i z. Dugolli në pikë kalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, është bërë duke u bazuar në fletarrestet jolegale serbe, me pretendimin tashmë të njohur ‘për kryerje të krimeve të luftës’. Qeveria e Kosovës fton Republikën e Maqedonisë dhe të gjitha shtetet fqinje e më gjerë, që të mos ndërmarrin veprime policore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës duke u bazuar në listat e Serbisë, të cilat janë të hartuara në shpërputhje të plotë me aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë. Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, thotë se do të kërkojë me insistim nga autoritetet e Bashkimit Evropian si dhe partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës që të përdorin ndikimin e tyre te Serbia për t’i dhënë fund përndjekjeve të karakterit të tillë ndaj qytetarëve të Kosovës. “Qeveria e Kosovës është informuar se Serbia para pak ditësh, duke shkelur çdo praktikë ndërkombëtare, ka përditësuar listën e re, ku sërish janë përfshirë qytetarë dhe personalitete të Republikës së Kosovës, me ç’rast i konsideron ato akte krejtësisht të pavlera dhe të cilat duhet të injorohen e të mos merren fare parasysh nga shtetet fqinje dhe me gjerë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës. Qeveria edhe kësaj radhe ka fshehur rastet e ndalimit të ish luftëtarëve të lirisë edhe në pikat kufitare të Kosovës  me Shqipërinë.

Kontrolloni gjithashtu

SHBA dhe Britania me rol kyç në dëshmitë ndaj Thaçit në Hagë

Në Gjykatën Speciale në Hagë, dëshmitë e thirrura në procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi po …