Ylli Mece

Ylli Meçe: Sali Berisha nuk duhej ta lejonte veten të arrinte deri në këtë katandisje

Me atë galop politik anarkist që nisi Sali Berisha që në ditët e para të demokracisë, kuptohej se ai nuk do të kishte një fund të lavdishëm dhe kurrë nuk do të mbetej në histori si burrë shteti. Ta nisësh jetën si komunist fanatik dhe ta përfundosh si demokrat i nderuar, është shumë vështirë. Sali Berisha nuk u konvertua në demokrat si një i ri që lajthiti momentalisht, por në moshën më të pjekur, me bindje të konsoliduar, kur njeriu nuk mund të gabojë kollaj.

Të ndërrosh mentalitet, sjellje e bindje politike, pasi ke shërbyer në Bllokun e udhëheqjes komuniste për dhjetëra vjet, pasi ke futur në xhep me ndërgjegje dhe bindje të plotë teserën e Partisë së Punës dhe i ke shërbyer asaj me devotshmërinë më të madhe, është vështirë të besojë njeri, se ke ndërruar mentalitet, je bërë demokrat dhe je angazhuar ashpërsisht kundër komunizmit. Por ja që Sali Berisha, herë me dinakëri dhe herë me vullnet të hekurt, herë me karizmën që zotëronte dhe herë me mbështetjen e pamerituar të disa ndërkombëtarëve, arriti që për një farë kohe të krijojë statusin e liderit që lufton për demokraci. Në ngjitjen e shkallëve të karrierës së tij deri në president e kryeministër, Berisha pati mbështetjen e pamerituar në disa raste të kancelarive perëndimore, e cila po të mos ishte dhënë kur nuk duhej, as Berisha nuk do të ishte katandisur në këtë gjendje tani në moshën e pleqërisë dhe as demokracia nuk do të ishte zvarritur kaq shumë në këta 30 vjet. SHBA duhet ta kishin shpallur “non grata” Berishën që pas zgjedhjeve masakër të 26 majit 1996. Shqiptarët e kanë të qartë, se rrënjët e të gjithë të këqijave që vuajnë sot dhe goditja fatale e sistemit demokratik iu dha me zgjedhjet e 26 majit. Ato zgjedhje i treguan Berishës se në rrugë demokratike nuk mund të bënte karrierë dhe se populli shqiptar nuk e donte për udhëheqës.

Ndaj Berisha më 26 iu kthye origjinës së tij, mentalitetit komunist dhe futi manipulimin, vjedhjen, shitblerjen, tjetërsimin e votës, si dhe dha shenja të sigurta se çdo kundërshtar politik që i dilte përpara demokratikisht, do ta eliminonte qoftë edhe fizikisht. Por tolerimi që i bëri faktori ndërkombëtar dhe falja dinake që i bënë politikanët shqiptarë në mars të 1997, bënë të mundur që Berisha jo vetëm ta rimarrë veten, por edhe të jetojë gjatë në politikë për t’u hedhur në sulm ndaj të gjitha partive kundërshtare, institucioneve të pavarura të shtetit si dhe demokracisë shqiptare në përgjithësi.

Shumicën e shkeljeve ligjore si antidemokrat dhe antikombëtar, Berisha i ka bërë para se të rikthehej në pushtet në vitin 2005 dhe që atëherë duhej shpallur “non grata”. Në fillimet e demokracisë Berisha u shërbeu qarqeve të caktuara brenda dhe jashtë vendit që nuk i donin të mirën Shqipërisë, theu embargo dhe eliminoi fizikisht kundërshtarët e tij politikë, monopolizoi në dorën e tij të gjitha kompetencat e institucioneve të pavarura dhe e goditi në themel demokracinë, siç është manipulimi i votës së lirë. Në periudhën 1991 -1997, ai dogji dy herë Shqipërinë, i ktheu sytë nga vendet islamike dhe kjo është dhe periudha që nisën pasurimin e paligjshëm familjarët e tij, kurse bota demokratike bashkë me një pjesë të politikës shqiptare, rrinin dhe bënin sehir, duke pritur të përfitonin diçka nga politika antikombëtare dhe antidemokratike e Sali Berishës. Madje mbas zgjedhjeve të vitit 2009, kur ai rrëmbeu mandatin e dytë duke mos pranuar asnjë lloj transparence të zgjedhjeve dhe mbrojti si diktator i vërtetë vrasësit e katër demonstruesve të pafajshëm në bulevard, diplomacia amerikane, jo vetëm që nuk mbajti qëndrim ndëshkues ndaj tij, por përkundrazi e quajti “burrë shteti”!

Kur them që Sali Berisha nuk duhej të arrinte deri këtu, sa t’i shkaktonte aq dëme demokracisë shqiptare, e kam fjalën në radhë të parë për ata ndërkombëtarë, sidomos për diplomacinë amerikane, që i fërkuan krahët atij në momente kritike dhe i nxitën etjen e ethshme për karrierë si dhe megalomaninë për tu hequr si lider që solli demokracinë. Po erdhe vetë Sali Berisha, sado i sëmurë dhe i ethshëm për karrierë, nuk duhej ta lejonte veten të katandisej deri në këtë gjendje mjerane, sa që të vjen ndot ta shohësh në surrat.

Deri më tani historia ka treguar, se asnjë nga kokat e shtetit shqiptar, që nga koha e Skënderbeut, nuk ka provuar një fund kaq të turpshëm, sa Sali Berisha. Skënderbeu, mbreti i shqiptarëve në Mesjetë, vdiq i nderuar dhe madhështor dhe në shtratin e vdekjes ai shkroi amanetin e madh të bashkimit të shqiptarëve duke mbetur Heroi ynë i vetëm Kombëtar. Ismail Qemali, Fan Noli, Ahmet Zogu, e mbyllën me nder karrierën e tyre, edhe pse ndoshta dështuan në detyrat e tyre, por ama populli i mban në gojë dhe sot. Enver Hoxha, pavarësisht nga diktatura që vendosi, por ama bëri që një popull i tërë të qante për të ditën e varrimit. Ramiz Alia pati aq zgjuarsi dhe diplomaci, saqë jo vetëm nuhati konjukturat botërore për ndryshimin e sistemit, por evitoi çdo përplasje brenda vendit në një kohët tepër të vështirë dhe e bëri kalimin në demokraci pa derdhur pikën e gjakut. Fatos Nano edhe pse qeverisi në kushtet e një opozite jo bashkëpunuese e gjakatare, e cila e mori me grusht shteti pushtetin në 1998, duke vrarë Azem Hajdarin, përsëri dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 2005 dhe nuk iu nëpërkëmb më PS, edhe pse votat e fituara me kalkulim mund ta mbanin për një mandat të tretë në pushtet. Kurse Sali Berisha edhe pse popull u detyrua të merrte armët për ta larguar, jo vetëm që nuk u iku që të shijonte pleqërinë e tij, por iu fut nga dritarja popullit që e nxori nga dera. Kaluan vitet dhe bëri çfarë bëri deri në zgjedhjet e 2013, pisllëqet e tij ndoshta do të ishin harruar nëse ai do të ishte larguar sinqerisht e demokratisht nga politika dhe të mos i sillej më nëpërkëmbë PD. Të tërhiqej realisht nga politika në pleqërinë që patjetër vjen një ditë dhe në atë madhështi të liderit që pati krijuar tek disa edhe pse e rreme, do të kishte mundur të linte pas një emër për mirë. Por jo. Sali Berisha është rritur dhe edukuar me ashpërsinë e ligjit të maleve dhe me krekosjen e ideologjisë komuniste, me këmbënguljen e një vullneti brutal dhe të një energjinë sadiste, për t’i çuar gjërat deri në fund, sipas mendjes së tij të errët dhe të voluntarizmit vulgar.

Në kushtet mjerane që ndodhet sot, mua më vjen keq për Sali Berishën edhe pse kam provuar mbi shpatullat e mia vuajtjet dhe përndjekjet, direkt nga urdhërat e tij prej një komunisti hakmarrës fanatik dhe një presidenti tejet të politizuar. Më vjen keq edhe për ata pak gjëra që i ka dhënë demokracisë, por edhe për moshën që ka. Nuk duhej të kishte ardhur puna e as ta lejonte veten që të shpallej “non grata”. Po gjene mirë gjer këtu.

Po ato deklaratat se “mezi pres të kthehem në Parlament”, se akuzat e Sekretarit amerikan të shtetit ndaj tij “janë shpifje të Sorosit dhe kurdisje të Edi Ramës” se ai “do ta çojë deri në fund mandatin e dhënë nga votuesit” etj, etj, janë sfida prej Don Kishoti, që përpiqet t’i bëjë ai politikës dhe diplomacisë amerikane. Po çfarë kujton Berisha se Departamenti Amerikan i Shtetit qenka aq leshko, sa të gënjehet nga një Soros e nga Edi Rama, për një “lider” që dikur e kanë quajtur dhe “burrë shteti”!? Për kohën që jetojmë dhe për strategjinë që po ndjek SHBA për të luftuar korrupsionin në Shqipëri, gjithsecili duhet ta kuptojë mirë se Sali Berishën nuk ka zot ta shpëtojë, e jo më një gjykatë pa asnjë lloj kompetence në Francë. Ai mirë bën që përkëdhel sedrën e tij të sëmurë dhe krenarinë boshe me padi në gjykata të tilla, por para shtetit gjigantit amerikan, ai është një mizë fluturake dhe jo vetëm që ka për t’u njollosur edhe më keq me gjyqin e hapur, por do të ketë një fund më se të turpshëm.

Më kot mundohen t’i bëjnë qefin Sali Berishës ndonjë politikan i dështuar apo analist servil me deklarata të tilla se “Sali Berisha është lideri historik i pjesës më proamerikane të globit”, “është historia e lirisë, pluralizmit dhe sistemit demokratik në Shqipëri” se “nuk ka bir nëne a bir kurve që ta tërheqë atë nga beteja e nisur”, se këto deklarata bëjnë servilë ata që i thonë dhe akoma më qesharak bëjnë Berishën. Është historia e ndritur e PD -thonë disa të tjerë. Jo Sali Berisha është turpi i historisë së PD. Është historia e turpit, sepse nëse nuk do të ishin përndjekur dhe eliminuar fizikisht kundërshtarët e tij politikë, PD nuk do të ishte pronë e Sali Berishës, por një forcë politike e drejtuar me ndershmëri e devotshmëri nga Azem Hajdari, Eduart Selamit, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Aleksandër Meksi, Sokol Olldashi.

 

Sali Berisha ka futur psikozën edhe tek ata që kanë lindur pas ‘90 se Sali Berisha është sistemi demokratik, është e djathta shqiptare, është Partia Demokratike, është historia e demokracisë në Shqipëri. PD është para një prove të madhe, e më shumë se kushdo lideri i saj Lul Basha. Do ecë në rrugën e Perëndimit sipas strategjisë amerikane, apo do futet në autokraci, duke pranuar të hajë bar dhe të shkojë e bindur drejt eliminimit të plotë të saj. (Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …