Labinot Dervishaj: Në Ditën e Flamurit...

Labinot Dervishaj: Në Ditën e Flamurit…

Në Ditën e Flamurit dhe gjatë festave kombëtare në mendje të vijnë figurat e mëdha historike të cilat kanë bërë shumë për historinë, kombin dhe lirinë e atdheut të ndarë e copëtuar forcërisht e padrejtësisht nga Evropa dinake si dhe sakrificat e mëdha ndër shekuj të cilat i kaluar kombi ynë.

Në Ditën e Flamurit në mendje nuk se si të mos më vjen figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e cili nuk e harroi atdheun e tij të robëruar dhe pas përgatitjes prej një luftëtari të jashtëzakonshëm e braktisi Perandorinë Osmane dhe u kthye në atdhe me 28 nëntor të vitit 1443 për të bashkuar principatat shqiptare në një front të përbashkët kundër pushtimit otoman. Në të njëjtën kohë në anën tjetër të medaljes më shfaqen shqiptarët e shitur e manipuluar e tru-shpërlarë që fatkeqësisht ekzistojnë edhe sot dhe luftës kolosale të krye-heroit tonë mundohen t’i japin konotacion të luftës fetare e jo asaj për liri kombëtare.

Në Ditën e Flamurit në mendje nuk se si të mos më vjen figura e Ismail Qemalit njeriut i cili më 28 nëntor të vitit 1912 e ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe e shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe vendosi fillet e shtetit shqiptar. Në anën tjetër më shfaqen ata shqiptar që nuk e përkrahen apo e panë më mëdyshje këtë realitet madje e vlerësuan dhe e cilësuan si të përgjysmuar më faktin se gjysma e territorit mbeti jashtë trungut amë. Por që nuk e thonë së kjo ndodhi si shkak i padrejtësive të fuqive evropiane dhe apetiteve për territore shqiptare të vendeve fqinje.

Në Ditën e Flamurit në mendje me vjen krye heroi i Kosovës, komandanti legjendar Adem Jashari, njeri të cilin e fali Zoti pikërisht në ditën e Flamurit Kombëtar më 28 nëntor dhe i cili më sakrificën e tij më sublime hyri në historinë botërore si njëri unikat dhe i përmasave biblike. Vepra dhe guximi i të cilit i dha kthesë të madhe historisë dhe kombit shqiptar dhe Kosovës së robëruar. Kur është fjala tek Adem Jashari sa herë që përmendet emri i tij padyshim së shkon mendja tek ata të cilët nuk i shkuan në ndihmë atij deri sa ai po bënte luftë heroike dhe qëndresë titanike më të gjithë familjarët e tij për tri ditë rresht. A thua vallë ku ishin ata që sot me mburrje e krenari thotë “shok kryekreje e kam pas Adem Jasharin”, “pushkën pa patë dhënë Adem Jashari”, etj.

Në Ditën e Flamurit mendja më kthehet në 28 nëntorin e vitit 1997 atë ditë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës e shpalosi publikisht aktivitetin, misionin dhe qëllimin e saj. Kushtrimi i luftës çlirimtare mori dheun dhe zgjoi ndërgjegjen kombëtare për mobilizim dhe luftë më armikun shekullor. Prandaj UÇK orën e fundshekullit të brishtë e bëri epokë të lavdishme, pa luftën e UÇK-së nuk do të ndodhte çlirimi i Kosovës ashtu siç pretendonin dhe ëndërronin syhapur përfaqësuesit pacifistë të politikës së atëhershme të Kosovës të cilët jo vetëm që nuk e përkrahën luftën e drejtë dhe të shenjtë për liri të UÇK-së por disa prej atyre nuk e njohën atë, e mohuan, e cilësuan si dorë të zgjatur të armikut madje edhe sot e kontestojnë, e mundohen ta njollosin atë.

Në Ditën e Flamurit nuk ka se si të mos më shkon mendja tek kalendari e festave zyrtare në Kosovë në të cilën janë të përfshira një mori e festave ortodokse serbe, Dita e Evropës dhe “festa” të tjera që asgjë nuk lidhën më shtetin tonë por nuk është e përfshirë 28 Nëntori, festa e shumëfishtë kombëtare. Sa herë që vijnë festat kombëtare mendja me shkon tek familjet e dëshmorëve e martirëve të kombit të cilët shumë prej tyre mezi mbijetojnë nga varfëria, përbuzja dhe harresa institucionale madje shumë prej tyre janë të detyruar ta marrin botën në sy në kërkim të një jete më të mirë.

Në Ditën e Flamurit mendja më shkon tek shumë të rinj e të reja që kanë diplomuar e post-diplomuar për të kontribuar në këtë shtet, por që  nuk po arrijnë dot të kyçen si shkak i një politike të kapur dhe korruptuar në tërësi. Pasi që para tyre janë të afërmit e politikanëve dhe atyre që marrin vendime.

Në Ditën e Flamurit mendja më shkon tek gjaku i dëshmorëve të cilin po e shkelin ata që duhet ta respektonin parimin e meritokracisë, rendit dhe drejtësisë në këtë vend i cili është ndërtuar shteti mbi gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kombit. Por shkel-gjakësit  e dëshmorëve janë gjithandej dhe më gjakftohtësi vazhdojnë ta shkelin atë.

Në Ditën e Flamurit mendja më shkon tek e ashtuquajtura Gjykatë Speciale e cila për fatin e keq është formuar më ngritje dore të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës e që vetëm tani po shihet qartë së qëllimi i saj njollosja dhe kriminalizimi i luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së. Dhe në të njëjtën ndihmës të pareshtur të kësaj gjykate të njëanshme janë kolaboracionistet e mbetjet sllave të cilat fatkeqësisht flasin shqip. Dhe jo vetëm këta por edhe jugo-mediat që më gjuhë djallëzore mundohen e përpiqen që më çdo kusht ta bëjnë argatin e kësaj gjykate.

Në Ditën e Flamurit vargu im dhe i gjithsecilit prej jush mund të bëhet lahutë, mund të bëhet poemë e roman për të treguar të kaluarën e mundimshme, heroike e biblike të liridashësve dhe atdhedashësve të këtij vendi dhe atyre që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë edhe sot për interesa antikombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …