Mbrojtja kërkon lirimin e Thaçit dhe të bashkëakuzuarve në Hagë

Në gjykatpn speciale në Hagë ka përfunduar paraqitja e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Ekipet mbrojtëse kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë së Specializuar, duke kërkuar aktgjykim lirues me arsyetimin se nuk janë paraqitur prova që dëshmojnë fajësinë e të akuzuarve. Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin. Gjatë deklaratave përmbyllëse, prokurorët kanë pretenduar se të akuzuarit, përmes veprimeve të përbashkëta, kanë tentuar të pengojnë persona zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre. Prokurori Joshua Hafetz ka pretenduar se gjatë vizitave me Bashkim Smakajn, Thaçi i kishte dhënë udhëzime dëshmitarit Bislim Zyrapi lidhur me dëshminë e tij, veçanërisht për çështjet që lidhen me Shtabin e Përgjithshëm. Në anën tjetër, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka thënë se Prokuroria nuk mund të mbështetet në transkripte për të vërtetuar fajësinë e klientit të saj dhe se barra e provës nuk është përmbushur.

Mbrojtja e Isni Kilajt ka deklaruar se nuk ka prova se ai ka tentuar të pengojë drejtësinë apo se ka kontaktuar dëshmitarë në rastin e krimeve të luftës. Avokatët e Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit gjithashtu kanë kërkuar lirimin e klientëve të tyre, duke theksuar se Prokuroria nuk ka dëshmuar se ata kanë kryer veprat për të cilat akuzohen. Në këtë çështje, Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm në seancat fillestare. Sipas aktakuzës, Thaçi akuzohet për tri pika për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe, përveç kësaj çështjeje, po gjykohet edhe në rastin kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku akuzon Albin Kurtin për qasje të gabuar ndaj historisë së Kosovës

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti …