BE-ja kërkon stabilitet në Kosovë pas formimit të Qeverisë Kurti

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, në takimin e parë me kryeministrin Albin Kurti, ka theksuar nevojën për stabilitet afatgjatë politik dhe institucional në Kosovë. Sipas Zyrës së BE-së, ky stabilitet është i domosdoshëm që Kosova të angazhohet në mënyrë më efektive me institucionet evropiane dhe të përfitojë nga mbështetja e ofruar përmes Planit të Rritjes dhe fondeve të ardhshme të IPA-s. Mesazhi i BE-së vjen pas përmbylljes së konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë Kurti 4, proces të cilin opozita e ka kundërshtuar për shkak të pretendimeve për shkelje kushtetuese. Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e vendimeve të marra gjatë konstituimit të Kuvendit. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se Kushtetuesja duhet ta japë fjalën përfundimtare për këtë çështje, ndërsa partia ka kërkuar edhe masë të përkohshme deri në shqyrtimin e rastit. PDK-ja ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Kushtetuese edhe çështjen që lidhet me formimin e Qeverisë. Ndërkohë, në tekstin e reagimit të BE-së nuk përmendet ndonjë urim për institucionet e reja, por theksi vendoset te nevoja për stabilitet politik dhe institucional, në një kohë kur procesi i krijimit të tyre është shoqëruar me përplasje politike dhe kontestime kushtetuese.

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku akuzon Albin Kurtin për qasje të gabuar ndaj historisë së Kosovës

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti …