Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET SHALA: A PO KTHEHET STATUSI I KOSOVËS NË TAVOLINËN E BISEDIMEVE?!

Mësues të dobët, nxënësi ngelcan: Albin Kurti që urbi et orbi ka dëshirë të thotë se është KM i Kosovës e pranoi Marrëveshjen e Brukselit, me aneksin e Ohrit që strategjikisht e shkatërron Kosovën si shtet, qoftë edhe si ide. Jam i bindur që po t’i kishte dëgjuar Dimal Bashën dhe Halil Thaçin, që konsiderohen si truri i njohjes së proceseve ndërkombëtare, pa të cilët nuk merret asnjë vendim i përmasave gjeostrategjike, Albini kurrë nuk do ta pranonte këtë marrëveshje. Thashë më lart se Dilmali dhe Lili janë nëna e mendimit politik global prandaj, kush nuk e dëgjon nënën, e dëgjon njerkën. Në vend të tyre, Albini u përcaktua të mbështet në mendimet e dy mercenarëve ndërkombëtarë: Mark Welleri dhe Jeton Qurroi.

Këta e bindën se kjo Marrëveshje është e mirë dhe se : “njëherë të vjen vera kah dera ..”. Mark Wellerin, përveç se e paguan, “me lira” për këshillat e dëmshme për Kosovën dhe të dobishme për Serbinë, si bonus ia punësoi gruan si “ambasadore” të Kosovës në Greqi pasi Greqia ta njohë Kosovën (kur të bën shelnja rrush). Ndërkaq, mercenarin tjetër,  Jeton Qurroin, si projugosllav dhe proserb të pjekur dhe të thekur gjithashtu e shpërbleu me tripletë; duke e paguar si këshilltar, duke ia siguruar nga grazhdi i Naim Rashitit 3500 euro në muaj si këshilltar i Besnik Rrencit dhe, e treta duke ia bërë vajzën “miss” të kabinetit qeveritar.

 Jam i sigurt se Kurti po i ndjenë pasojat e nguljes në kunxhin e Brukselit dhe Ohrit prandaj, kinse po e kundërshton duke kërkuar që ajo të nënshkruhet edhe nga Vuçiq e që sipas njohësve nuk ka fare nevojë të nënshkruhet, veprimi oral apo gojor është obligativ për të dyja palët. Kurti, sa më shumë që po bënë zhurmë, më thellë po ngulet. Ngulitja e parë ishte refuzimi i pranimit në Këshillin e Evropës pas së cilës një analfabete jofunksionale që vetëm në Kosovë mund të bëhej ministre, i bënte karshillëk deputetëve evropianë duke iu thënë se Kosova më nuk ka asnjë detyrim ndaj tyre. Deklaratë e padenjë edhe për idiotin më të pazhvilluar !!! Pastaj, si rrence dhe mashtruese patologjike deklaronte se po punohet  që Këshilli i Evropës të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme për ta pranuar Kosovën si anëtare.  Me këto përgjigje nuk do ta merrte as një pesëshe (në fakultet ) as te Ferid Agani apo Jysuf Ulaj ndonëse këta të dy kanë mandat për shëndetin mendor të kësaj partie për aq kohë sa janë në parti. Së fundi, qytetarëve serbë që kanë pasaporta të Zyrës Koordinuese për Kosovë dhe Metohi, Evropa iu ka njohtë liberalizimin e vizave duke e dhunuar brutalisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës përmes ndarjes së sovranitetit midis Kosovës dhe Serbisë.

 Pas kësaj ma gjeni një njeri normal që beson se Kosova pashmangshëm dhe përfundimisht është ndarë nga Serbia?! Ndërkombëtarët asnjëherë dhe me asgjë nuk e kanë kushtëzuar Serbinë me njohjen e Kosovës por thonë se do të ishte e mirë, e pritshme dhe e logjikshme që në fund të procesit të ketë njohje reciproke. Marrëveshja e Brukselit dhe bishti – aneksi i Ohrit përfundimisht e liron Serbinë nga çdo detyrim që ta njohë Kosovën. Njohja e liberalizimit të viza për serbët e Zajebnicës nga BE, tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht dhe se të gjitha propozimet janë mbi tavolinën e bisedimeve, nga përkufizimi – ndarja territoriale e deri te ruajtja e status – quos. Po një gjë për mua është shumë e qartë, ndërkombëtarët me çdo kusht duan që ta lënë një kërthizë lidhëse të pandashme midis Kosovës dhe Serbisë prandaj edhe po sillen në këtë mënyrë. Kosova nuk ka litium që do ta kushtëzonte bashkësinë ndërkombëtare ndërkaq budallenjtë që po ua ofrojmë si open mind nuk po na i pranojnë si pasuri natyrore e lëre më Intelektuale. Të tillë kemi sa të duanë.

Ndërkaq , Albin Kurti me Çetën e Profetëve Budallenj nuk ka kapacitet të parandalojë këtë, madje duket se as që ka interesim përveç se ta mbajë pushtetin. Opozitë realisht nuk ka në Kosovë, po të mos ishte opozitarizmi kushtetues, kryesisht i PDK – së Kosova do të shndërrohej në Kamboxhë të Kmerëve të Kuq apo në Kore të Veriut. Qeveria aktuale po sillet si sandinistët kur e morën pushtetin në Nikuaragua, me politika sociale të rrejshme, vet u shndërruan në aristokratë. Asgjë nuk kanë bërë ata para këtyre, çka janë duke bërë këta sot. Albin Kurti, po të donte të dilte nga proceset gurthyese që i ka ngritur vet, nuk do ta shpërfillte , deri në poshtërim opozitën. Nuk do t’i dhunonte mediat që kanë qëndrim kritik ndaj tij. Nuk do t’i përndiqte shokët e Bacës Adem Demaçi. Nuk do të azilonte bijtë dhe bijat e udbashëve, hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve të Jugosllavisë dhe Serbisë. Nuk do t’ua shkurtonte përkrahjen financiare pengjeve të Hagës, më meritorët për lirinë e Kosovës dhe Kosovën shtet.

 Ma gjeni sot dikën në qeverinë Kurti, dikën që ka qenë pjesë e luftës përveç disa dezertorëve të ndyrë dhe hajdutë. Apo në mesin e deputetëve?! Turp është për Albinin që në strukturat që ai 100 përqind i kontrollon të ketë dëshmitarë të mbrojtur. Albin Kurti e kishte mundësinë të bëhej si Hasan Prishtina por këtij edhe emrin ia hoqi nga Universiteti i Prishtinës. Tash,  Albinit i duhet një spirancë për ankorim edhe për një mandat. Mundësisht para zgjedhjeve në SHBA, për t’u mos përballur me Trumpin, si fitues shumë i mundshëm. Trampit as që ia ndien leshi për Albinin, e as për të tjerët. Një gjë është e sigurt; sa më shumë të blejë kohë, humbësi më i madh do të jetë Albini. Dhe Kosova. Prandaj Albini duhet t’i kthehet mendjes duke kërkuar mbështetje nga ata që çdo gjë dhanë për lirinë e Kosovës. Duke u larguar nga ata që asgjë nuk dhanë për Kosovën dhe shqiptarët përveç se morën pameritueshëm çdo gjë. Duke larguar nga qeveria ministra dhe ministre që vendin e kanë në psikiatri dhe jo në qeveri. Duke e eliminuar urrejtjen dhe hakmarrjen si mjet për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur pushtetin.

Të premten është përvjetori i kalimit në amshim të të Pavdekshmit, Bacë Adem Demaçit. Ne që kemi qenë gjithmonë afër Bacës Adem do të jemi aty. Sigurisht edhe Albini,  me ndërgjegje të vrarë apo me maskën e përkohshme si nxënës politik i Bacës Adem. Është zgjidhja e tij. Nëse dikush ende i beson. ( Epoka e re)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …