Fitim Selimi

Fitim Selimi: KUSH DO T’I DALË ZOT KËTIJ VENDI?

Nga dita në ditë po bëhet më e qartë se Albin Kurti nuk është thjesht një dështim politik. Ai është kthyer në simbolin e një rrënimi të qëllimshëm institucional, ekonomik, moral dhe kombëtar. Gjykuar nga të gjitha sjelljet dhe vendimet e tij gjatë këtyre viteve në pushtet, nuk mbetet më asnjë dyshim: ky njeri, me vetëdije të plotë, ka vënë veten në shërbim të projekteve që synojnë çmontimin e themeleve të shtetit të Kosovës dhe devalvimin e vlerave shqiptare në tërësi.
Për një kohë të gjatë, shumë prej nesh, në përpjekje për të ruajtur objektivitetin, i dhamë Kurtit kredinë e një intelektuali të guximshëm që po sfidonte sistemin e vjetër. Por tashmë është e pamundur të mos shihet realiteti në sy: çdo veprim, qëndrim apo vendim i tij – nga mosfunksionimi i Kuvendit, kapja e institucioneve, degradimi i marrëdhënieve me aleatët, e deri te dhunimi i vlerave demokratike – flet për një strategji të mirëmenduar shkatërrimi dhe jo për ndonjë gabim të paqëllimshëm.
Le të kujtojmë: është i njëjti njeri që për vite me radhë i ka kundërshtuar institucionet me mjete politike dhe fizike; i njëjti që i ka sabotuar simbolet e shtetit përderisa s’i ka uzurpuar vetë. Sot ai jo vetëm i mban institucionet peng, por edhe i shndërron bashkëpunëtorët e vet në vegla të një sjelljeje arrogante, autoritare dhe të dëmshme për të ardhmen tonë.
Nuk është rastësi që Kosova po përballet me një krizë të gjithanshme – politike, institucionale dhe morale – ndërkohë që shpresa e qytetarëve zbehet përditë. Përgjegjësia për këtë nuk mund të fshihet më pas justifikimeve e armiqve të përhershëm: fajtor është ai që ka marrë pushtetin për ta përdorur kundër interesit të qytetarëve.
Dhe kështu shtrohet pyetja që na rëndon të gjithëve:
Kush do t’i dalë zot këtij vendi? Kush do të marrë guximin për ta ndalur këtë rrënim përpara se të jetë tepër vonë?
Ky nuk është më vetëm debat politik – është çështje mbijetese për shtetin tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Graiqevci

Fatmir Graiçevci: Nuk është brengosëse mungesa e dashurisë së pakushtëzuar, por përbuzja e saj edhe në ato pak raste kur shfaqet!

     Një ndër filozofët më të mëdhenj, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme, është …