Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka konfirmuar takimin që zhvilloi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, pak para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në një deklaratë për media, Limaj e cilësoi takimin si shumë pozitiv dhe theksoi se u diskutuan të gjitha temat që lidhen me zhvillimet aktuale politike në vend. “Po, jemi takuar dhe kemi biseduar për të gjitha temat. Mund të them se ka qenë një takim jashtëzakonisht i mirë,” – u shpreh Limaj. Ai megjithatë shtoi se një takim i vetëm nuk mjafton për të zgjidhur situatën politike në vend, duke lënë të hapur mundësinë për dialog të mëtejmë mes subjekteve opozitare dhe të qendrës. “Me një takim gjërat nuk zgjidhen,” – theksoi ai. Takimi vjen në një moment të ndjeshëm për skenën politike kosovare, ku vonesat në konstituimin e institucioneve kanë shkaktuar debat dhe shqetësim në rritje.
