Deputetë, emri juaj është bllokadë” – Shoqëria civile proteston para Kuvendit për ngërçin politik

Organizatat e shoqërisë civile kanë protestuar sot para Kuvendit të Kosovës, duke shprehur revoltën ndaj bllokadës politike që po vazhdon prej më shumë se katër muajsh pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Kjo protestë u mbajt në prag të përpjekjes së 37-të për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit. Me pankarta ku shkruhej “Deputetë, emri juaj është bllokadë”, “Kur t’ju bëhet boll, kallxoni” dhe “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, qytetarë dhe përfaqësues të organizatave kritikonin ashpër papërgjegjësinë politike dhe dështimin e vazhdueshëm për të funksionalizuar institucionin më të lartë përfaqësues. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës theksoi se Kuvendi është kthyer në një “cirk të demokracisë”, ku çdo dy ditë mblidhen deputetët për disa minuta pune, ndërkohë që pagat e tyre vazhdojnë normalisht. Protestuesit paralajmëruan se do të vazhdojnë aksionet e tyre në çdo përpjekje për konstituim, derisa të thyhet bllokada politike dhe Kuvendi të fillojë punën me përgjegjësi.

Kontrolloni gjithashtu

KDI: Kuvendi është shndërruar në cirk, deputetët po paguhen për dy minuta punë

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së vazhdueshme politike …