leoni

Bram Vreugdenhil
Creator: Bram Vreugdenhil | Credit: Maarten Boer Copyright: Bram Vreugdenhil

Sylë Ukshini – Përdorimi i dokumentacionit nga regjimi serb nga Gjykata Speciale: Një devijim nga parimet e drejtësisë ndërkombëtare

Përdorimi i dokumentacionit nga regjimi serb nga Gjykata Speciale: Një devijim nga parimet e drejtësisë ndërkombëtare
Nëse konstatohet se Gjykata Speciale për Kosovën po mbështetet në dokumentacion të siguruar nga autoritetet shtetërore të Serbisë – një shtet që ka qenë palë ndërluftuese, agresore dhe përgjegjëse për krime të shumta të dokumentuara kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, përfshirë mbi 300 masakra, dëbimin e më shumë se 90% të popullsisë shqiptare dhe përdhunime sistematike – atëherë ky institucion nuk mund të pretendojë më objektivitet, paanësi dhe legjitimitet etik apo juridik.
Përdorimi i materialeve të prodhuara nga një regjim i njohur për ideologji ultranacionaliste dhe praktika të spastrimit etnik, e komprometon rëndë integritetin e një gjykate që pozicionohet si ndërkombëtare. Themelimi i kësaj gjykate mbi bazën e raportit të Dick Marty – një dokument i kontestuar për përmbajtjen e tij selektive dhe narrativën e njëanshme – dhe ndikimet politike që e shoqëruan atë, përfaqësojnë një precedent shqetësues për mbizotërimin e interesave gjeopolitike mbi parimet e drejtësisë universale.
Raporti Marty, i mbështetur nga disa qarqe perëndimore në përpjekje për të ruajtur marrëdhënie të balancuara me Serbinë dhe Rusinë, u përdor si justifikim për krijimin e një gjykate që tashmë rrezikon të legjitimojë narrativat dhe dokumentet e prodhuara nga vetë strukturat që janë akuzuar për gjenocid. Drejtësia ndërkombëtare, ndërkohë, kishte vërtetuar më parë, përmes Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, karakterin gjenocidal të veprimeve të Serbisë në Kosovë.
Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, Eliott Behar, në veprën e tij “Tell It to the World” dokumenton se pas Marrëveshjes Holbrooke-Millosheviq të tetorit 1998, autoritetet serbe jo vetëm që nuk zvogëluan praninë ushtarake në Kosovë, por përkundrazi e intensifikuan atë, duke armatosur edhe popullsinë civile serbe. “Në vend që të zvogëlonin numrin e policëve dhe ushtarëve, ata i shtuan ata. Nisën të armatosnin civilët serbë, duke shpërndarë armë për rreth 50 mijë njerëz, në mënyrë që ata të mund të merrnin pjesë në operacione të përbashkëta,” shkruan Behar (f. 192). Ky veprim përforcon konstatimin se shteti serb ka qenë jo vetëm organizator, por edhe mobilizues aktiv i popullsisë për realizimin e një politike të spastrimit etnik dhe zhdukjes së shqiptarëve nga Kosova.
Historiani John Stoessinger, në librin e tij Why Nations Go to War, nënvizon se Operacioni “Patkoi” përfaqësonte përpjekjen e fundit të Serbisë për zgjidhjen e ashtuquajtur “përfundimtare” të çështjes shqiptare. Sipas tij, strategjia përfshinte rrethimin e popullsisë shqiptare, shkatërrimin e pronës, dokumenteve identifikuese dhe dëbimin masiv, me qëllim që kthimi i tyre të ishte i pamundur. Stoessinger e krahason këtë plan me operacionet e Adolf Eichmann gjatë Holokaustit, duke e konsideruar si një akt me përmasa gjenocidale.
Në të njëjtën linjë, gazetari dhe shkrimtari serb Rade Radovanoviq e përshkruan regjimin serb të asaj kohe si një regjim me tipare të qarta naziste, duke përmendur se në Kosovë janë aplikuar metoda si dëbimi, spastrim etnik dhe likuidimi, të ngjashme me ato të përdorura gjatë regjimeve fashiste në Evropë. Ai thekson se, ndonëse kjo ideologji nuk etiketohet zyrtarisht si nazizëm, ajo përmban thelbin dhe praktikat e tij.
Nëse Gjykata Speciale vazhdon të mbështetet në dokumente të prodhuara nga struktura shtetërore, ushtarake dhe policore serbe – të njohura për përfshirjen e tyre në dhunë të dokumentuar ndaj shqiptarëve, përfshirë përdhunimin e grave si mjet lufte – atëherë ajo po shkel seriozisht parimet e drejtësisë ndërkombëtare dhe po rrezikon të institucionalizojë padrejtësinë.

Kontrolloni gjithashtu

GAP publikon raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”

GAP publikon raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”

Sot, Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2024”, i cili …