Hysni Gucati: Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s

Me moton “Kundër padrejtësisë”, mijëra qytetarë nga gjithë Kosova dhe rajoni janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në një protestë të organizuar nga kategoritë e dala nga lufta, kundër procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta u hap me fjalimin e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, i cili u shpreh se përmes kësaj gjykate po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së. “Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s,” deklaroi Gucati. Ai akuzoi Gjykatën Speciale për përhapjen e një narrative të rremë, duke pretenduar se Kosova është çliruar nga kriminelë. “Po përpiqen të deformojnë historinë e Kosovës. Kosova është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja,” theksoi ai. Gucati shtoi se veteranët e luftës besojnë në drejtësi, por refuzojnë çdo formë padrejtësie. “Ne besojmë në drejtësi, por nuk duam padrejtësi,” përfundoi ai.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …