leoni

BDI: Premtuan bankë shqiptare, po sjellin bankë serbe

BDI: Premtuan bankë shqiptare, po sjellin bankë serbe

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për përshpejtimin e penetrimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, që pas Telekomit Serb, po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar përmes “Alta Bank”. Ky nuk është një investim i zakonshëm financiar, por një operacion i strukturuar politik dhe ekonomik i Beogradit për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kyçe të vendit, me përfshirje aktive të partnerëve qeveritarë, përfshirë VLEN-in.
Burime nga Banka Popullore bëjnë të ditur se drejtimin e “Alta Bank” në Maqedoni pritet ta marrë ish-anëtarja e Kryesisë së VMRO-DPMNE-së dhe ish-zëvendësguvernatore, Maja Kadievska Vojnoviq, bashkëpunëtore e ngushtë e kryeministrit në fushën e ekonomisë. Emërimi i saj vjen si rezultat i lobimit personal të Mickoskit tek Aleksandar Vuçiq, duke e lidhur drejtpërdrejt bankën me strukturat politike të Serbisë.
Sipas burimeve të brendshme, një nga arsyet e emërimit të Trajko Slavevskit si guvernator ka qenë premtimi i tij se do të eliminojë çdo pengesë për hyrjen e “Alta Bank” në tregun vendor, pavarësisht paralajmërimeve të profesionistëve të Bankës Popullore për rreziqet që kjo sjell për reputacionin financiar të vendit në sytë e autoriteteve evropiane.
Kjo ndërhyrje është pjesë e së njëjtës strategji që BDI e ka denoncuar më herët: prioritetizimi i lidhjeve me Beogradin dhe boshtin lindor, vizitat e figurave me qendrime proruse si Millorad Dodik, promovimi i Korridorit 10 në vend të Korridorit 8, përfshirja e figurave fetare serbe në aktivitete shtetërore dhe donacionet me prejardhje serbe në vend. Tani, me kapjen e sektorit bankar, “Bota Serbe” do të ketë mundësinë të financojë bizneset e afërta me qeveritarët, duke i futur ata në skema edhe më të mëdha korruptive dhe duke i bërë të varur nga interesat e Beogradit.
Institucionet që duhet të mbronin sigurinë kombëtare po heshtin ose janë bërë pjesë e këtij procesi. Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, që duhet të alarmonin për rreziqet, janë shndërruar në struktura inerte ose të kontrolluara politikisht. Presidentja dhe kabineti i saj, në vend që të mbrojnë interesin shtetëror, po minimizojnë ose shpërndajnë lajme të rreme për të maskuar natyrën e vërtetë të këtij operacioni.
BDI riafirmon se Maqedonia e Veriut nuk mund të lejojë që sektorët strategjikë të vendit të bëhen pronë e “Botës Serbe” dhe interesave të saj destabilizuese. Integriteti ynë financiar dhe orientimi euroatlantik janë të panegociueshëm. Heshtja ndaj kësaj agjende është bashkëfajësi, dhe qytetarët do të mbajnë përgjegjës ata që po e shesin të ardhmen e vendit për interesa të ngushta politike e financiare.

Kontrolloni gjithashtu

Arbana Qeriqi: Takim ngushëllues me akademik Rexhep Qosjen – një bisedë për dhimbjen, jetën dhe përkushtimin kombëtar

Ngushëllimi ynë tek akademik Rexhep Qosja, për vajzën e tij Edita Qosja, tashmë të ndjerë …