Letër e hapur për unitet politik – Letra e tretë publike
I nderuar z. Albin Kurti,
Po ju drejtohem për herë të tretë me një letër publike, jo në cilësinë tuaj si Kryeministër në detyrë, por si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si deputet i zgjedhur nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Që nga momenti i dhënies së betimit si deputet i Kuvendit, ju nuk mund të ushtroni më funksionin e Kryeministrit në përputhje me dispozitat kushtetuese.
Duke pasur këtë parasysh, dhe duke u mbështetur në përvojën time shumëvjeçare në proceset e shtetndërtimit të Kosovës – si ish-politikan, profesor,akademik dhe kontribuues në fazat themelore të konsolidimit institucional – ndiej obligim qytetar dhe moral dhe dashamirësi , që të ndaj me ju disa reflektime dhe propozime konkrete:
1. Ndalja e shkeljeve të Kushtetutës
Kërkoj që t’u jepet fund shkeljeve të vazhdueshme të Kushtetutës dhe sulmeve ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Kushtetuta është akti më i lartë juridik dhe themeli i shtetit tonë demokratik.Respektimi i Kushtetutës dhe i institucioneve kushtetuese, në kohë paqeje, është një akt i patriotizmit modern.Shkeljet kronike të Kushtetutës po minojnë bazat e shtetësisë sonë dhe po e bllokojnë funksionimin demokratik të institucioneve.
2. Menaxhimi i krizës politike me lidership
Ju bëj thirrje që të tregoni pjekuri politike dhe përgjegjësi shtetërore, duke i dhënë fund krizës aktuale politike dhe duke ndalur degradimin institucional. Është jetike që të përmbyllet sa më parë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe të shmanget retorika boshe përçarëse, përfshirë ndaj nënkryetarit të komunitetit serb.
3. Formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse
Duke qenë se nuk keni arritur të siguroni një marrëveshje të sinqertë për bashkëqeverisje me partitë e tjera, ju ftoj të pranoni ofertën e Kryetarit të LDK-së për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, qoftë edhe me mandat të përkohshëm, në mënyrë që të shmanget vakuumi institucional dhe të rifillojë funksionimi i plotë i institucioneve.
4. Reforma për zgjedhjen e Presidentit nga populli
Në cilësinë tuaj si lider i partisë më të madhe në Kuvend, ju nxis të nisni procesin për miratimin e amendamenteve kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës nga qytetarët. Kjo do t`i siguronte stabilitet politik vendit, duke shmangur krizat politike.Këto amendamente dhe aktet përkatëse janë të gatshme që nga viti 2011, kur kam udhëhequr Komisionin Kushtetues që i përgatiti ato.
5. Kthimi te partneriteti me SHBA
Retorika antiamerikane që është manifestuar kohët e fundit është e dëmshme dhe e papranueshme. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është themelor për sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Vetëm përmes kësaj aleance strategjike mund të sigurojmë mbrojtje nga rreziqet gjeopolitike dhe të forcojmë shtetësinë tonë.
6. Qëndrim institucional ndaj Gjykatës Speciale
Gjykata Speciale po zhvillon një proces të njëanshëm dhe të padrejtë, i cili rrezikon të deformojë narrativën e drejtë të luftës çlirimtare të UÇK-së. Ju bëj thirrje që të angazhoheni institucionalisht për të kërkuar një monitorim ndërkombëtar të kësaj gjykate nga shtetet që e financojnë atë, dhe të ngritni zërin për drejtësi të barabartë.
7. Pajtimi kombëtar dhe ndalja e polarizimit
Ju ftoj që si lider i partisë më të madhe të angazhoheni për pajtim politik e shoqëror, duke ndalur gjuhën përçarëse që po dëmton kohezionin qytetar dhe duke u bërë zëri i unitetit kombëtar. Polarizimi politik i brendshëm po rrezikon imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe po i shërben vetëm propagandës serbe.
8. Kapërcimi i së kaluarës për të ardhmen e përbashkët
Lini pas konfliktet personale dhe ndasitë politike të së kaluarës. Bëhuni pjesë e një fryme të re bashkëpunimi ndërpartiak dhe institucional, me synim integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
9. Historia do t’ju gjykojë si patriot, nëse veproni tani
Nëse veproni me mençuri dhe përgjegjësi në këtë moment kritik, qytetarët e Kosovës do ta vlerësojnë këtë akt si patriotik dhe shtetformues. Historia do t’ju kujtojë si lider që i vuri interesat e vendit mbi ato partiake e personale.
10. Thirrje për përgjegjësi dhe bashkëpunim kombëtar
Ftojë të gjithë lideret e partive politike për unitet e maturi. Kjo është koha për t’u ngritur mbi interesat momentale politike. Ju ftoj të bashkëpunoni bashkë për të rikthyer stabilitetin, për të forcuar rrugën euroatlantike dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë.
Me respekt,
Prof. Arsim Bajrami
Prishtinë, 2 Tetor 2025