Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: REFLEKTIM MBI KRIZËN MORALE DHE SHPIRTËRORE NË KOSOVË

Kjo ese është një reflektim mbi krizën morale dhe shpirtërore që ka kapluar shoqërinë tonë. Ajo nuk synon të akuzojë, por të zgjojë vetëdijen kolektive mbi pasivitetin tonë, mbi heshtjen që është bërë normë, dhe mbi mungesën e një klase racionale që të jetë e denjë për sfidat e kohës.

Heshtja, kjo vrasje e ngadaltë e ecjes së shoqërisë, prej kohësh është bërë strehë e konformizmit. Racionalja e vendit dhe elitat e tij, gjithë iluminizmi që na dhanë kohët, sot mbyllin njërin sy. Tjetrin mbajnë hapur mbi xhepin që u mbanë grykësinë dhe paqen që duan ta gëzojnë! Ky lëndim substancial i shoqërisë na tregon për shenja të forta të një krize morale.

Thuhet se arsyetimet e gabuara, në kohë krizash morale, bëhen mjete mbijetese. Madje shpesh shndërrohen në vetë shtratin e konformizmit kolektiv. Kjo gjendje apatie, e cila ka kapluar shoqërinë tonë, na tregon se ne kemi ndërtuar një racionalitet kolektiv të heshtjes. Tani më, edhe zhurmat e opinionistëve sherrgjijnë të xhepit janë mekur. Ka mbetur vetëm një, dhe ai është në gëthamat e fundit. Tashmë titulli shkencor Dr, nuk po u bënë derman të pavërtetave të tij. Populli thotë “Dielli nuk mbulohet me shoshë!”. Don Kishoti aparatçi ka përfunduar në çatip!

Heshtja e shoqërisë sonë nuk vie nga mosdija e saj. Ajo thjeshtë ka vendosur të mos flasë, të mos kundërshtoi, të mos luftoj, duke e bërë veten përfitues të heshtjes. A do ia del? Nga historia mësojmë që jo. Andaj, në rrethanat që ka krijuar heshtja kolektive, meqë shoqërisë sonë çdo ditë e më shumë po i shtërgohet laku në fyt, është e çuditshme se si akoma nuk kemi prodhuar një klasë racionale në petkun e kohës. A mund të ketë klasë racionale pa vetëdije shoqërore? Asnjëherë.

E keqja ka rënë kudo në ne. Në familje a shoqëri, pezmi fashitet e përhumbet mes pashpresës së thyer nëpër shprehjet herë pyetëse herë vetëkëshilluese: “çfarë mund të bëj unë?”, “më mirë të rri i qetë”, “nuk ka kuptim të përzihesh”, “nuk ndyshoj dot gjë”, “të gjithë njësoj janë”, “ndryshimi do vie vetiu” etj. Sot gjithçka është kthyer në kalkulim edhe pse të gjithë po e shohim se po bëhen gabime të mëdha, të dëmshme për secilin nga ne, për shoqërinë tonë dhe për historinë, të ardhmen tonë.

Ne vërtetë jemi shoqëri e vogël dhe po jetojmë në një gjeopolitikë shumë të ashpër, ndoshta krejt të pandjenjë për popujt e shtetet e vogla, por a nuk është kjo pjesë e historisë që ne duhet ta ecim me këmbët tona të paktën pa e dëmtuar veten tonë?! Stadi ynë i zhvillimit ekonomik, edhe mund të na vëjë para sprovave të vështira, por jo të patejkalueshme, derisa halduposja institucionale është krejt diçka tjetër dhe duhet ta themi me sa zë që kemi se ajo është produkt i krizës sonë morale.

Kohët shpëtimtare nuk vijnë vetiu.

Kriza morale nuk është thjeshtë një term që e përdorim për ta shtruar hipotezën e peshkut të artë në tentim krekosjet tona. Është vetë gjendja e shoqërisë sonë, e cila nuk kërkon mund për t’u konstatuar. Sa më shpejt të kuptojmë se kjo luftë na takon neve dhe vetëm neve e bashkarisht, dhe se së pari duhet shkundur letargjinë që na ka pllakosur për t’ia dalur në këtë angazhim të ri të cilin po na e kërkon koha, ne do mundemi ta shërojmë shqërinë tonë. Rikthimi në vetëdijen tradicionale të trashiguar nëpër breza e të maturuar nga aspirata për liri, bashkim dhe zhvillim do na nxirrte nga këneta ku kemi përfunduar sot, krizë morale e shoqërisë – vetëdije e munguar kolektive.

Kriza të tilla morale kanë kapluar në të shkuarën shumë popuj, shoqëri të tëra e veç e veç ikur janë të freskëta në kujtesën tonë ajo e Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore, e Afrikës së Jugut pas çlirimit nga aparthejdi, Serbisë pas luftërave të humbura nga shpërbërja e Jugosllavisë, Rusisë post-sovjetike, Kilit pas rënies së Pinoçetit, Afganistanit pas çlirimit nga pushtimi rus, etj.

Ngjashmëria e krizës sonë morale me të shoqërive të lartëcekur më shumë është në rrafshin psikologjik dhe sociopolitik. Kjo është e natyrshme pasi vijmë nga kultura dhe realitete.

Në Kosovë, sikur edhe në këto vende të lartëcekura, është ndier një pakënaqësi e thellë nga ndjesia e tradhtisë. Viktimat u lanë pas dore dhe, më keq akoma, u fyen nga integrimi i kriminelëve millosheviqist në pushtet. Politika i katapultoi ata deri në majat e hierarkisë shtetërore e partiake. A mund të falet gjithçka e çdo dhimbje e viktimave kaq pandjeshëm pas një lufte aq shkatërrimtare?! Nuk ka pajtim që e arsyeton këtë!

Pandjeshmëria ndaj fatit të viktimave e dekorit pushtetarë e pushtete e ka vrarë dhe akoma po e vret besimin se mund t’ia dalim. Ky pastrim moral që do duhej të ndodhte e që nuk ndodhi as po ndodhë sot e kësaj dite, u bë shkaktari madhor i zhgënjimit qytetar, por që mjerisht nuk po bëhet nxitje për veprim dhe pse jo edhe për një kryengritje.

Në një teren kaq të butë, shtruar krejt me dafina, idealet e luftës çlirimtare u përkthyen nga zaptuesit e meritave në kult force dhe kult pasurie. Andaj sot në Kosovë kemi masë matjeje të një skepri të moralit: krekosje, sa pasuri ke nga zhvatja e vendit dhe sa muskuj ke për grushtin e fortë me të cilin i bie shoqërisë.

Brezat e rinj filluan të ndjeheshin të zbrazët moralisht dhe të pashpresë materialisht. Ata kuptuan se liria po ndërtohej vetëm në formë – e zbrazët, pa materie. Dhe si e tillë, ajo nuk ishte vetëm deformim etik, por edhe kërcënim jetik për të ardhmen e tyre. Kjo e kuptuar kaq e qartë në vend se të bëhej reagim politik u bë një ikje masive nga vendi, e cila po e rrezikon jo vetëm biologjinë e vendit, por edhe ka thelluar letargjinë e tij.

Kulti i liderëve të fortë dëshmon se turmat livadhisin kënetës politike gjithandej. Admirimi i gabuar nga turmat i forcës dhe pasurisë së liderëve dhe kastave të tyre dhe heshtja prej varri e konformizmi modern janë bërë sot laku i papërballueshëm i shoqërisë sonë shqiptare.

Ne kemi nevojë për pastrimin moral të shoqërisë sonë, gjë të cilën nuk e bëjmë dot pa vetëdijen, kulturë dhe strukturën racionale.

A do të vazhdojmë të heshtim, ndërsa përpara nesh është shtruar një dramë kaq e rëndë? Apo shkëndijat e një dielli apokaliptik do na zgjojnë – një hap para humnerës – për të marrë fatin tonë në duart tona?

Shkundja nga kjo gjendje është vetëdijësim, dhe vetëm vetëdija është arma që na shpëton. Ajo na bën të guximshëm për të vepruar.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …