leoni

Procesi në Hagë drejt zgjatjes: Mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit pritet të kërkojë shtyrje të afateve

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë pritet të zgjasë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht, pasi ekipet e mbrojtjes mund të kërkojnë shtyrje të afateve për dorëzimin e provave dhe përfundimin e dosjeve gjyqësore. Sipas njoftimeve nga Trupi Gjykues, data e 14 nëntorit – e caktuar si afat orientues për paraqitjen e provave të mbrojtjes – është vetëm një vlerësim i përkohshëm dhe mund të ndryshojë në varësi të dinamikës së procesit. Gjykata ka kërkuar që palët të jenë të përgatitura për dorëzimin e dosjeve përfundimtare para 22 dhjetorit, por një datë përfundimtare do të vendoset vetëm pasi mbrojtja të ketë avancuar më tej. Monitoruesit e procesit në Hagë vlerësojnë se çdo kërkesë për shtyrje do të ndikojë drejtpërdrejt në vonimin e vendimit përfundimtar. “Çdo shtyerje e afatit ndikon në shtyrjen e vendimit, sepse këto janë procese zinxhirore që e shtyjnë njëra-tjetrën,” tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Seanca e radhës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është planifikuar të mbahet më 27 tetor, me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja e Thaçit. Ish-udhëheqësit e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.

Kontrolloni gjithashtu

PDK ngre alarmin për manipulim zgjedhor në Shtime – dyshime për “Trenin Bullgar” në Belinc

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka ngritur …