Christopher Hill dëshmon në Hagë: Kontakti im i parë me UÇK-në ndodhi në Tiranë në verën e vitit 1998

Ish-i Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka dëshmuar sot në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë paraqitjes së tij para trupit gjykues, Hill ka rrëfyer për herë të parë detaje nga kontaktet e tij të hershme me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se takimi i parë me përfaqësues të saj kishte ndodhur në verën e vitit 1998, në Tiranë. “Derisa po punoja me stafin tim dhe të tjerë, duhej të gjenim një zyrtar apo grup zyrtarësh të UÇK-së me të cilët mund të flisnim lidhur me situatën në terren. Për një kohë të gjatë nuk kishim sukses, sepse nuk ekzistonte një strukturë e qartë udhëheqëse. UÇK-ja në atë kohë funksiononte përmes grupeve lokale, që përfaqësonin realitetin më të saktë të asaj kohe,” deklaroi Hill. Ai kujtoi se në Tiranë kishte takuar një person që iu prezantua si kreu i UÇK-së, por pas vlerësimeve diplomatike, ai dhe ekipi i tij kishin arritur në përfundimin se ai nuk mund të fliste në emër të gjithë organizatës. “Ne vazhduam përpjekjet për të identifikuar njerëz që mund të flisnin në mënyrë përfaqësuese për UÇK-në. Në verë dhe vjeshtë të vitit 1998 udhëtuam edhe në Likoc,” shtoi diplomati amerikan. Në fund të dëshmisë së tij, Hill pranoi se nuk e mbante mend emrin e personit të parë që kishte takuar nga UÇK-ja, por kur u përmend emri i Xhavit Halitit, ai konfirmoi njohjen e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Ndalet numërimi i votave në Mitrovicë, lindin dyshime për përfshirje të prokurorit Peci – Prokuroria ende pa konfirmim zyrtar

Pas raportimeve se Prokuroria ka hyrë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, në Mitrovicë dhe …