Figurë e afirmuar e gjeneratës së re politike në Mitrovicë, Arian Tahiri, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për kandidaturën e Bedri Hamzës për kryetar të PDK-së, duke e cilësuar atë si njeriun që ka formësuar një brez të ri të politikanëve të përgatitur në qytet. Tahiri, i njohur për fushatën e tij mbarëkombëtare në garën për kryetar të Mitrovicës, tha se pa angazhimin dhe vizionin e Hamzës, PDK-ja në Mitrovicë nuk do të kishte sot kaq shumë të rinj aktivë, të aftë dhe të përfshirë në proceset e politikë bërjes lokale. Hamza ka bërë më shumë se të krijojë një gjeneratë të re politikanësh: ai ka hapur një rrugë të re zhvillimi, duke ofruar mundësi për rritje profesionale dhe politike për dhjetëra të rinj që sot përfaqësojnë një energji të re në skenën mitrovicase. Tahiri u shpreh i prerë në mbështetjen e tij: “Mitrovica i jep mbështetje të fuqishme kryetarit të ri të PDK-së, Bedri Hamzës”. Mbështetja e Arian Tahirit vjen në një periudhë kur dinamika brenda PDK-së është intensifikuar, ndërsa gara për kreun e partisë po merr dimensione të reja me angazhimin e figurave të rëndësishme të bazës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
