Mospërfshirja e shoqatave të dala nga lufta në projektbuxhetin e vitit 2026 po shndërrohet në një tjetër pikë tensioni mes organizatave të veteranëve dhe Qeverisë së Kosovës. Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka ngritur akuza të ashpra ndaj ekzekutivit, duke theksuar se për pesë vite rresht qeveria nuk ka ndarë asnjë mjet financiar për tri kategoritë kryesore të dalura nga lufta: veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve. Sipas tij, qeveria jo vetëm që ka hequr fondet bazë për funksionimin e këtyre organizatave, por ka ndërprerë edhe trajtimet mjekësore dhe rehabilitimet jashtë vendit – një e drejtë e garantuar me ligj për invalidët e luftës.
Edhe kërkesat zyrtare për sqarime, të dërguara nga mediat në adresë të Ministrisë së Financave, kanë mbetur pa përgjigje. Gucati paralajmëron se shoqatat po funksionojnë në kufijtë e mbijetesës, duke u mbështetur vetëm në anëtarësi dhe ndihma vullnetare, ndërkohë që shpenzimet minimale. nga rryma e deri te flamujt në varrezat e dëshmorëve, nuk po mbulohen më nga shteti. Ai thotë se qeveria ka mbyllur dyert për kategoritë që, siç thekson ai, e kanë vendosur shtetin në këmbë me sakrificën e tyre. Në thelb të kritikave është vendimi që, sipas Gucatit, ka ndaluar plotësisht dërgimin e invalidëve, veteranëve dhe familjarëve të dëshmorëve për trajtim jashtë vendit. Ai e konsideron këtë “shkelje të rëndë ligjore dhe morale”, duke shtuar se as rehabilitimet brenda vendit nuk janë kryer për vite të tëra. Sipas tij, situata shëndetësore dhe psikologjike e shumë veteranëve është alarmante, ndërsa qeveria, siç thotë ai, “nuk po e kthen kokën drejt tyre”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
